2015-08-05 13:27:00

Të pagëzuarit e rimartuar pas dështimit të lidhjes sakramentore, nuk janë të çkishëruar


Në bashkësitë tona është urgjente të mikpriten vërtetësisht njerëzit që, në vijim të dështimit të pandreqshëm të lidhjes së tyre martesore, kanë krijuar një lidhje të re. Papa Françesku rikthehet, kështu, tek tema e familjeve të plagosura e flet për vëmendje të veçantë ndaj njerëzve, që u plagosën në “dashurinë e tyre”:

“Është e nevojshme mikpritja vëllazërore, me vëmendje, dashuri e vërtetësi, për të pagëzuarit, që krijuan një bashkëjetesë të re pas dështimit të martesës sakramentore. Këta njerëz nuk janë aspak të çkishëruar; nuk janë, e nuk duhen trajtuar si të tillë; ata vijojnë të bëjnë pjesë në Kishë”.

Kujdes fëmijët, më të vegjlit

Papa e përsëriti, edhe në spanjisht, duke pohuar se nuk bëhet fjalë për të çkishëruar, siç mendojnë disa. Më pas ftoi për t’i shikuar lidhjet e reja me sytë e  bijve më të vegjël, me sytë e fëmijëve:

“Prandaj është e rëndësishme që stili i bashkësisë, gjuha me të cilën flet, sjelljet e saja, të jenë plot me vëmendje për njerëzit, duke u nisur nga më të vegjlit. Ata vuajnë më shumë se të gjithë në këto situata që krijohen në familje”.

Kisha nënë është gati të dëgjojë e të mirëpresë

Nga ana tjetër, pyeti Papa, si mund të këshillohen prindërit t’i edukojnë fëmijët për jetë të krishterë, duke u dhënë shembullin e një feje të bindur e të praktikuar, nëse ne, pastaj, do t’i mbanim larg nga jeta e bashkësisë, si të ishin të përjashtuar nga radhët e Kishës?

“Duhet të sillemi në mënyrë, që të mos shtojmë barrë të reja, mbi ato, që mbartin mbi shpinë fëmijët, në situata të tilla! Për fat të keq, numri i këtyre fëmijëve e të rinjve është vërtet i madh. Ka rëndësi, prandaj, që ata ta ndjejnë Kishën si nënë, plot vëmendje për të gjithë, gjithmonë gati për  dëgjim e për takim”.

Kisha nuk është as e pandjeshme e as përtace

Foli për rolin e Kishës, pastaj Papa, duke cituar si Gjon Palin II, që ftonte për të dalluar të ndarin, nga shkaktari i ndarjes, ashtu edhe Benediktin XVI, që këshillon shoqërimin e urtë baritor. Kisha, nënvizoi Françesku, në këto dhjetëvjeçarë, nuk ka qenë as pandjeshme e as përtace. Pa harruar   se këto realitete janë në kundërshtim me Sakramentin e krishterë, në të është thelluar shumë vetëdija e mirëpritjes, sepse shikimi i saj prej  mësueseje buron nga një zemër nëne, që kërkon veç të mirën dhe shpëtimin  e njerëzve:

“Prej këndej, ftesa drejtuar Barinjve që ta shprehin haptas e pa lëkundje gatishmërinë e bashkësisë për t’i mikpritur e për t’i inkurajuar, që ta jetojnë e ta zhvillojnë gjithnjë më shumë përkatësinë e tyre  ndaj Krishtit e Kishës me lutje, me dëgjimin e Fjalës së Zotit, me ndjekjen e liturgjisë, me edukimin e krishterë të fëmijëve, me bamirësinë e shërbimin ndaj të varfërve, me angazhimin për drejtësi e paqe”.

Kisha është Nënë, nuk i mbyll kurrë portat    

Nxitja e Papës - duke u nisur nga Këshillimi Apostolik Evangelii gaudium - është që njerëzit e Kishës të frymëzohen nga ikona biblike e Bariut të Mirë, sipas misionit që Jezusi e mori nga Ati: “Të japë jetën për delet e  veta”:

“Një sjellje e tillë është model edhe për Kishën, që i mbledh bijtë si nënë e që jep edhe jetën për ta. Kisha është e thirrur të jetë gjithnjë shtëpia e hapur e Atit, që nuk i mbyll kurrë portat! Kurrë! Të gjithë mund të marrin pjesë, në një farë mënyre, në jetën kishtare, të gjithë mund të bëjnë pjesë në bashkësi. Kisha është shtëpia atërore, ku ka vend për secilin, me jetën e vet të mundimshme”.

Kujdes familjet e plagosura

Misioni, që u është besuar familjeve të krishtera është, atëherë, të kujdesen për familjet e plagosura, duke i shoqëruar në jetën e fesë e të bashkësisë:

“Secili të bëjë pjesën e tij, duke  ecur në gjurmët e Bariut të Mirë, që i njeh një për një delet e veta e nuk e përjashton asnjërën nga dashuria e tij e pafundme”.

Përshëndetjet

Në përshëndetjet përfundimtare, ndërmjet tjerësh, Papa kujtoi motrat polake të Kongregatës së Shën Elizabetës si dhe të gjithë rregulltarët, duke i porositur të përfitojnë nga koha e pushimeve për të marrë pjesë në takime e ushtrime shpirtërore, duke thelluar lidhjen e tyre me Krishtin dhe angazhimin në bashkësi e në Kishë. Përshëndeti, më pas, edhe  pjesëmarrësit në Mitingun ndërkombëtar ‘Të rinjtë drejt Asizit’, Ministrantët e dioqezave të Palermos e të Trevizos, të rinjtë e Festivalit të Koreve Folklorike dhe shoqatën “Solidaritet me Popullin Saharawi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.