2015-08-06 18:10:00

Papa Pali VI Montini në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik, më 6 gusht kujtojmë përvjetorin e  vdekjes së Papës Palit VI. Si sot, 37-vjet më parë, më 6 gusht 1978, pikërisht në solemnitetin e festës ‘Të Shndërrimit të Jezu Krishtit’, në Kastel Gandolfo vdiste Papa Pali VI.

Papa Pali i VI u thirr ‘nga Provania Hyjnore për të mbajtur timonin e barkës së Shën Pjetrit, Kishës, në një periudhë historike plot sfida problematike, në të cilën u dallua për urtinë e maturinë e tij e sidomos për zellin misionar, që e nxiti të bënte disa shtegtime apostolike, edhe drejt vendeve të largëta, duke kryer gjeste profetike me vlerë të madhe kishtare, misionare e ekumenike'. Ishte i pari papë që shkoi në Tokën Shenjte, duke i treguar kështu Kishës se rruga e misionit të tij niste në gjurmët e Krishtit.
Në fakt, sekreti i veprimtarisë baritore që Pali VI e kreu me përkushtim të palodhshëm, duke marrë nganjëherë vendime të vështira, që nuk patën fare popullaritet, qëndron pikërisht në dashurinë për Krishtin: dashuri që ndjehet thellë në të gjitha mësimet e tij. Shpirti i tij prej bariu ishte i rrëmbyer nga tensioni misionar, i ushqyer nga dëshira e sinqertë për të dialoguar me njerëzimin. Ftesa e tij profetike, e propozuar shumë herë, për të rinuar botën e trazuar nga shqetësimet e dhuna përmes qytetërimit të dashurisë, lindte nga besimi i plotë në Jezusin, shpëtimtarin e njeriut.
E emri i këtij Pape, Palit VI që opinioni publik ia kuptoi madhështinë vetëm kur vdiq mbetet i lidhur posaçërisht me Koncilin II të Vatikanit. Në se ishte ai Gjoni XXIII që e thirri dhe e filloi Koncilin e II të Vatikanit, i takoi Palit VI, pasardhësit, ta çojë përpara me dorë të mësuar, delikate e të vendosur. Jo më pak e vështirë ishte për Papën Montini ta drejtonte Kishën në periudhën pas-konciliare. Nuk ia lejoi vetes të kushtëzohej nga keqkuptimet e kritikat, ndonëse iu desh të duronte vuajtje e sulme, nganjëherë të tërbuara, por mbeti, në çdo rrethanë, timonier i vendosur e i urtë i barkës së Pjetrit .

Me kalimin e viteve del gjithnjë më shumë në pah rëndësia që pati për Kishën e për botën papnia e Palit VI, e jo më pak, edhe vlera e magjisterit të tij të lartë, nga i cili u frymëzuan pasardhësit e tij, duke e përfshirë edhe Benediktin e XVI e Atin e Shenjtë Françeskun.








All the contents on this site are copyrighted ©.