2015-08-07 16:52:00

Atë Fares: Bergoglio ipeshkëv, njeri që e bashkon dhe e ruan popullin e tij


“Françesku, sapo u zgjodh, vijoi traditën e Kishës e të Koncilit II të Vatikanit”. E lexojmë këtë në artikullin me të cilin hapet numri i fundit i revistës  së jezuitëve “Civiltà Cattolica”, me titull: “Figura e ipeshkvit në Papën Françesku”. Artikulli është fryt i pendës së teologut jezuit argjentinas atë Diego Fares. Iu lutem atit Fares, përkrah Bergoglios prej 40 vjetësh, të na  e shtjellojë temën e artikullit të tij:

Përgjigje: - Sapo u zgjodh, Papa Françesku bëri dy lëvizje, flas për lëvizje trupore, pa metafora: së pari atë të përkuljes. Në vend që të ngarkohej me petkat papnore, ai uli kokën për të marrë bekimin e popullit besimtar, që ishte mbledhur nga mbarë bota në Sheshin e Shën Pjetrit, për ta parë Papën e ri. E ky është Koncili II i Vatikanit: “Lumen Gentium 8”. Krishti, që zhvishet nga gjithçka, që kërkon të varfërit; Kisha që, edhe pse  ka nevojë për mjete njerëzore për ta kryer misionin e saj, nuk është bërë për të këkuar lavdinë tokësore, por për t’u njohur edhe përmes shembullit të përvujtërisë e të vetmohimit (LG 8). Gjesti tjetër është ai që bën kur sillet rreth e rreth Sheshit me papamobil, ose kur zgjedh vendet më të skajshme, si cak të shtegtimeve të tij. Lëvizjet e Françeskut na bëjmë të shikojmë me sytë tanë një figurë, që na kujton si duhet të jetë ipeshkvi në mes të popullit të vet. Kjo është Kushtetuta dogmatike “Lumen Gentium 12”: Ipeshkvi e populli  bëjnë së bashku të njëjtën udhë, në të cilën tërësia e besimtarëve, që kanë marrë vajimin nga Shpirti Shenjt (cfr 1Gjn 2,20.27), nuk mund të gabojë në besojmën e vet dhe e tregon këtë pronësi të veçantë përmes ndjenjës së mbinatyrshme të fesë së mbarë popullit, kur "duke nisur nga Ipeshkvijtë e deri tek besimtari më i fundmë laik, shpreh miratimin e tij universal në lëndën e fesë e të moralit” (LG12). Por sidomos ka rëndësi të madhe të kuptohet se për Koncilin e për Jezusin, baritorja nuk i kundërvihet doktrinores. Baritoria nuk është zbatim i “doktrinës”, që mbarshtohet nga doktorët e ligjit, të cilët i kanë duart e pastra, sepse nuk i prekin kurrë njerëzit, por veprojnë vetëm mbi bazën e ideve të qarta e të mirënjohura të Kartezios, ndërsa barinjtë i ndotin duart. Zbulesa, që na e dorëzoi Zoti, vepron për shëlbimin e popullit të Tij jo përmes njohjes abstrakte të Trinisë, por përmes njohjes plot dashuri e veprimtari. Doktrina është baritore. Pasqyrohet në veprimtarinë për ta komunikuar hirin përmes Sakramenteve dhe veprave të mëshirës. Është Fe, që vepron përmes dashurisë së krishterë.

Pyetje: - Shpesh Françesku u përsërit  ipeshkvijve se duhet të jenë “barinj, jo princa; madje shkaktoi një farë çudije shprehja “ipeshkvij–pilotë”, që përdori Papa Françesku në fjalimin e kohëve të fundit drejtuar Konferencës ipeshkvnore italiane. Disa mendojnë se ky ishte “qortim” nga ana e Papës për sivëllezërit e tij. Ç’mendoni ju, që e njihni Bergoglion edhe para se të emërohej Ipeshkëv?

