2015-08-12 13:42:00

Thirrje e ipeshkvijve portugezë: Kisha nuk ka kufi


“Ta lemë mënjanë frikën, egoizmin, armiqësinë dhe indiferencën, të gjitha sjellje, që i mbyllin njerëzit në mirëqënien e vet dhe i largojnë nga mundësia për të ndarë jetën me ata, të cilët duken ndryshe”. Kjo është ftesa e Veprës Katolike Portugeze për emigracionin drejtuar të gjitha dioqezave të vendit, i cili, nga data 9 deri më 16 gusht, kremton Javën e emigracionit me temë “Kishë pa kufi: jemi një korp i vetëm”.

Vëllazërim me emigrantët

         Në mesazhin e vet për këtë Javë, Komisioni Ipeshkvnor, në krye të Veprës për emigracionin, kujton se Kisha i mban portat e hapura e, sipas shembullit të Krishtit, i sheh në fytyrë emigrantët dhe refugjatët, duke parë në ta njerëzit e detyruar të ikin nga vendi i tyre për të kërkuar punë, për t’u larguar nga varfëria e nga lufta. Ipeshkvijtë i ftojnë të krishterët t’u rezervojnë këtyre njerëzve një gjest vëllazërimi e dashurie të mëshirshme.

Qeveritë të gjejnë zgjidhje, përmes dialogut e bashkëpunimit

         Kisha Katolike portugeze vëren se të gjithë njerëzit kanë të njëjtin dinjitet e të njëjtën të drejtë për të gëzuar të mirat e tokës. Prandaj, ndërsa i fton të krishterët të bëjnë kthesë personale e gjeste konkrete në favor të emigrantëve, u kërkon qeveritarëve, kombeve dhe institucioneve të ndërmarrin rrugën e dialogut e të bashkëpunimit, të drejtësisë e të solidaritetit, e vetmja, që mund të krijojë ambientin e përshtatshëm për gjetjen e zgjidhjeve të problemit të emigracionit.

Shtegtimi në Fatima

         Si çdo vit, gjatë kësaj Jave kushtuar emigrantëve, organizohet edhe shtegtimi në Fatima të Portugalisë. Besimtarët janë nisur sot e do të qëndrojnë në vendin e dukjes së Zojës, edhe nesër. Në ditën përfundimtare, të dielën, më 16 gusht, të gjitha ofertat do të shkojnë për baritorinë e emigrantëve e për veprat e Kishës në ndihmë të tyre. 








All the contents on this site are copyrighted ©.