2015-08-02 11:39:00

Shenjtorët e Javës 2 - 9 gusht


E diel 2 gusht, Kisha kremton të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, e po më 2 gusht kalendari përkujton Shën Euzebin nga Verçeli, ipeshkëv dhe shën Pier Xhulian Ejmard-in, themelues i Sakramentinëve. Në liturgjinë e kësaj dite, buka që Jezusi shumëfishon për të ushqyer turmën, e cila e dëgjon me fe është simbol i asaj që Krishti do t’u japë besimtarëve në Kishën e vet.

Të nënën më 3 gusht, kujtohen shën Lidia, dishepulle e Shën Palit, shën Asprenati e shën Eufroni. Liturgjia e ditës kujton se Zoti rindërtoi Sionin dhe u duk në gjithë shkëlqimin e vet. Deti, në Bibël, konsiderohet si një fuqi e tmerrshme dhe është simbol i forcave që kërcënojnë botën. Jezusi, jo vetëm e dominon atë, por bën që edhe të tjerët të marrin pjesë në këtë dominim, kur kanë besim në Të.

Të martën më 4 gusht, bie përkujtimi i famullitarit të shenjtë të Arsit, shën Gjon Maria Vianejt, pajtor i klerit, shembull i përdorur nga Papa për Vitin Meshtarak. Liturgjia e ditës na mëson se Zoti na ruan, siç bën bariu me grigjën e vet. Jezusi i respekton etapat e misionit të marrë nga Ati: shpall mbretërinë e Hyjit dhe u jep mision dishepujve tua shpallin atë paganëve. Por kur feja hap zemrën e zgjon lutjen e përvuajtur, të gjitha etapat mund të digjen.

Të mërkurën më 5 gusht, bie përkujtimi i kushtimit të Bazilikës romake të Zojës së Madhe, i shën Emidit, dhe i shën Osvaldit.Liturgjia e ditë na kujton se Jezusi është Mesia, që Zoti e ka dërguar në popullin e vet, është shërbëtori i Hyjit që shkon drejt vdekjes për të plotësuar misionin e tij të shëlbimit.

Të enjten 6 gusht më gusht, Kisha katolike kremton festën e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. I rrethuar nga Moisiu e Elia, Jezusi duket si mbret-mesi, profet-shërbëtor, biri i njeriut. Me zërin e vet, Hyji njeh Birin para apostujve, duke i përgatitur kështu të kapërcejnë me fe shkandullin e Mundimeve në Kryq.

Të premten më 7 gusht, kalendari kishtar përkujton shën Sikstin II, papë me shokë, të gjithë martirë, shën Donatin e shën Gaetanin nga Tiene, themelues i Teatinëve. Liturgjia na kujton se në një botë të kërcënuar nga pushteti i së keqes, njeriu është skllav i gjërave. Por e keqja as që do ta prekte, nëse ai do të besonte vërtet në Atë, që është Zoti i së pamundurës. Këtë na kujtojnë shenjtorët e kësaj dite.

Të shtunën më 8 gusht,kalendari kujton shën Dominikun (Dedën) e Guzmanit, meshtar, themelues i Urdhrit të Predikatarëve. Liturgjia na kujton se predikimi e lutja karakterizojnë stilin e Jezusit. Kush ka fe, kush ka besim në të dhe ndjek gjurmët e tij, nuk mund të pushtohet nga frika, as në momente e situata të vështira, madje as edhe në ato të pamundura të jetës. Besimi në Zoti është mbështetje e mburojë për njeriun që shpreson në Të.

Të dielën e ardhshme më 9 gusht, Kisha katolike do të kremtojë të dielën e 19-të gjatë vitit kishtar, gjithnjë më 9 gusht kalendari përkujton shën Terezën Benedikta e Kryqit (Edith Stein), virgjër e martire, shpallur nga Papa Gjon Pali II bashkëpajtore e Evropës, më 1 tetor të vitit 1999. Figurë e jashtëzakonshme, shën Tereza Benedikta e Kryqit ishte rregulltare karmelitane, filozofe e thellë dhe shkrimtare e shkëlqyer. Kësaj shenjtëreshe e cila e flijoi jetën e vet gjatë përndjekjeve naziste, i kërkojmë dhuratën për të na mësuar të dialogojmë me hebrenjtë e me besimtarët e feve të tjera








All the contents on this site are copyrighted ©.