2015-08-12 16:21:00

Françesku: festa është kohë shenjte e Zotit, jo e babëzisë së konsumit


Çasti i festës është dhuratë e çmuar, që i bëri Zoti familjes njerëzore. Nuk duhet shpërdoruar, prandaj, duke e kthyer në ditë të ngarkuar me gjithfarë punësh. Ky, kuptimi kryesor i katekizmit të audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën Pali VI, në Vatikan. Papa i ftoi familjet ta jetojnë prehjen e së dielës me Eukaristinë, që e shndërron, theksoi, çdo çast të jetës, edhe çastin më të dhimbshëm.

 

Festën e shpiku vetë Zoti, kur pushoi edhe ai vetë, për të kundruar bukurinë, që sapo e kishte krijuar. Por epokës së konsumit,  më shumë se të kundrojë, i pëlqen të fitojë para, e kështu pushimi festiv, për shumëkënd, bëhet hapësirë boshe, për t’u mbushur, mundësisht, me sende që shiten e blihen.

Kundrimi i një pune të bërë mirë e bukur

Pak a shumë si ato të çastit të Zanafillës, fjalët e Papës ishin plot me dritë-hije: mënjanë, drita e një çasti feste, shpikur nga vetë Zoti, e prej këndej, “çast i shenjtë”; në anën tjetër, hija e zakoneve, zanafilla e të cilave nuk është fryt i dashurisë pa interes, por i interesit pa dashuri. Fryt i babëzisë. Krijuesi, i kujtoi Françesku turmës, që e ndiqte katekizmin, e bekoi ditën e shtatë, duke na mësuar, kështu, se i duhet kushtuar një farë kohe edhe kundrimit, sepse është çast i bukur ai, që kalohet duke u kënaqur me punën e bërë, e të bërë  mirë, jo vetëm në kuptimin profesional të fjalës, por edhe në kuptimin e bashkëpunimit tonë, burra e gra, në veprën krijuese të Hyjit:

“Pra, festa nuk është përtaci, nuk është shkrehje e gjymtyrëve mbi një poltronë, nuk është dalldi, që buron prej arratisjes nga e përditshmja... Jo! Festa është, sidomos, një vështrim plot dashuri e mirënjohje mbi punën e bërë mirë: festohet puna, në këtë ditë prehjeje! Edhe ju, bashkëshortë të rinj, po kremtoni punën e kohës së bukur të fejesës: e kjo është bukuri! Është kohë për të ledhatuar fëmijët e nipërit, që hedhin shtat, është kohë për të thënë me vete: sa bukur! Kohë për t’i hedhur një sy shtëpisë sonë; miqve, që i ftojmë; bashkësisë, që na rrethon, e kohë për të thënë me mendje: “Ah! Sa bukur!”.

“Zotërinj” të punës, jo skllevër

Festa, pohoi Papa, mund të bjerë edhe në një çast të dhimbshëm. Por edhe në këtë çast, kujtoi, duhet t’i lutemi Zoti të mos na e zbrazë krejtësisht. Madje edhe në punë, mendon Françesku, është mirë të shndrisë një shkëndijë feste. Ka mënyra e mënyra për ta ndezur këtë shkëndijë. Me kremtimin e ndonjë përvjetori, për shembull, duke krijuar, në ingranazhin e makinës prodhuese, çaste familjariteti, që bëjnë vërtet mirë:

“Por koha e vërtetë e festës është shkëputje nga puna profesionale, kohë e shenjtë, sepse i kujton burrit e gruas se u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Zotit, i cili nuk është skllav i punës, por Zotëri i saj, e kështu edhe ne nuk duhet të pranojmë kurrë të jemi skllevër të punës, por “zotërinj”. Edhe pse, për fat të keq, e dimë mirë që në botë  miliona burra, gra, e deri fëmijë, janë skllevër të punës! Në kohët tona, skllevër! Shfrytëzohen. Skllavërohen në punë, e kjo i bie ndesh Zotit e dinjitetit të njeriut!”.

Festa e kufizuar në konsum

Për më tepër, theksoi Papa,  ideja e fitimit ekonomik dhe e rolit të teknikës vënë në rrezik vetë ritmet njerëzore të jetës, duke i shpërfytyruar, me pasoja të rënda për shoqërinë:

“Koha e prehjes, posaçërisht ajo e së dielës, u caktua për ne, për t’u kënaqur me atë, që nuk prodhohet, nuk konsumohet, nuk blihet, as nuk shitet. E ndërkaq shikojmë se ideologjia e fitimit dhe e konsumit bën çmos të na e hajë edhe festën! Ta kthejë edhe atë në afarizëm, në ditë kur fitohen para, për t’i shpenzuar sakaq. Thua se u krijuam vetëm për të fituar e për të shpenzuar. Babëzia e konsumizmit, me pasojë shkapërderdhjen, është një virus i keq që, ndërmjet tjerash, na bën, në fund, ta ndjemë veten edhe më të lodhur se ishin më parë. Dëmton punën e vërtetë e bren jetën. Ritmet e çrregullta të festës shpesh përfundojnë me viktima, sidomos ndërmjet të rinjve. A mund të quhet festë, kjo? Festë që përfundon me vdekje?

Dhuratë e çmuar për familjet

Ndërsa, po të kemi vetëdijen se koha e festës  është e shenjtë, sepse Zoti banon në të, në mënyrë të posaçme po të jetohet Eukaristia e së dielës, që e mbush festën me hirin e Jezusit, atëherë familja e puna, gëzimi e mundi i përditshëm, e edhe vuajtja e vetë vdekja, shndërrohen në gëzim, përfundoi Françesku,  nga vetë Krishti:

“Familja është e pajisur me një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar, për të drejtuar e për të mbrojtur vlerën e vërtetë të kohës së festës. E sa të bukura janë festat në gjirin e familjes. Mrekullisht të këndshme. E posaçërisht të dielave. Nuk është e rastit që festat, në të cilat ka vend për gjithë familjen, të kënaqin më shumë. Pra, festa është dhuratë e çmuar  e Zotit: dhuratë që Ati ynë ia bëri familjes së vet njerëzore. Mos ta shkatërrojmë!”.

Në përfundim të katekizmit, Papa Françesku përshëndeti posaçërisht Motrat e Shën Martës, që marrin pjesë në punimet e Kapitullit të tyre të përgjithshëm, duke u kujtuar një fjalë të urtë të themeluesit të tyre, të Lumit Tomasso Reggio: “Dashuria e krishterë i ka këmbët me flatra: fluturoni, prandaj, atje ku ju thërret zëri i këputur i të varfërit”. E më pas, një mendim i dytë, ishte ai për  Shën Kjarën e Asizit, që Kisha e kremtoi dje e Papa ia paraqiti besimtarëve si model i ndrishtëm, posaçërisht për të rinjtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.