Përgjigje: - Këtë ftesë për të qenë barinj, që u vjen era dele, era  princër  apo pilotë, me kuptimin thjesht administratorë,  Bergoglio e bëri dyzet vjet më parë, kur ishim novicë e studentë e ai ishte provinciali e, më pas, edhe rektori ynë.  Më kujtohet një shok që, duke shëtitur në kopshtin e Kolegjit tonë të madh, ku kishim edhe derra, lopë e dele, e pa Bergoglion, rektorin tonë,  duke ndihmuar një dele, që ishte duke pjellë. Shoku im, krejt i çuditur nga kjo pamje, deshi ta ndihmonte. Delja nuk po e pranonte njërin nga tre qengjat, që kishte nxjerrë në dritë. Bergoglio, si mendoi një të imtë, mori qengjin, ia lëshoi në krahë shokut tim e i tha: “Kujdesu për të!”. “E si të kujdesem”, ia pati tjetri edhe më i çuditur. “Shko në infermieri, ngrohe paksa, merr pak qumësht e jepja me biberon”. Për pesë muaj studentit iu desh ta mbante qengjin në dhomë të vet, së cilës, natyrisht, nisi t’i vinte  fort era dele. Qengji e ndiqte pas nëpër shtëpi. Madje dhe deri në kishë e në sallat e studimit. Atëherë Bergoglio i tha: “Të vura në provë. E ti more një mësim të mirë: nëse e ruan, delja të ndjek pas. Bëj gjithnjë kështu”. T’u thuash ipeshkvijve të jenë barinj, jo princa as administratorë, është një nga ato qortime, që jep jetë. Kam dëgjuar të thonë: “Për të gjithë ka mëshirë, ipeshkvijtë i merr nëpër këmbë”. Por veprat e mëshirës shpirtërore thonë: “T’i mësosh ata, që nuk dinë; t’u japësh këshilla atyre, që kanë nevojë e t’i korigjosh ata, që gabojnë”. Një gjë është t’ua falësh mëkatet mëkatarëve (dele e barinj) e tjetër gjë, të jesh  i mëshirshëm me misionin e bariut. Misioni duhet të jetë pa gabime. Krishti e qortoi “pa mëshirë” Pjetrin e i tha: “larg meje Shejtan, këto mendime nuk vijnë nga Zoti”. E pikërisht këto qortime të Jezusit e bënë Pjetrin bari plot mëshirë për delet. Veprat e mëshirës shpirtërore janë pikërisht shkallë të ndryshme të qortimit dashamirës, të përpjekjes për të të mësuar të bësh kështu e jo ashtu. Të korrigjosh do të thotë: “Dëgjo, ti po gabon!”.  Gjysma e së keqes që Papa na porosit të mos jemi pilotë. Si mund t’u pilotoka një Kishë,  që është barkë plot me refugjatë, spital fushor… shoqëri hiperteknologjike… Ndërsa të jesh bari do të thotë se vlen vetëm kur delet të duan e të ndihmojnë të gjesh ujë:  domethënë kur populli besimtar e do dhe e ndihmon bariun që ta dëgjojë Shpirtin Shenjt…

Pyetje: - Një nga kategoritë që Françesku e përdor shumë, kur flet për ipeshkvijtë, është ajo e “vigjilencës”, që domethënë se bariun nuk duhet ta zërë gjumi nga meraku për popullin e  vet. Ç’do të thotë kjo për Papën?

