2015-08-11 14:19:00

Dita e Paqes 2016: munde indiferencën e fito paqen


“Munde indiferencën dhe fito paqen”: kjo është tema, që ka zgjedhur Papa Françesku për Ditën e 49-të Botërore të Paqes, e cila do të kremtohet më 1 janar 2016. Lajmin e jep Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, i cili, në komunikatën për shtyp, nënvizon: “Paqja duhet fituar: nuk është një e mirë, që arrihet pa përpjekje, pa kthesë, pa krijimtari e konfrontim”.

 

         Vëmendja, ndjeshmëria, fryma e iniciativës, nuk janë cilësi, që fitohen thjesht duke u informuar për problemet e botës. Sikur të ishte kështu, sot, shumë nga problemet nuk do të ekzistonin më, vë në dukje dikasteri vatikanas. E megjithatë, indiferenca përballë plagëve të kohës sonë është njëra nga arsyet kryesore për mungesën e paqes në botë.

Indiferentët

         Indiferenca e shekullit të 21-të, lexohet në komunikatë, “është e lidhur shpesh me forma të individualizmit, që sjellin izolim, injorancë, egoizëm e, për pasojë, çimpenjim”. Por thjesht shtimi i informacionit nuk sjell në vetvete edhe rritjen e vëmendjes ndaj problemeve, nëse nuk shoqërohet me vetëdijen për nevojën e solidaritetit. Është një sfidë kolektive, në të cilën duhen përfshirë të gjithë, nga familjet tek mësuesit, formuesit, veprimtarët kulturorë dhe mediat, intelektualët dhe artistët.

Tokë për t’u fituar

         Paqja pra, duhet fituar, nënvizon Këshilli Papnor për Drejtësinë e Paqen, pasi për të duhen përpjekje, ndryshim jete, mendje e hapur e dialog. Është e nevojshme të formohet ndjenja e përgjegjësisë për çështjet e problemet, që shqetësojnë njerëzimin, si fundamentalizmi dhe masakrat e tij, persekutimet për shkak të fesë e të etnisë, dhunimet e lirive dhe të të drejtave të popujve, shfrytëzimi e skllavërimi i njerëzve, korrupsioni dhe krimi i organizuar, luftrat dhe drama e refugjatëve dhe e emigrantëve, që detyrohen të ikin nga shtëpitë e tyre. Vetëm kështu, mund të krijohet një kulturë e ligjit dhe mund të edukohen njerëzit për dialog e bashkëpunim, të cilat janë forma themelore të reagimit konstruktiv.

Kurrë më skllevër

         Tema për Ditën Botërore të Paqes 2016 lidhet me atë të këtij viti, “Jo më skllevër, por vëllezër”, me të cilën Papa Françesku pati tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndaj një argumenti, që e ka fort për zemër. Në vazhdimësi me reflektimin e 1 janarit të kaluar, dikasteri vatikanas kujton se pikërisht lufta kundër çdo forme të skllavërisë është njëra nga fushat, në të cilat paqja mund të arrihet nga pak, përditë. Paqja, përfudon komunikata, “është e mundur aty ku të drejtat e çdo njeriu njihen dhe respektohen në përkim me lirinë e drejtësinë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.