2015-08-09 14:13:00

Shenjtorët e javës 9-16 gusht 2015


Kisha Katolike kremton sot festën e shën Terezës Benedikta e Kryqit, në shekull Edith Stein, virgjër e martire, Pajtore e Evropës. Pikërisht sot, bie edhe 73 vjetori i vdekjes së saj.

         Lindur nga një familje hebrenjsh, në vitin 1891, Edith Stein hyn në kuvendin e karmelitaneve të Këlnit, duke marrë emrin motër Tereza Benedikta e Kryqit. Vdiq në kampin e përqendrimit të Aushvicit, më 9 gusht 1942. Gjon Pali II e shpalli shenjtore më 11 tetor 1998. Së bashku me Shën Brigjidën e Suedisë dhe me shën Katerinën e Sienës, ajo është Pajtore e Evropës.

“Ta shpallësh sot Edith Stein-in bashkëpajtore të Evropës do të thotë të ngresh në horizontin e kontinentit të vjetër një flamur respekti, tolerance, mikpritjeje, që i fton burrat e gratë ta kuptojnë e ta pranojnë njëri-tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet etnike, kulturore e fetare, për të formuar një shoqëri vërtet vëllazërore”. Me këto fjalë, shën Gjon Pali II e shpalli shenjten bashkëpajtore të Evropës, më 1 tetor 1999.  Bashkë me të tjerat , shën Tereza Benedikta e Kryqit përfaqëson atë shenjtëri, që për Evropën është “sekreti i së kaluarës së saj dhe shpresa për të ardhmen”.

 

Nesër përkujtohet shën Lorenci, diakon e martir.

Të martën, më 11 gusht, bie festa liturgjike e shën Kiarës së Asizit, virgjër, themeluese e klariseve. Përkujtohen edhe shën Tiburci, martir e shën Suzana romake.

Të mërkurën, 12 gusht, Kisha kremton shën Gjovanën Françeska e Shantalit, rregulltare, si edhe shën Inoçencin XI, papë.

Të enjten, 13 gusht, përkujtohen shën Ponciani, papë e shën Hipoliti, meshtar, të dy martirë, si edhe shën Gjoni Berkmans, jezuit.

Më 14 gusht, ditën e premte, bie festa liturgjike e shën Maksimilian Kolbes, meshtar e martir, si edhe e shën Euzebit romak.

E shtunë, 15 gusht është festë e madhe për Kishën Katolike. Kremtohet Zoja e Madhe apo të Ngjiturit e Zojës në Qiell, por edhe shën Tarçizi, romak e martir dhe shën Stanislao Kotska, jezuit.

Të dielën XX të vitit, më 16 gusht, do të përkujtojmë shën Shtjefnin, mbret i Hungarisë dhe shën Rrokun, shtegtar, i cili do t’i mbledhë besimtarët katolikë shqiptarë në Shirokë, që e ka për Pajtor të vet dhe në Novosellë të Kosovës.








All the contents on this site are copyrighted ©.