2015-08-05 14:11:00

70-vjetori i bombardimit atomik. Ipeshkvijtë e Japonisë: edukim për paqen


Hiroshimë, Japoni, ora 8.15 e datës 6 gusht 1945: SHBA-të përdorin bombën e parë atomike për qëllime luftarake në historinë e njerëzimit (Little boy), duke e lëshuar mbi një qytet të banuar.  80 mijë të vdekur e 40 mijë të plagosur, të cilëve u shtohen 13 mijë të humbur e, në vitet që do të vinin, edhe një mori mortesh të tjera, për shkak të pasojave të rrezatimeve radioaktive: 250 mijë viktima gjithsej. Tri ditë më pas, më 9 gusht, nga një avion amerikan zbret mbi Nagasakin “Fat man”, bomba e dytë atomike. 70 mijë viktima të reja  deri në fund të vitit 1945  e  70 mijë të tjera, në vitet që do të vinin. Ky, kuadri dramatik, që Japonia po e kujton 70 vjet pas njërës nga ngjarjet më tronditëse e më të diskutuara në historinë e Planetit.

Të kontribuohet për paqen, por jo me armë

Për këtë rast, ipeshkvi i Niigatës, kryetar i Karitasit të Azisë, imzot Tarcisius Isao Kikuchi, botoi një mesazh, në të cilin nënvizon se Japonia mund të japë ndihmesën e vet për paqen, jo duke përdorur armë të reja, por me veprimtaritë e saj fisnike, që mund të ndikojnë fuqimisht në zhvillimin botëror, në mënyrë të veçantë, të vendeve më të prapambetura. Besoj, shkruan prelati, cituar nga Asianews, se ky kontribut për zhvillimin, me respekt të plotë ndaj dinjitetit njerëzor, do të vlerësohej e do të respektohej shumë nga bashkësia ndërkombëtare.

Nga 6 deri më 15 gusht “Dhjetë ditë lutje për paqen”

Vera, e në mënyrë të posaçme muaji i gushtit, është periudha më e përshtatshme për të kundruar e për të vepruar në favor të Japonisë, vijon imzot Kikuchi, duke kujtuar se pas thirrjes, që pati bërë në Hiroshimë Gjon Pali II, më 25 shkurt 1981, Kisha katolike vendosi të caktojë një periudhë, nga 6 deri më 15 gusht, për t’ia kushtuar lutjes për paqen. Sivjet - shpjegon prelati - përkujtojmë 70-vjetorin e përfundimit të luftës: të gjithë ipeshkvijtë katolikë e ata anglikanë  ishin bashkë sot, 5 gusht, për t’u lutur në katedralen e Hiroshimës.

Barinjtë, si të tillë, kanë një thirrje të posaçme në favor të paqes. E kjo thirrje nuk bazohet mbi asnjë ideologji politike. Ne, nënvizojnë prelatët, vijojmë të lutemi për paqen, me bindjen se paqja nuk është argument politik, por fakt njerëzor.  








All the contents on this site are copyrighted ©.