2015-08-07 16:32:00

“Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, pjesa I


Po fillojmë një rubrikë të re, titulluar “Gjon Pali II dhe vendet komuniste të Evropës Lindore”, bazuar  kryesisht mbi shkrimin e historianit jezuit italian, atë Giovanni Sale, botuar në “La Civiltà Cattolica”- 3931 - 5 prill 2014, Viti 165.

Për ta kuptuar më mirë, na duket e arsyeshme t’i paraprijmë me një sintezë të ditëve të sprasme të shekullit XX, gjatë të cilave ndodhi çka njerëzit nuk guxonin as ta mendonin: u shemb perandoria e kuqe. Dy fjalë për të.

Po e kujtojmë, në fillim, ngjarjen më të papritur të ditëve të sprasme të shekullit XX. Me 9 nëntorin 1989, kur u shemb Muri i Berlinit, “muri i turpit”, simbol i trishtuar i komunizmit modern. Shembja e tij përmbysi ekulibrin e botës, duke e riskicuar hartën e Evropës, duke çliruar kombet prej kohe nën thundrën e perandorisë së kuqe e duke ndryshuar jetën e përditshme të qindra miliona njerëzve, për mirë e për keq.  

I lindur në tetor 1917 me revolucionin rus, në vitin 1945 sistemi komunist sovjetik u përhap brutalisht, në emër të “fitores mbi nazizmin”. E as vdekja e Stalinit, në vitin 1953, nuk ia lëkundi themelet. Përkundrazi, lufta e nxehtë, që përvëloi botën, u kthye në “luftë të ftohtë”. Ndërmjet dy blloqeve të papajtueshme, Lindjes e Perëndimit, nisi një dimër i acartë, që do të zgjaste më se një jetë njeriu. Gjithnjë me ndeshje. Ndërtimi i Murit të Berlinit, më 13 gusht 1961, ishte dëshmi tragjike e këtij mospajtimi. Deri aty nga fundi i viteve ’70, Bashkimi Sovjetik (BRSS)  shikohej me shpresë në vise të ndryshme të botës. Ndikimi i tij vijonte të shtrihej në të katër anët e Planetit. Pikërisht në këtë epokë, u duken plasat e para të bunkerit vigan, në të cilin qe shndërruar perandoria e kuqe.

Më 10 gusht 1975 sytë e mbarë botës u ngulën mbi Finlandën: në Helsinki delegatët e 35 vendeve të Lindjes e të Perëndimit, nën vëzhgimin e SHBA-ve dhe BRSS, nënshkruan marrëveshjen “mbi sigurinë dhe bashkëpunimin në Evropë”. Tekstet qenë objekt bisedimesh shumë të ashpra. Tridhjetë vjet pas shkurtit 1945, pasi e ndanë botën ndërmjet tyre në Jaltë, mbifuqitë që synonin ta ligjëronin atë “status quo” politike e ushtarake të Kontinentit të vjetër, pas tre dhjetëvjeçarëve tejet të shqetë, kur kishin ndodhur ngjarje si Blloku i Berlinit(1948), kryengritja e Budapestit (1956), ndërtimi i Murit të Berlinit (1961) dhe mbytja në gjak e Pranverës së Pragës (1968), e çimentuan dhe e fuqizuan ndarjen e pabesueshme të Evropës, duke e rrethuar me gardh të hekurt. Fuqizohej, kështu, Evropa e telave me gjemba!

“Ç’është e jona, është e jona, ç’është e juaja, është e jona!”–kjo ishte motoja e drejtuesve të BRSS, hrushovave e brezhnjevave - e, për pasojë, edhe aleatëve të tyre: çausheskëve, potëve, hoxhëve… Leonid Brezhnjevi e ngriti në parim doktrinën e “sovranitetit të kufizuar”: çdo orvatje  për autonomi në Lindje, do të kishte si pasojë ndërhyrjen ushtarake “të vëllezërve” të tjerë. Në vitin 1975 marrëveshjet e Helsinkit krijuan mundësitë për lidhjen e marrëdhënieve të reja Lindje-Perëndim, por me kushtin e heshtur që doktrina e Brezhnjevit të mbetej gjithnjë në fuqi në bllokun e Lindjes. Bota ishte, e më shumë se kurrë, e ndarë më dysh. E, me sa duket, për shumë e shumë kohë.

Shumëkush ndoshta sot e ka harruar fare se asokohe komunizmi ishte  në kulmin e shtrirjes. Pikërisht në këtë epokë Kremlini përfshinte në zonën e vet të influencës Somalinë (tetor 1969), Etiopinë (nëntor 1974), Kamboxhën (prill 1975), Vietnamin (prill 1975), Mozambikun (qershor 1975), Angolën (nëntor 1975), Laosin (dhjetor 1975), Afganistanin (prill 1978). Në hartën e botës “njolla e kuqe” përhapej si njollë vaji, ndërsa partitë komuniste perëndimore po i afroheshin pushtetit në Portugali, Spanjë, Itali e Francë. Por pikërisht kjo shtrirje do të ishte helm, që do ta ligështonte sistemin komunist i cili, për vetë natyrën e tij, bazohet mbi luftën e klasave e mbi blloqet. Ndoshta ndokush i ka harruar, e tepër shpejt, këto fjalë, deri dje në krye të vendit në jetën e të gjithë atyre, që patën fatin e bardhë, e sidomos, të zi, të jetonin nën thundrën e perandorisë së kuqe, gjurmët e së cilës nuk zhduken lehtë.








All the contents on this site are copyrighted ©.