2015-08-02 17:27:00

Pesëmbëdhjetë ditëshi i përgatitjes për festën e Të Ngjiturit e Zojës në Qiell


Mbrëmë, në orën 21.30, në bazilikën romake të Shën Marisë, në Rrugën Lata, nisi, me këngë e lutje, kremtimi, që njihet si “Kreshmët e Nënës së Zotit”: është pesëmbëdhjetë ditëshi i Zojës së Ngjitur në Qiell, që kremtohet së bashku me kishat lindore të ritit bizantin. Pesëmbëdhjetë ditëshi do të përfundojë më 14 gusht, me një mbrëmësore lutjeje, kryesuar nga ipeshkvi ndihmës, Matteo Zuppi. Për këtë liturgji na flet atë Ermanno Toniolo, rregulltar i Shërbëtorëve të Marisë:

Përgjigje: - Nisi muaji marian, për antonomazi, i kishave bizantine, i cili përqendrohet mbi Solemnitetin e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell: për ta kjo është Pashka e Marisë, Nënës së Zotit. Prej këndej kanë edhe periudhën e përgatitjes, që njihet me emrin “Kreshma e vogël”: 14 ditë agjërimi, lutjesh, këngësh, drejtuar Nënës Zotit, ndjekur, pastaj, nga ditë të tjera festive, që mbyllin muajin gusht e vitin liturgjik bizantin. Kjo ka shumë rëndësi, sepse është një nga festat më të ndjera: themelore për Kishat bizantine. E mendoj se nuk është vetëm për Kishat bizantine, por edhe për Kishat e tjera lindore, të cilat e kanë kremtuar gjithnjë këtë festë me shumë solemnitet, si festë e festave: kjo është festa, për antonomazi, e Lindjes.  

Pyetje: - Kjo festë mariane bashkon Lindjen me Perëndimin?

Përgjigje: - Këtë festë mariane Lindja e jeton, perëndimi e importon. Edhe ne dëshirojmë të marrim frymë me dy mushkëritë, për të kënduar të njëjtat këngë, për ta lutur së bashku të njëjtën Nënë të Zotit, për të kremtuar të njëjtat liturgji: pa harruar se struktura liturgjike lindore nuk është ajo perëndimore. Por, ç’është themelore në Lindje? Në Lindje është themelor i ashtuquajturi “kanuni parakletik”, domethënë “paraclisi”, lutja, kanuni, që i lutet Nënës së Zotit, lutje që këndohen, përmendësh, nga të gjithë, gjithnjë, në çdo rrethanë, por në muajin gusht, me solemnitet absolut. Bij lutës, që lartojnë duart, duke kërkuar, si ne, kur themi “Të falemi Mbretëreshë": “Ata sy të mëshirshëm tuajt, silli prej nesh, o Nënë e Zotit”.

Pyetje: - Rëndësia e figurës së Marisë në Kishat lindore?

Përgjigje: - Është themelore! Por këtë mund ta themi jo vetëm për Kishat lindore; është themelore për të gjithë, sepse Maria është në qendër të planit të Atit, është në   qendër të shëlbimit të Birit, është në qendër të Kishës, në qendër të jetës e të vetë botës. Mbasi ajo është Theotókos, Nënë e Zotit. Në Lindje të gjitha dogmat e mëdha kanë lindur atje: Dogma e Amësisë Hyjnore, në Koncilin e Efezit… Por jo vetëm kjo. Sepse Maria ka qenë gjithnjë e pranishme në të gjitha Kishat e në të gjitha bashkësitë lindore. Maria është në zemër të Lindjes së krishterë.

Pyetje: - Ndonjë këshill, që të  përgatitemi sa më mirë për festën mariane?

Përgjigje: - Ata përgatiten me agjërim e lutje, por edhe këto, që kremtojmë ne, janë lutje të thella. E prandaj duhet të lutemi më shumë e ta dëgjojmë më me vëmendje Fjalën e Zotit: kjo është shtesë më perëndimore. Edhe ne mund t’i lartojmë sytë drejt saj, që të jetë - përsëris fjalët e Koncilit -“shenjë e sigurt shprese e ngushëllimi për mbarë popullin shtegtar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.