2015-08-02 15:02:00

Papa: të shkohet përtej nevojave materiale, me Jezusin, bukë e jetës


Me Krishtin, “bukë e jetës” shuajmë urinë shpirtërore e materiale të vëllezërve tanë, duke e kumtuar Ungjillin kudo. Janë fjalët e Papës Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, në praninë e një mori besimtarësh, mbledhur rreth Atit të Shenjtë, pa marrë fare parasysh vapën përvëluese të gushtit. Papa kujtoi edhe festën e Ndjesës së Asizit. E më pas shpjegoi se edhe “turpi” që provojmë gjatë Rrëfimit, është hir e na përgatit për përqafimin me Atin e mëshirshëm.

Jezusi, bukë  e jetës, për të shuar urinë e vëllezërve tanë

Duhet shkuar përtej përmbushjes së menjëhershme të nevojave tona materiale, edhe pse themelore, duke e kapërcyer verbërinë shpirtërore, për ta kërkuar e për ta mirëpritur ushqimin, që mbetet për jetën e pasosur, atë të “Birit të njeriut”. Është nxitja e Françeskut në lutjen e Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës reflektoi për fragmentin e sotëm të Ungjillit të Shën Gjonit. Kujtoi turmën që, pas shumëzimit të bukëve e peshqve, e kërkon Jezusin dhe e gjen në Kafarnao. Edhe ne, pohoi, duhet ta kërkojmë, ta takojmë e ta mirëpresim në zemrat tona Jezusin, “bukën e jetës”, që i jep kuptim e shpresë udhës, shpesh tejet të përpjetë, të ditëve tona.

Kjo bukë jete na u dha si detyrë, që të mundemi edhe ne të shuajmë urinë shpirtërore e materiale të vëllezërve tanë, duke e kumtuar kudo Ungjillin e Krishtit. Pa harruar kurrë se me dëshminë e sjelljes sonë vëllazërore e solidare ndaj të afërmit, e bëjmë të pranishëm Krishtin dhe dashurinë e tij ndërmjet njerëzve.

Të mos mendojmë vetëm për shqetësimet e përditshme

Është Eukaristia, dhurata më e madhe, që shuan urinë dhe etjen e shpirtit e të korpit, kujtoi Françesku, sepse buka, e thyer për shumëkënd nga Krishti, është shprehje e dashurisë së vetë Jezusit:

“Na fton të shikojmë shumë më larg shqetësimeve të përditshme. Na kujton se nuk duhet të mendojmë vetëm për ushqimin, veshmbathjen, suksesin, karrierën. Jezusi na flet për një ushqim tjetër, që nuk prishet e që prandaj, duhet kërkuar e duhet mirëpritur”.

Historia njerëzore, parë në horizontin e amshimit

Papa i ftoi të gjithë të vihen në kërkim të shëlbimit, të takimit me Zotin. Zoti, shpjegoi, dëshiron ta kuptojmë se përtej urisë fizike, njeriu ka një uri tjetër, shumë më të rëndësishme, urinë dhe etjen për jetën, për amshimin, që vetëm Ai mund ta shuajë:

“Jezusi nuk i zhduk shqetësimet, as kërkimin e bukës së përditshme, nuk i zhduk përpjekjet në kërkim të një jete gjithnjë më të mirë. Por Jezusi na kujton se kuptimi i vërtetë i jetës sonë tokësore është, në fund të fundit, amshimi, takimi me Atë, që është dhuratë e dhurues e që na kujton edhe se historia njerëzore, me vuajtjet e gëzimet e saj, duhet parë në horizontin e amshimit, në horizontin e takimit me Të”.

Vuajtje të ndriçuara nga shpresa e takimit me Zotin

Ky takim, vijoi Françesku, i ndriçon të gjitha ditët e jetës sonë:

“Nëse ne mendojmë për këtë takim, për këtë dhuratë të madhe, dhuratat e vogla të jetës, e edhe vuajtjet, shqetësimet, do të ndriçohen nga shpresa e këtij takimi”.

Rrëfejuni, pa kurrfarë droje

Duke uruar që Zoja e Bekuar të na ndihmojë në kërkimin e në ndjekjen e Birit të saj Jezus, bukë e vërtetë, që nuk prishet kurrë e ruhet për jetën e pasosur, pas lutjes mariane Françesku vërejti se sot kremtohet Ndjesa e Asizit, që na kujton se duhet t’i afrohemi Zotit në Sakramentin e mëshirës, e edhe në atë të Kungimit:

“Ka njerëz që  tremben nga rrëfimi, duke harruar se atje nuk takojmë gjykatësin e rreptë, por Atin, pambarimisht të mëshirshëm. Është e vërtetë se kur shkojmë në Rrëfyestore, e kemi sadopak turp. Kjo u ndodh të gjithëve, por duhet të kujtojmë se edhe ky turp  është hir, që na përgatit për përqafimin me Atin, i cili fal gjithnjë e fal gjithçka”.

Duke përshëndetur, ndërmjet tjerësh, shtegtarët e ardhur nga Spanja dhe Italia, posaçërisht shtegtimin me kuaj të  Kryevëllazërisë “Pjesa Guelfe” e Firences, i ftoi në përfundim, të gjithë, të luten për të.

Ndërmjet besimtarëve, në Sheshin e Shën Pjetrit, edhe shoqata “Siria e lirë e demokratike”, me parullën “sirianët, miq të atë Paolos, luten për Papën Françesku”. Mendimi i të pranishëmve, pra, shkoi te atë Paolo Dall’ Oglio, jezuiti italian, për të cilin Papa u lut të dielën e kaluar, dy vjet pas rrëmbimit, duke përsëritur thirrjen për lirimin e tij dhe gjithë të rrëmbyerve të tjerë.








All the contents on this site are copyrighted ©.