2015-08-11 15:53:00

Imzot Ruiz: Françesku çon ëmbëlsinë e Zotit edhe në Rrjetet Shoqërore


Cili është kontributi që Papa Françesku u ofron “banorëve” të Rrjeteve Shoqërore e cilat janë sfidat, që kultura digjitale i vë përpara Kishës Katolike? Janë disa nga temat e intervistës së Radio Vatikanit me kreun e Shërbimit Internet të Vatikanit , imzot Lucio Adrian Ruiz, i cili është edhe sekretar i Sekretarisë për Komunikimin, themeluar nga Ati i Shenjtë në fund të qershorit. Imzot Ruiz e fillon reflektimin e tij, duke u ndalur së pari në regjistrimin e Papës Françesku në DBR-në e Krakovit, me anë të një tablet, pra të një kompiuteri xhepi, nëse mund të shprehemi kështu. Kujton Engjëllin e Tënzot të 26 korrikut:

         Regjistrimi i Atit të Shenjtë, me tablet, në Engjëllin e Tënzot, mendoj se ishte një çast shumë i bukur për të gjithë. Së pari, Papa u tha të rinjve se rruga për në DBR filloi, pradaj “përgatituni”. Kjo Ditë pra, ka nevojë jo vetëm për përgatitje organizative, por edhe për përgatitjen e zemrës, që duhet të fillojë që tani. Së dyti, Papa u foli të rinjve me gjuhën e tyre, pasi regjistrimin e bëri me tablet, mjet gjerësisht i përdorur nga të rinjtë. Vetëm pak minuta pas gjestit të Atit të Shenjtë mbërritën mijëra regjistrime të tjera, gjë që tregon se të rinjtë e kuptuan fort mirë dhe kështu, filloi dialogu me ta.

         Papa Françesku e quan veten “stërgjysh” para kulturës së sotme digjitale, megjithatë fjalët e tij ndiqen nga rrjetet shoqërore. Si e shpjegoni këtë sukses?

         Ai thotë gjithnjë se nuk di ta përdorë teknologjinë e, në fakt, ai nuk e përdor. Por, në një farë kuptimi, edhe të rinjtë superteknologjikë nuk “e përdorin” atë. Pse? Sepse teknologjia u shërben për të komunikuar. Nëse i shihni kur përdorin mjetet teknologjike, të rinjtë nuk janë të lidhur me një copë elektronike. Ajo që kërkojnë është komunikimi, ndarja e një fotografie, e një çasti me miqtë, tregimi i ngjarjeve që jetojnë. Pra, kanë hyrë në një dinamikë komunikimi, që e kapërcen elektronikën. Ata hyjnë në dialog dhe tablet apo celulari është vetëm një mjet. E Papa nuk njeh teknologjinë, por njeh njeriun e sotëm, të cilit i flet me gjuhën e vet që ai ta kuptojë.

         Shpesh thuhet se interneti ka nevojë për shpirt, se nuk është thjesht një rrjet me tela e me elektronikë. Cili është kontributi që Papa Françesku po jep për të ashtuquajturit “banorë të kontinentit digjital”?

         Në thelb, Papa e ka mbushur rrjetin me ëmbëlsinë e tij, me fjalën e tij të mëshirës, të dashurisë, të takimit me Jezusin e Mëshirshëm. Fijet e elektronikës transmetojnë menjëherë çka tregon ai në shumë realitete, si përkëdheljen, përqafimin, vështrimin e kapur – për shembull – me anë të një fotografie. Kur transmetohet përmes rrjeteve shoqërore, ëmbëlsia e Papës arrin edhe në skajet e fundme të botës. Edhe të sëmurët, të largëtit, ata, që s’mund të vijnë në Sheshin e Shën Pjetrit, mund ta shohin, ta dëgjojnë, të lexojnë fjalët e tij e të gëzohen apo të ngushëllohen nga mesazhi i Papës. Gjatë udhëtimit tim të fundit në Argjentinë shkova për të vizituar të sëmurët në një spital. U çova fotografi të Papës Françesku, që bekonte të sëmurët e i përqafonte në Sheshin e Shën Pjetrit. Më bëri përshtypje që të sëmurët e spitalit i merrnin dhe menjëherë i afronin pranë zemrës, shumë prej tyre u shpëtonte ndonjë lot. Papa përqafonte një të sëmurë në Sheshin e Shën Pjetrit, por fotografia prekte kaq shumë, sa e ndjenin edhe ata ëmbëlsinë, bekimin, mëshirën, dashurinë e tij. Ky është kontributi i Atit të Shenjtë: t’u çojë të gjithëve - edhe përmes një fotografie, një videomesazhi – dashurinë e Krishtit.








All the contents on this site are copyrighted ©.