2015-08-05 12:12:00

Kushtimi i Bazilikës së Zojës së Madhe. Ashtu si Maria, t’ia dhurojmë Krishtin botës.


Sot më 5 gusht, kalendari kishtar kujton festën e Kushtimit apo të shugurimit të  Bazilikës Papnore romake të Shën Marisë së Madhe. Është shenjtërorja mariane më e lashtë e Perëndimit, ndërtuar me urdhrin e Papës Siksti III, pak pas Koncilit të Efezit në vitin 431, kur Maria u shpall solemnisht Nëna e Zotit. Përkujtimi i Kushtimit të këtij Tempulli kushtuar Nënës së Zotit, shoqërohet me shiun tradicional të petaleve të bardha, në përkujtim të mrekullisë së dëborës. Prej këndej festa njihet edhe si Zoja e Dëborës. Riti tradicional i shiut të petaleve të bardha që reshet nga tavani i bazilikës, për të flauruar ngadalë mbi altarin e Rrëfimit, sipas traditës, kujton dëborën, që flokoi mrekullisht mbi lagjen romake të Eskuilinit në pikën e vapës së gushtit, shndërruar papritur në dimër të acartë. Ishte data 5 gusht e vitit 358.

Në agimin e kësaj dite, Virgjëra Mari i qe dukur në ëndërr Papës Liberi, duke e paralajmëruar për dëborën e duke e porositur të ndërtonte pikërisht aty, një Kishë. Papa i Romës e ndërtoi. Ishte Kisha e parë e njohur me emrin ‘liberiane’, për nder të Papës. Pikërisht mbi këtë tempull, të rrënuar nga stuhitë e moteve të mugëta, plot luftëra e sëmundje shfarosëse, në shekullin V, Papa Siksti III lartoi Bazilikën aktuale, për të përkujtuar përfundimin e Koncilit Kishtar të Efezit. Ishte ky Koncil që, në vitin 431, i rinjohu Marisë titullin Theotòkos, “Nëna e Zotit”.

Po pse, ndërmjet të gjitha grave, që u endën e vijojnë të enden në rrjedhë shekujsh nëpër rruzullin tokësor, Hyji zgjodhi pikërisht Marinë e Nazaretit? Sipas një shpjegimi të Benediktit XVI “përgjigjja e kësaj pyetjeje fshihet në misterin e pamatshëm të vullnetit hyjnor, por edhe Ungjilli vë në dukje një arsye të kësaj zgjedhjeje: përvujtërinë e Marisë. Po, Zoti u tërhoq nga përvujtëria e Marisë, që e pranoi Krishtin me fe e ia dhuroi botës me dashuri. Kjo është edhe thirrja jonë, misioni ynë, thirrja e misioni i vetë Kishës: ta pranojmë Krishtin në jetën tonë e t’ia dhurojmë edhe botës, që bota, përmes Tij, të shëlbohet” (Gjn. 3,17) (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 8 dhjetor 2006). 

Papa i nderit Benedikti XVI kujton se edhe poeti madh Dante Aligeri, në ‘Komedinë Hyjnore’, e pikërisht në Këngën e fundit të Parajsës, vë theksin pikërisht mbi përvujtërinë e Marisë, për të cilën shkruan vargjet, që arrijnë një nga kulmet e letërsisë botërore: “Virgjër e Nënë, ti bija e tënd Biri, / ti e përvujtë e e lartë përmbi krijesat të tëra/… Pikërisht kjo Virgjër, e bekuar mbi të gjitha gratë, në ‘Magnificat’, thotë: “Shpirti im madhëron Zotin… sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë”.

Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij. U bë, kështu, Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore. Po vetë Maria thua ia bëri vetes pyetjen pse Krishti deshi të lindte në varfëri të plotë e nga një vashë e thjeshtë, si ajo?

Duhet t’ia ketë bërë. Për të marrë edhe përgjigjen, në një çast tejet tragjik, pasi e kishte mbyllur në varr trupin e të Birit, të mbështjellë me çarçafin e vdekjes. “Atëherë e kuptoi plotësisht misterin e varfërisë së Zotit. E kuptoi se Zoti ishte bërë i varfër për ne, që të na pasuronte me varfërinë e tij plot dashuri, të na nxiste t’i vëmë fre babëzisë së pangopur për pasuri, lakmisë së shëmtuar për pushtet, që shkaktojnë luftëra, shkatërrime, mëri, përçarje. Ishte bërë i varfër, që të na bënte më njerëzor, më të aftë për ta ndarë pasurinë me drejtësi e për të jetuar me frymën e dashurisë për të afërmin”( Benedikti XVI Homelia, 1 janar 2009).

Hyji deshi të ishte “Zoti- me-ne” e deshi edhe të kishte një nënë, që është edhe nëna jonë, nënë qiellore, por jo e largët. “Pikërisht pse është me Zotin e në Zotin, është edhe fare pranë secilit nga ne. Na i njeh zemrat, mund të na i dëgjojë lutjet, të na ndihmojë me mirësi amëtare... sepse, duke qenë Nënë e Birit, merr pjesë edhe në pushtetin e Birit”(Benedikti XVI Homelia, 15 gusht 2005).

Zoti, mbi të gjitha gratë, zgjodhi Marinë për të përmbushur planin e tij hyjnor. E zgjodhi për një mision të pashembullt: për të qenë Nënë e Birit të tij, të bërë njeri e, si pasojë, e ruajti nga çdo mëkat i rrjedhshëm. Burim drite shpirtërore, shprese e ngushëllimi, ky mister. “Në mes të provave të jetës e sidomos, të kontradiktave, që provon njeriu në shpirtin e vet e rreth vetes, Maria, Nëna e Krishtit, na kujton se hiri është më i madh se mëkati; mëshira e Zotit, më e fuqishme se e keqja, të cilën ajo di ta shndërrojë në të mirë. E keqja nuk është aspak e huaj për ne: dashur pa dashur, e takojmë çdo çast, na shfaqet me njëmijë mënyra e me njëmijë fytyra, në marrëdhëniet me të tjerët e në ngjarjet e përditshme, duke na kujtuar se rrënja e saj është në zemrën e njeriut, zemër e plagosur, e sëmurë, e paaftë për t’u shëruar vetë”(Benedikti XVI Lutja e Engjëllit të Tënzot, 8 dhjetor 2010).

Në se në zanafillë të çdo së keqeje, është rebelimi kundër vullnetit të Zotit e vdekja merr në dorë sundimin, sepse liria njerëzore dorëzohet përballë tundimeve të Djallit, kjo nuk do të thotë se Zoti e ka harruar planin e tij të dashurisë e të jetës. Përmes rrugës së pajtimit – na siguron Benedikti XVI – Ai lidh një besë të re e të amshuar, të cilën e vulos me gjakun e Birit të vet të vetëm, që për t’u flijuar në shpërblim të mëkateve tona, “lindi nga gruaja”. Kjo grua, Virgjëra Mari, përfitoi e para nga vdekja shëlbuese e të Birit e, që nga zënia, u ruajt nga çdo njollë mëkati. Prandaj, me zemrën e saj të papërlyer, Ajo na thotë: besojini Jezusit, Ai do të na shpëtojë.








All the contents on this site are copyrighted ©.