2015-08-06 15:30:00

Papa dërgon kard. Parolin në Timorin Lindor për 500 vjetorin e krishterimit


Pritje e madhe në Shtetin e vogël aziatik të Timorit Lindor për festimet e ardhshme të 15 gushtit, në solemnitetin e Të Ngjiturit të Marisë Virgjër në Qiell, që sivjet i kushtohen pesëqind vjetorit të ungjillëzimit të Vendit. Me këtë rast Papa Bergoglio i ka dërguar një letër kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit, të cilin e ka emëruar Delegat papnor për kremtime që janë programuar në kryeqytetin e Timorit Lindor, Dili.
“Është punë e drejtë dhe rast i volitshëm që kjo ngjarje të përkujtohen në mënyrë të denjë”, nënvizon Papa Françesku në Letrën e tij, duke kujtuar memorien e “misionarëve guximtarë” domenikanë, të cilët plot “guxim bënë një udhë të gjatë”, duke kapërcyer “vështirësi të panumërta” për t’u sjell Ungjillin këtyre popullsive, kur më 1515 mbërritën në pjesën lindore të ishullit të Timorit, asokohe kolonizuar nga portugezët. Kur më 1975 arriti Pavarësinë e vonshme, Timori Lindor pësoi menjëherë një pushtim tjetër nga Indonezia, e cila okuponte pjesën tjetër të ishullit, duke nxitur kështu luftëra të reja të përgjakshme për liri. Asgjë nuk shërbyen dënimet e OKB-së dhe të komunitetit ndërkombëtar për të shmangur represionin e ashpër të Xhakartës edhe mbi popullsinë civile, pjesa më e madhe e së cilës është katolike, deri në Administrimin e kontrolluar nga ana e Kombeve të Bashkuara, nga viti 1999 deri më 2002, kur më në fund qe shpallur Republika demokratike e Timorit Lindor.
Që atëherë – u kujtonte Papa ipeshkvijve të Vendit ardhur në Romë për vizitën ad Limina Apostolorum – “pas lindjes së shumëpritur të atdheut tuaj” “nuk munguan të papriturat e dhimbshme që përjetoi kombi, me Kishën, e cila kujtonte bazat e domosdoshme të një shoqërie që synon të jetë e denjë për njeriun dhe për fatin e tij trashëndental”. Nga këtu edhe porosia e Papa Françeskut drejtuar Kishës së vendit, e cila duhet të “jetë ndërgjegjja kritike e kombit, e pikërisht për këtë, duhet ta ruajë pavarësinë e duhur nga pushteti politik, në një bashkëpunim të drejtpeshuar, që i mundëson asaj të ketë përgjegjësinë e së mirës së përbashkët të shoqërisë dhe atë ta promovojë” kurdoherë. Kishës – vëren Papa Françesku – t’i lihet “liria e kumtimit të Ungjillit në tërësi, edhe atëherë kur shkon kundër rrymave të momentit, duke mbrojtur kështu vlerat që ka marr e ndaj të cilave duhet të jetë besnike”. Janë po ato vlerat që i frymëzuan ungjillëzuesit e parë të Timorit Lindor pesëqind vjet më parë.








All the contents on this site are copyrighted ©.