Përgjigje: - Figurë  shumë e bukur dhe e fortë e njeriut, që  rri zgjuar e ruan është ajo e Shën Jozefit. Ai vigjëlon deri në ëndërr mbi Ferishten e nënën e tij. Nga kjo vigjilencë e fuqishme e Shën Jozefit lind shikimi i heshtur që e përfshin tërë grigjën, duke e ruajtur pavarësisht nga mjetet e pakta e të varfëra. E edhe vështrimi vigjilent si dhe nuhatja e hollë, përmes së cilës ia doli mbanë të shmangë të gjitha rreziqet, që e kërcënonin Foshnjën. Shën Jozefi, që dremit me një sy mbyllur, po me tjetrin hapur, të cilit Papa ia beson “fletët” e tij, e edhe ëndrrat e tij, është figura e ipeshkvit, e bariut, që rri zgjuar, në roje të popullit të vet.  Vetë emri “ipeshkëv”, greqisht “episkopos” ka  në vetvete një thirrje të veçantë, mbi të cilën kardinali Bergoglio pati reflektuar në Sinodin e vitit 2001, kushtuar “Ipeshkvit: shërbëtor i Ungjillit të Jezu Krishtit për shpresën e botës”. Kjo karizmë, mision i mirëfilltë i ipeshkvit, është të rrijë zgjuar, të vigjëlojë. Ipeshkvi, pra, është ai që rri zgjuar. Ia vlen ta kujtojmë këtu tekstin e plotë: “Ipeshkvi është ai, që rri zgjuar:  ruan shpresën, duke ndenjur syhapur për Popullin e  vet” (1 Pt 5,2). Sjellje shpirtërore kjo, që vë theksin mbi ruajtjen e grigjës me një vështrim të vetëm. Sjellje tjetër është t’i hapësh mirë sytë, për t’u ruajtur nga rreziqet. Një nga figurat më të forta të kësaj natyre e gjemë në Librin e Daljes, në të cilin thuhet se Yahvé  përgjoi  gjithë natën e Pashkëve, duke e ruajtur popullin e  vet. Prej këndej Nata e Pashkëve quhet edhe Natë e pagjumë, natë përgjimi (Dal 12-42). Të mbikqyrësh do të thotë të ruash doktrinën e doket, ndërsa të përgjosh ka më shumë kuptimin e kujdesit për të qenë kripë e dritë e zemrave. Për të  mbikqyrur mjafton të jesh zgjuar, të jesh i mprehtë, i shpejtë. Për të  përgjuar duhet më shumë butësi, durim, dashuri e krishterë. Të mbikqyrësh e të vigjëlosh janë dy fjalë, që na flasin e na kujtojnë se një farë kontrolli është i nevojshëm. Ndërsa të rrish zgjuar e të ruash na flet për shpresë. Shpresë e Atit të mëshirshëm, që rri zgjuar e ndjek rrahjet e zemrave të bijve të vet. Vigjilenca tregon e forcon “parresinë” e ipeshkvit, që vë në dukje shpresën, pa e çoroditur Kryqin e Krishtit.

Pyetje: - Ju, në “Civiltà Cattolica” shkruani se modeli që shikon Bergoglio, është ai ipeshkvit si “njeri i bashkimit”. Reflektimi juaj  në këtë drejtim…..

Përgjigje: - Ishte kjo, bërthama e fjalimit drejtuar ipeshkvijve italianë, vjet e sivjet. Në vitin 2014, Papa bëri një gjest domethënës. U dhuroi ipeshkvijve tekstin e fjalimit me të cilin Pali VI i kërkonte së njëjtës Konferencë ipeshkvnore italiane, 50 vjet më parë, më 14 prill 1964, “një frymë të fortë e të përtërirë të unitetit, që të sillte frymë gjallërie të re unitare në shpirt e në vepra”. Ky bashkim është çelësi, që bota të besojë, që ipeshkvijtë të mund të jenë “Barinj të një Kishe, parë si përshpejtim i premtimit të Mbretërisë së qiellit, që del drejt botës me gojtarinë e gjesteve, të vërtetësisë e të mëshirës. Bashkimi është vepër e Shpirtit Shenjt, që vepron falë ipeshkvijve barinj, e jo ipeshkvijve pilotë. Ata fuqizojnë rolin e pazëvendësueshëm të laikëve, të gatshëm për të kryer detyrat që u takojnë. Ndjeshmëria e tyre kishtare duket konkretisht në kolegjialitetin dhe në bashkimin me ipeshkvijtë dhe meshtarët e tyre; e edhe në bashkimin ndërmjet vetë ipeshkvijve: ndërmjet dioqezava të pasura – materialisht e vokacionalisht - e atyre, që kalojnë çaste të vështira; ndërmjet periferive e qendrës, ndërmjet Konferencave ipeshkvnore e Ipeshkvijve, me pasardhësin e Pjetrit”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.