2015-08-07 14:25:00

Atë Costa: ju tregoj si lindi himni për Jubileun e Mëshirës


Kësaj jave u publikua në Youtube, himni zyrtar i Jubileut të Mëshirës. Himni hapet me fjalët “Misericordes sicut Pater” apo me moton e Jubileut “Të mëshirshëm si Ati”, marrë nga Ungjilli sipas Lukës (6,36). Autori i muzikës, Paul Inwood dhe, ai i tekstit, jezuiti, atë Eugenio Costa, ia kanë dhënë të drejtat e autorit Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, për të lehtësuar përhapjen e himnit në gjithë Kishën. Ekzekutimi i tij u bë nga Kapela Muzikore Papnore, drejtuar nga mjeshtri Massimo Palombella dhe, u regjistrua nga Radio Vatikani. Në mikrofonin tonë, teologu e muzikanti, atë Eugenio Costa tregon si lindi himni për Jubileun e Mëshirës:

(Alessandro Gisotti)

         Imzot Massimo Palombella, mjeshtër i Kapelës Sikstine, me të cilin bashkëpunoj prej shumë kohësh, më kërkoi të bëj një himn me temën e Mëshirës Hyjnore. E kështu bëra, në bashkëpunim me Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri, kryesuar nga imzot Rino Fisichella. Më dhanë disa këshilla, disa pjesë të shkurtra të tekstit në gjuhën latine. Më thanë: “Refreni i këtij himni duhet të jetë motoja e Vitit të Mëshirës”, që në latinisht është “Misericordes sicut Pater”. Është citim nga kapitulli VI i Shën Lukës, në të cilin Jezusi thotë: “Bëhuni të mëshirshëm sikurse Ati juaj”. Pastaj, brenda strofave, që janë katër, më është kërkuar të vendos një frazë të shkurtër, që përsëritet lehtësisht, edhe ajo në latinisht: “In aeternum misericordia eius”, mëshira e Tij, e Atit Qiellor, është për amshim. E ky është një citim nga Psalmi 135 apo 136, ai Psalm që e ka këtë frazë në të gjithë tekstin, nga kreu në fund. Do ta përkthenim: “E amshuar do të jetë dashuria jote për ne”.

         Himni mësohet shpejt, sepse është i shkurtër e ka një muzikë, që këndohet lehtë. Natyrisht, e keni bërë qëllimisht këtë…

         Sigurisht, ky ishte synimi! Nga pikpamja e muzikës, dua të kujtoj se dikasteri për Ungjillëzimin e Ri, në konkursin për kompozimin muzikor të këtij teksti, ua ka dërguar 90 kompozitorëve nëpër botë. Prej tyre, 21 u përgjigjën. Ndër këta 21, u zgjodh njëri, Paul Inwood, i cili është kompozitor laik anglez, i mirënjohur në Anglinë katolike. Si i tillë, e kupton fare mirë ç’do të thotë të kompozosh me një synim të caktuar, jo “për engjëjt e kryeengjëjt”, por për një asamble konkrete jo profesionistësh, për njerëz, që këndojnë, sepse janë mbledhur për t’u lutur e për të kënduar! Prandaj, kompozoi këtë muzikë vërtet të thjeshtë, por të hartuar mirë. Refreni “Misericordes sicut Pater” të hyn në vesh tri sekonda pasi e ke dëgjuar. E pastaj, në strofa, përsëritja e frazës “In aeternum misericordia eius” i është besuar melodive të vogla, që mësohen menjëherë.

         Si lidhet tema e mëshirës me përvojën tuaj muzikore?

         Përgjigjja për këtë pyetje mund të jetë vetëm një akt besimi e shprese që ai, i cili i këndon këto fjalë, të hyjë më thellë në misterin e mëshirës. Prandaj, katër strofat i drejtohen: e para, Atit Qiellor; e dyta, Birit të Hyjit; e treta, Shpirtit Shenjt dhe; e katërta, mbledh të gjitha temat së bashku. Qëllimi i një kënge liturgjike është gjithnjë ta ndihmojë atë, që e këndon, të hyjë në veprimtarinë, ku merr pjesë. Nga pikpamja rituale, himni synon të jetë një këngë procesioni, pra t’i shoqërojë njerëzit në një procesion të gjatë. Për shembull, mund të jetë hyrja apo fillimi i meshës, ose i një kremtimi tjetër me shumë njerëz, besimtarë e klerikë. Kjo muzikë ka një ritëm të qetë, por të saktë, që i ndihmon besimtarët të ecin në fe e në shpresë.








All the contents on this site are copyrighted ©.