2015-08-10 12:34:00

Viti 1978: Papa Wojtyla e Solidarnosc


Në përgatitje për rubrikën e re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165, vijojmë pjesën II të sintezës së ditëve të sprasme të shekullit XX, sot titulluar:  “Viti 1978: Papa Wojtyla e Solidarnosc”.

Tetor 1978. Ndodh një ngjarje krejt e papritur, që ia ndryshon rrjedhën historisë. Në Romë konklavi zgjedh në krye të Kishës katolike, kardinalin Karol Wojtyla, kryeipeshkëv i Krakovit, numri dy i Kishës polake. Papa i ri, sllav, vjen prej anës tjetër të perdes së hekurt. “Ky Papë është dhuratë e Zotit”, komenton shkrimtari Solgenitsin në mikrofonin e Bbc. Kur Gjon Pali II, i sapo zgjedhur, ngre zërin sa ta dëgjonte mbarë bota, edhe ajo e përtej gardhit me tela ferrc, duke shqiptuar fjalët e famshme: “Mos kini frikë!”, të gjitha bashkësitë e krishtera në Lindje të Evropës përshkohen nga një rrënqethje, që u kujton të kaluarën, por edhe e sidomos, të ardhmen.  

Mos kini frikë! Portat e mbyllura do të hapen - buçet zëri i Papës sllav, që e njihte mirë shtypjen komuniste, nga e cila ai vetë i pari nuk do të kishte frikë. Në qershor 1979, Papa kryen shtegtimin ngadhënjimtar në vendlindje. Dhjetra mijëra polakë rifitojnë besimin në fatet  e veta. E edhe fqinjët e tyre, çekët, sllovakët, hungarezët, ukrainasit, lituanët - dëshmitarë të heshtur të këtij shtegtimi. Jehona, përmes ekraneve gjysëm të nxira, depërton edhe në Shqipërinë, asokohe ”kështjellë e pathyeshme e komunizmit”; “e ardhmja e botës”. E si të mos prekeshin vendet pa liritë më fillestare, nga ky Papë, që guxonte të pohonte se komunizmi nuk ishte tjetër, veçse një parantezë e historisë e se ndarja e Evropës më dysh, ishte krejt kalimtare?

Vetëm një vit pas këtij shtegtimi, punëtorët e Gdańsk-ut hidhen në një grevë me thekse të padëgjuara nën diktaturë: një portret vigan i Gjon Palit II duket sikur u flet njerëzve nga kangjellat e kantiereve detare. Kreu i lëvizjes, një elektricist me emrin Lech Walesa, i beson verbërisht Papës e, kur sindikata e parë e pavarur në perandorinë lindore kërkon një emër, e gjen në homelitë, që kishte mbajtur Gjon Pali II një vit më parë: Solidarnosc. Sepse vetëm solidariteti ndërmjet njerëzve do të mund ta shembte sistemin e turpshëm, në të cilin njeriu nuk është tjetër, veçe një ingranazh i makinës shoqërore.

Epopeja e Solidarnosc, që grupoi dhjetë milionë polakë, do të zgjaste pesëqind ditë e do të apasiononte mediat e mbarë botës. E, posaçërisht zemrat e atyre, që shikonin si vijonte plasaritja shumëpritur e bunkerit komunist. 








All the contents on this site are copyrighted ©.