2015-08-07 15:29:00

Papa takohet me Meg: dialog e respekt ndaj identitetit të tjetrit, për t’i kapërcyer konfliktet


 Tensionet e konfliktet kapërcehen me dialog e respekt për identitetin e tjetrit. E tha Papa Françesku, duke pritur, në Sallën Pali VI, Lëvizjen Eukaristike Rinore (Movimento Eucaristico Giovanile-MEG), organizuar nga jezuitët. Përballë 1500 të rinjve të 38 delegacioneve kombëtare, shoqëruar nga Eprori i përgjithshëm i jezuitëve, atë Adolfo Nicolas dhe nga drejtori i përgjithshëm delegat, atë Frédéric Fornos si dhe nga shumë të tjerë, që e ndoqën Papën drejtpërdrejt, nga të pesë kontinentet.

Konfliktet zgjidhen me dialog e me respekt për identitetin e tjetrit. Papa iu përgjigj me zemër të hapur pyetjeve, që i bënë të rinjtë e Lëvizjes Eukaristike Rinore, ardhur në Sallën Pali VI si përfaqësues të më se një milion të rinjve në botë. Papa i ftoi të gjithë të mos kenë frikë nga tensionet. Nga ana tjetër, shpjegoi, jeta është plot me to: familja e shoqëria, pa tensione, do të ishin si varrezë, sepse vetëm në varrezë nuk ka tensione e konflikte, e vetëm në Parajsë nuk do të ketë. Prej këndej, një këshillë e trifishtë:

“Së pari, nuk duhet pasur frikë nga tensionet, sepse të bëjnë të rritesh; së dyti, duhen zgjidhur me dialog, sepse dialogu bashkon, si në familje, ashtu edhe në grupin e miqve, e gjindet edhe udha për të ecur së bashku, pa e humbur identitetin. Së treti, mos iu shtroni shumë ndonjë tensioni, sepse kjo të bën keq”.

Papa i ftoi të rinjtë t’i lexojnë konfliktet në një përmasë të ndryshme, duke i lidhur me ndonjë realitet, si ai i Indonezisë, vendlindje e njërit nga të rinjtë, që folën, ku ndjehet fort fryma e larmisë së brendshme të kulturave:

“Konflikti, për t’u pranuar mirë,  duhet të synojë unitetin, e në një shoqëri si jotja, që ka një kulturë të përbërë nga shumë kultura të ndryshme brenda saj, duhet kërkuar uniteti, por duke respektuar çdo identitet”.

Mendimi i Papës shkoi, më pas, tek pakicat, që nuk respektohen, si emigrantët e Rohingya të nisur nga Birmania e të kthyer mbrapsht në det nga shumë vende aziatike:

“Ky është konflikt i pazgjidhur: quhet luftë, quhet dhunë, quhet vrasje. Është e vërtetë; nëse unë kam konflikt me ty e të vras, konflikti merr fund, zgjidhet, pra. Po kjo nuk është udha e drejtë. Nëse shumë identitete – kulturore ose fetare – jetojnë së bashku në një  vend, do të ketë doemos konflikte, por vetëm  duke respektuar  identitetin e tjetrit e me këtë respekt, zgjidhet edhe konflikti”.

Konfliktet e vërteta shoqërore, e edhe ato kulturore, shtoi Papa, zgjidhen me dialog, por më parë me respektimin e identitetit të njeriut tjetër. Kjo nuk po ndodh, për shembull, me një pakicë tjetër, atë të të krishterëve të Lindjes së Mesme:

“Pakicat fetare, të krishterët... jo vetëm që nuk respektohen, por shpesh herë edhe vriten, persekutohen... Pse? Sepse nuk respektohet identiteti i tyre. Në Historinë tonë ka pasur gjithnjë konflikte të identitetit fetar, për shembull kishte edhe nga ata, që dilnin jashtë, për të mos e respektuar identitetin e tjetrit: ‘Epo ky nuk është katolik, nuk beson në Jezu Krishtin’. ‘Respektoje! Kërko në të gjërat më të mira. Kërkoji në fenë e tij, në kulturë, në vlerat, që ka. Respektoje!’. Kështu konfliktet zgjidhen  me respektimin e identitetit të tjetrit”.

