2015-08-04 14:53:00

Papa Françesku takon ministrantët


Rreth 12 mijë ministrantë mbushën sot Sheshin e Shën Pjetrit, që në orët e para të pasdites, duke pritur me lutje, këngë e dëshmi, takimin me Papën Françesku, në orën 18.00, për mbrëmësoret. Të shoqëruar nga kryetari i Organizatës botërore të Ministrantëve, ipeshkvi hungarez Lazlo Nemet, të rinjtë nga mosha 14 deri në 30 vjeç, reflektuan mbi fjalët e Isaisë profet “Ja, më dërgo mua!”, kuptuar si rast për t’ua hapur zemrën të tjerëve e për të bërë një copë udhë me ta.

Së bashku me Atin e Shenjtë, ministrantët dëgjojnë pjesën biblike, që flet pikërisht për çastin kur Isaia ka një vizion, i cili e bën të kuptojë madhështinë e Zotit, si Ai që bën hapin e parë drejt njeriut, duke e bërë të aftë për mision e për t’iu përgjigjur thirrjes së tij me fjalët e profetit, temë e shtegtimit të sivjetëm të ministrantëve.

E është pikërisht ky, kuptimi më i thellë i takimit të ministrantëve me Papën Françesku, i cili i nxit gjithnjë të dalin në kërkim të të tjerëve, duke e lënë Zotin të veprojë përmes tyre me Mëshirën e Tij Hyjnore. Pra, dëshiron që ata të bëhen misionarë.

Kjo e sotmja është veprimtaria e parë e Papës Françesku, pas një periudhe të shkurtër pushimi. Po kësaj jave, Ati i Shenjtë fillon edhe audiencat e përgjithshme të së mërkurës, ndërsa të premten, në Sallën Pali VI, do të takohet me Lëvizjen Eukaristike rinore. Të shtunën, më 8 gusht, Papa do të përtërijë “takimin e tij radiofonik” me emitenten e famullisë së Virgjërës së Karmelit, në qytetin argjentinas të Campo Gallo y Huachaca, në të cilin edhe vetë famullitari u flet shumë besimtarëve përmes radios, pasi zona është tepër e shtrirë. Kujtojmë se Papa foli për këtë radio edhe vitin e kaluar, gjithnjë më 8 gusht. Duke konfirmuar takimin e sivjetëm, famullitari, atë Joaquin Giangreco, përmendi faktin se radioja është ngritur me ndihmën e kardinalit të atëhershëm Jorge Mario Bergoglio, Papës aktual.








All the contents on this site are copyrighted ©.