2015-08-04 17:01:00

Ipeshkvijtë e SHBA-ve lavdërojnë planin kundër ndotjes atmosferike


“Hap i rëndësishëm përpara për të mbrojtur shëndetin e njerëzve, sidomos të fëmijëve, të moshuarve, të varfërve dhe bashkësive të brishta, nga ndotja e atmosferës dhe nga pasojat e dëmshme të ndryshimeve të klimës”: ky është komenti i kryetarit të Komitetit për drejtësinë dhe zhvillimin njerëzor në Konferencën Ipeshkvnore të SHBA-ve, imzot Thomas Wenski, për planin e uljes së ndotjes, paraqitur dje nga presidenti amerikan, Barak Obama.

Përgjegjësi për mbrojtjen e Gjithësisë

Thelbi i projektit është reduktimi i dioksidit të karbonit në atmosferë në masën 32% më shumë se në vitin 2005, brenda vitit 2030. “Ipeshkvijtë – nënvizohet në deklaratë – e vlerësojnë këtë vendim të rëndësishëm për të ngadalësuar ndryshimin e klimës e për të mbrojtur shëndetin publik, sepse ai përfaqëson një mënyrë domethënëse për të marrë përsipër përgjegjësinë në kujdesin për gjithçka të krijuar nga Zoti”.

Përmendet “Lëvduar qofsh” e Papës Françesku

Për t’u kujtuar se në muajin qershor, imzot Wenski i pati shkruar një letër të hapur Kongresit amerikan, me të cilën i pati kërkuar të mos pengojë miratimin e standarteve të reja të emetimit të dioksidit të karbonit, duke përmendur Enciklikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, ku Ati i Shenjtë i nxit “të gjithë të kujdesen për gjithësinë e krijuar nga Zoti e për shtëpinë tonë të përbashkët, për të mirën e brezave të tashme e të ardhshme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.