2015-08-05 14:05:00

Mesazh i Papës: para sfidave morale, të mbështesim martesën burrë-grua


Të promovohet martesa ndërmjet një burri e një gruaje, ndërsa vetë institucioni është në shënjestër të forcave të fuqishme kulturore. Kështu i shkruan Papa Françesku Kalorësve të Kolombit, të cilët janë mbledhur që dje, në Filadelfia të SHBA-ve, në kuvendin e tyre vjetor. Mesazhi i Atit të Shenjtë mban firmën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, e ndiqet nga mesazhet e presidentit amerikan Barak Obama dhe atij të presidentit kanadez Stephan Harper. Kalorësit, takimi i të cilëve përfundon nesër, më 6 gusht, kanë nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve në ndihmë të të krishterëve të persekutuar në Lindjen e Mesme.

“Ndërsa përgatitet të vizitojë Filadelfian muajin e ardhshëm për Takimin e tetë Botëror të familjeve, - shkruan kardinali Parolin – Ati i Shenjtë shpreh vlerësimin e tij të thellë për dëshminë e vazhdueshme publike që ka dhënë Urdhëri juaj për kuptimin e krishterë të martesës e të familjes. E ngritur nga Shëlbuesi në dinjitetin e sakramentit, martesa është, në planin e Krijuesit, një institucion i natyrshëm, një pakt dashurie dhe besnikërie ndërmjet një burri e një gruaje, që synon përsosjen dhe shenjtërimin e tyre si edhe siguron të ardhmen e familjes sonë njerëzore”.

Institucioni i martesës sulmohet nga forca të fuqishme kulturore

         Sot, vijon teksti, ndërsa institucioni i martesës sulmohet nga forca të fuqishme kulturore, besimtarët janë të thirrur të dëshmojnë këtë fe të thjeshtë biblike e ligj të natyrës, që është thelbësor për rendin e urtë e të drejtë të shoqërisë. Duke pasur parasysh temën e këtij viti “Të pajisur nga Krijuesi me jetë e liri”, Ati i Shenjtë u kërkon katolikëve amerikanë të kontribuojnë në mbrojtjen e atyre lirive, mbi të cilat është themeluar kombi i tyre. Guri themeltar është pikërisht liria fetare, kuptuar jo thjesht si liri e kultit, që secili zgjedh për vete, por si liri e njerëzve dhe e institucioneve për të folur e vepruar sipas ndërgjegjes.

 “Në masën me të cilën kjo liri kërcënohet nga sulme politike publike, ose nga ndikimi në rritje i një kulture, që i vë të ashtuquajturat ‘të drejta personale’ mbi të mirën e përbashkët, duhet të mobilizohen ndërgjegjet e atyre qytetarëve që, pavarësisht nga partia apo feja, shqetësohen për mirëqënien e tërësishme të shoqërisë. Ati i Shenjtë – nënvizon mesazhi – ka shpresë se programi i katekizmit dhe i lutjes, që Kalorësit e Kolombit kanë përuruar në prag të Sinodit për Familjen e të Takimit Botëror të Familjeve, do të kontribuojë për këtë dëshmi profetike”.

Liria e nëpërkëmbur e të krishterëve të persekutuar

 Ati i Shenjtë kujton më pas lirinë e nëpërkëmbur të të krishterëve të persekutuar, duke i falenderuar Kalorësit për solidaritetin e tyre ndaj familjeve të refugjatëve të krishterë, për të cilët kanë krijuar edhe një fond të veçantë. Papa Françesku, shkruan kardinali Pietro Parolin, “i bën thirrje urdhërit tuaj për lutje të vazhdueshme, në familje, në famulli e në bashkësitë lokale, për këta vëllezër e motra, të goditura nga dhuna fanatike e nga intoleranca”. Ati i Shenjtë u kërkon Kalorësve të Kolombit të impenjohen edhe për njohjen e gjithmbarshme të të drejtave themelore të njeriut, të cilat nuk garantohen nga shteti, por nga dora e Krijuesit, që të gjithë besimtarët e lusin si “Zoti i paqes”.








All the contents on this site are copyrighted ©.