Më pas, duke iu përgjigjur një vajze braziliane, të cilën Papa e kishte pyetur me shaka kush i pëlqen më shumë, Pelé apo Maradona, Françesku reflektoi për sfidat e misionit të tij fetar: të kërkojë gjithnjë paqen në Zotin,  atë paqe, që vetëm Jezusi mund ta japë, theksoi, duke i ftuar të rinjtë të jenë në gjendje ta dallojnë Paqen e Krishtit, nga ajo e djallit,  mashtruesit të madh:

“Paqja e vërtetë vjen gjithnjë nga Jezusi. Madje shpesh vjen e mbështjellë në një kryq. Po është Jezusi, që ta jep paqen e vërtetë në këtë provë. Prova nuk vjen gjithnjë si kryq, por paqja e vërtetë vjen gjithnjë nga Jezusi. Ndërsa, paqja tjetër, ajo e përcipta, paqja që të kënaq pakëz, por është  e sipërfaqshme, vjen nga armiku, nga djalli”.

Të rinjtë, pastaj, vijoi Françesku, janë sinjalet e gëzimit në gjirin e Kishës së sotme; ata që besojnë “se Jezusi është në Eukaristi, se dashuria është më e fortë se urrejtja, se paqja është më e fortë se lufta, se respekti është më i fortë se konflikti, se harmonia është më e fortë se tensioni. Besojnë, edhe përballë asaj, që Papa, në raste të tjera, e ka quajtur  “lufta e tretë botërore, luftë vende-vende”. Por sinjalet e gëzimit nuk gjinden vetëm në  pranverën e moshës. Nuk mungojnë as në dimrin e jetës. Papa tregoi se pati njohur  një herë, gjatë një audience të përgjithshme, një plakë 92 vjeçe, që i tregoi sekretin e jetëgjatësisë së saj. Jetëgjatësia fshihet në raviolit, i tha. E vijoi t’i tregonte se ajo i prodhonte vetë, e vetë edhe i hante. Por, vijoi Papa, për fat të keq, gjyshërit janë të harruarit e mëdhenj të kësaj kohe. Në këtë kohë krize ndokush kujtohet shpesh për ta, vetëm në çastin kur marrin pensionin:

“Gjyshërit janë burim urtie, sepse kanë kujtesën e jetës, kujtesën e fesë, kujtesën e tensioneve, kujtesën e konflikteve... E janë aq të mirë gjyshërit! Mua më pëlqen gjithnjë shumë të flas për gjyshërit”.

Françesku vijoi të flasë për Jezusin, që duket gjithnjë në paqen e Tij:

“Nëse ti i afrohesh Jezusit, ai të jep një paqe, një gëzim të paprovuar. E kur ta takosh Jezusin në lutje, në një vepër të mirë, në bamirësi...  ka një mori mënyrash për ta takuar, do të ndjesh paqe e gëzim të thellë”.

Prandaj duhet kujtuar gjithnjë ajo, që bëri Jezusi, i cili shkoi drejt Kalvarit, ku dha jetën për ne. Duhet kujtuar, duke e marrë Korpin e Gjakun e Jezusit, duke shkuar në meshë, ose duke u lutur para Tabernakullit. Kështu, u tha Papa të rinjve, do të mund të ecni vërtet përpara:

“Bota ka shumë gjëra të këqija, jemi në luftë; por ka edhe shumë gjëra të bukura e të mira e shumë e shumë shenjtorë të fshehur në gjirin e popullit të Zotit. Zoti është i pranishëm! Zoti është i pranishëm e ka shumë e shumë arsye shprese për të ecur përpara. Merrni zemër! E shkoni përpara!”.

Të rinjtë e MEG iu përgjjgjen Papës me festë: njëri i kërkonte autografin, tjetri i dorëzonte flamurin e Argjentinës, e, të gjithë së bashku, i dhuruan një kopje të projektit e të zbatimit  të “Click to pray”. Edhe kjo është një nga mënyrat për të shkuar përpara.








All the contents on this site are copyrighted ©.