2015-08-07 15:20:00

Një vit nga ikja prej Ninives, të krishterë e jazidë, të rraskapitur


Një vit më parë, më 7 gusht 2014, me ikjen e mijëra vetëve gjatë natës, si të ishin hajdutë, përfundoi eksodi i të krishterëve dhe i jazidëve nga Pllaja e Ninives, në Kurdistanin irakian, si pasojë e përparimit të Shtetit islamik, Isis, në zonë. Ata që ikën nga dhuna e “Kalifatit”, duke lënë pas mizori të patregueshme, vazhdojnë të jetojnë në kampe refugjatësh, në kushte jashtëzakonisht të vështira. Stefano Nanni, veprimtar humanitar në Irak, i shoqatës “Një urë për…”, jeton pikërisht në rajonin e Dohukut, ku janë vendosur pjesa më e madhe e refugjatëve. Ta dëgjojmë, në intervistën e Radio Vatikanit:

         Një vit më parë, saktësisht, më 10 qershor, kur ra Mosuli e të gjitha fshatrat përreth, filloi një eksod i madh, që deri tani, ka sjellë rreth një milion e 300 mijë refugjatë në rajonin autonom të Kurdistanit irakian. Në qershor, vala e parë i çoi njerëzit, sidomos të krishterët, në Erbil, i cili prej kohësh, konsiderohej zonë e sigurtë për ta. Edhe sot, në Ankawa, shumë të krishterë po përpiqen ta rindërtojnë jetën nga e para, por nuk është e lehtë. Ofensivat e tjera të Isis sollën valë të re njerëzish, që u vendosën jo vetëm në Erbil, por edhe në Sulaymaniyah. Dhjetë ditët e para të gushtit, rreth 500 mijë vetë ikën nga provinca e Ninives, gati në kufi me Sirinë. Sot, janë akoma 800 mijë ata, që strehohen në Dohuk, ku përqendrohet pjesa më e madhe e refugjatëve të brendshëm.

         Si është gjendja e të krishterëve sot, një vit pas eksodit?

         Pas një viti, fatkeqësisht, gjendja nuk është përmirësuar, ngaqë e dimë të gjithë se lufta në terren nuk ka sjellë ndonjë fitore të madhe për shtetin irakian, peshmergët kurdë dhe për koalicionin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-të. Mijëra njerëz jetojnë në kampe refugjatësh. Në provincën e Dohukut – ku gjendem – ka 16 kampe. Është e trishtueshme, por duket se këto kampe po bëhen gjithnjë e më të qëndrueshme, po urbanizohen, nëse mund të shprehemi kështu. Gjithsesi, brenda kampit, gjërat funskionojnë pak a shumë, rregullisht, por për njerëzit që jetojnë jashtë kampeve, gjendja është shumë më e ndërlikuar. Edhe bujaria e popullsisë vendase, pas një viti, është pakësuar. Emergjenca e parë e madhe u kalua me mbërritjen e refugjatëve, pastaj erdhi dimri, shumë i ashpër e, tashmë, që prej tre muajsh, kemi një vapë mbytëse, me temperatura, që shkojnë nga 40 deri në 50 gradë. Janë pakësuar edhe fondet humanitare nga ana e qeverive e perspektiva e kthimit në shtëpi është tepër hipotetike, pasi në terren, lufta vazhdon.

         Para këtyre ngjarjeve të tmerrshme, në zonën e Ninives, bashkëjetonin fe e kultura shumë të ndryshme. Cila është gjendja e sotme?

         Iraku është një zonë bashkëjetese për shumë kultura e fe. Por Shteti Islamik është vetëm prodhimi i fundit i politikave fanatike, që kanë zëvendësuar njëra-tjetrën në këtë zonë, që prej 15 vjetësh. Politika konfesionale, që pati zbatuar kryeministri i mëparshëm, Nouri al Maliki, i përkrahur nga SHBA-të në periudhën pas pushtimit e, edhe nga Irani, prirej të favorizonte shiitët e të diskriminonte sunitët e pakicat e tjera. Gjatë 15 vjetëve, kjo solli emigracionin e të krishterëve, jazidëve dhe turkomanëve drejt veriut të vendit. Para vitit 2003, të krishterët e Irakut ishin 800 mijë deri në një milion vetë, ndërsa sot kanë mbetur rreth 500 mijë e shumë prej tyre duan të ikin. Gjatë këtyre ditëve kam folur me familje të krishtera, të strehuara në një qendër kulturore asire, në Dohuk e, fraza më e përdorur është “nuk ka më vend të sigurtë për ne këtu”. Ka shumë njerëz, që po përpiqen të mbërrijnë në Evropë, ose së paku, të dalin nga Iraku, edhe me mjete të paligjshme e çmimet lëkunden nga 10 deri në 12 mijë dollarë… 








All the contents on this site are copyrighted ©.