2015-08-11 13:17:00

Frika nga përhapja e “sëmundjes”: rreziqet e opcionit ushtarak (IV)


Në përgatitje për rubrikën e re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165, vijojmë pjesën IV të sintezës së ditëve të sprasme të shekullit XX, sot titulluar: “Frika nga përhapja e  ‘sëmundjes’: rreziqet e opcionit ushtarak” .

Epopeja e Solidarnosc e tundi bunkerin komunist. Kjo sëmundje e rrezikshme mund t’u ngjitej të gjitha “republikave motra”, e posaçërisht, Lituanisë e Ukrainës perëndimore, toka tradicionale katolike. Atëherë nisën përpjekjet për t’i kufizuar dëmet, duke menduar edhe për ndërhyrje  të armatosur. Çështja ishte vendimtare. Por a mund të ndërhyhej ushtarakisht në atë Poloni, krejt të paparashikueshme e, sidomos, tejet të dashur për Papën?

Vendimi do të kërkonte kohë e do të konkretizohej me shpalljen e gjendjes së luftës, në dhjetor 1981, nga gjenerali polak Jaruzelski. U mbyllën kufijtë u shpall ligji i luftës, nisi arrestimi i krerëve të Solidarnosc. Në Varshavë u rivendos plotësisht rendi, ndërsa mbi Poloninë ra hija e zezë e çkurajimit. Kush do të guxonte t’ia vinte veshin Papës Gjon Pali II, kur të rikthehej në Poloni, më 1983, e pastaj edhe më 1987, për të predikuar pa u lodhur kurrë dialogun shoqëror ndërmjet shtetit, Kishës e Solidarnosc, e vetmja rrugëdalje e mundshme, sipas Wojtylës, për vendin e tij fatkeq?

Në këtë çast figura dhe prestigji i BRSS qe dëmtuar rëndë. Moska sundohej prej pleqve plot pretendime, të bllokuar nga siguria se do të vijonin të udhëhiqnin në shekuj një vend të plakur, që nuk ishte më në gjendje të ecte përpara. Njëri pas tjetrit Brezhnjevë, Gomulka, Ustinovë, Andropovë, Cernenko, tregohen fare të paaftë t’ia përshtasin superfuqinë botërore nevojave të kohëve të reja, kërkesave të çastit. E po kështu edhe ndjekësit e tyre më të vegjël, në vendet satelite: Çerbicki, Kuanev, Kadar, Huspak, Zhivkov e tjerë e tjerë, që mishëronin periudhën, e cila shumë shpejt do të quhej zastol- amulli.

E papritur! Më 11 mars 1985, pas këtyre dinosaurëve të stërplakur, vjen një lider i ri, 54 vjeç, që flet një gjuhë të kuptueshme, që nuk ka frikë nga gazetarët e që ka një grua gjithë hir, e cila i paguan shpenzimet me kartën American Express. Kreu i ri i partisë komuniste nuk është, sigurisht, disident. Aspak e përkundrazi! I di gati përmendësh të gjitha veprat e Leninit, por është i bindur se nuk mund të vijohet të jetohet kështu. Prandaj është zgjedhur: për të modernizuar partinë e tij e për ta nxjerrë  vendin nga këneta, ku është zhytur. Ky burrë “ka një buzëqeshje të bukur, por pas saj fsheh dhëmbë prej çeliku”, do të thoshte për të Gromikua plak.

Quhet Mihail Gorbaçov. Rrethohet shumë shpejt nga njerëz të brezit të tij (Shevernaze, Ligaçov, Elstin, e kështu me radhë) dhe hap tri pista: perestrojkën, që synon t’i reformojë me fund strukturat e vendit, posaçërisht në planin ekonomik; glasnost, që synon më shumë transparencë në gazetat, statistikat, librat, në kulturë, dhe “mendimin e ri”. Eshtë propozim për të mos e shikuar më ardhmërinë e botës si ndeshje vdekjeprurëse ndërmjet Lindjes e Perëndimit.

Në Shqipërinë socialiste damkoset menjëherë si tradhtar i marksizëm-leninizmit dhe i luftës finale mbi dhe: asaj të fitores përfundimtare të “bunkerit” komunist, brenda të cilit njerëzit po vdisnin nga uria mendore e fizike.   








All the contents on this site are copyrighted ©.