2015-08-01 18:18:00

Dom Ndre Mjeda, Mësues Feje e Poezie - në përvjetorin e vdekjes.


Në përvjetorin e vdekjes së dom Ndre Mjedjes(1866 – 1937) po kujtojmë artikullin që jezuitët botuan në revistën e tyre “LEKA” për të nderuar kujtimin e tij, pak ditë pas 1 gushtit 1937, kur Meshtari e Poeti i madh ndërroi jetë. Ky shkrim do tregon se çka përfaqësonte Dom Ndré Mjedja për jezuitët. 

Në Historinë e Letërsisë Shqiptare, Tiranë 1983, fq. 341 për Dom Ndre Mjedjen shkruhet: ... Edhe në çastin e vdekjes e më vonë, klerikët reaksionarë, i mohuan atij nderimin dhe u munduan ta nënvleftësonin, por rinia, që e donte aq shumë, e përcolli në varr me dhimbje...

Pas më se një gjysmë shekulli nga vdekja e Mjedjes, revista LEKA (Vjeta IX, nr.7, gusht 1937) u jep përgjigjen e merituar atyre të cilët hodhën baltë mbi marrëdhëniet e atij që vlerësohet si korifeu i Kolegjit Saverian dhe jezuitëve.
ZI NË FAMILJE TË “LEKËS”
... Dom Ndreu diq!
Ai sot nuk âsht mâ nder né. Që me sot Ai fillon e jeton në né, në kujtimin t’onë, me punën e Vet, me njatë frymë qi ká dijtë me i dhânë vepres së Vet sá me u bâ i padekshëm.
Ai nuk âsht mâ. Lavdet që kurr s’i dote, lavdet qi bota duket se i ruen krejt për vedi, ... lavdet qi vetem deka ua ep të mëdhajvet, ato sot mund të shpërthejnë prej zemrës qi njohti zemrën e Tij, prej mendes qi kupton menden e Tij, prej vepres qi vepron në vepren e Tij.
Ai nuk âsht mâ. Dom Ndreu nuk na ndien. Mundena me folë pá u a ndalë hovin ndiesive t’ona.
Atij, qi kúr shkueme me i urue shtatëdhetëvjetorin - shi në ketë kohë qi po na tokon me kjá per Tê - u kuq prej permallimit e, Vigani u bâ si fëmija kundrejtë nxânësave të Vet, atij mundena me ia sjellë sot fjalën pá droje se po e bâjmë me u kuqë.
E fjalën mâ të parën ia thame na të rijt: “Né na perket me trashigue vepren Tande. Kjé i madh, vepra jote âsht e madhe, por Ti na ké frymëzue, në né ké me gjetë vullndetin e mirë, bashkimin qi na forcon, e kena me dijtë me të shkue per gjurmë.”
Ia thame heshtueshem ndër rrugët e Shkodres, kúr trupi i Tij i ngrîmë randonte mbî duer t’ona qi dridheshin jo njaq prej peshimit sá prej emocjonit qi kishim tuj mendue Kê ishim tuj bajtë. I ndêjem afer n’atë ças Dom Ndreut, mâ afër se kur ishim ndër banka të shkollës e i kena folë me zemër në dorë. Ai kje i yni e na kjém krejt të Tij.
I dhamë besen e besen do t’ia mbajmë.
Dona me i folun prap prej këtyne fletve... dona me i folë prap na, t’i flasë gjithkushi: Kleri, qi u nderue tue e pasë antár të vetin, çdo shqiptár qi ia njeh vëleren Gjuhës së vet e lavrorëve të Sajë.
T’i flasin ata qi dijtën me marrë pjesë me shkrimet e veta private e të shtypuna, në kremtimin e shtatëdhetëvjetorit të Tij.
Leka i hap fletët e veta per miqt e Dom Ndreut!
Leka qi e pat të vetin, krejt të vetin, nëzitsin, ndimtarin, këshilltarin e vet, Leka e gjênë vedin sod vetun pá Tê, nuk ka mâ me e ndie zânin e Tij.
...
S’dij shka t’i tham sod. Sod due me kjá per Tê.
Dom Ndreu diq.
Foli per Tê nji Argjipeshkev, foli nji Kryetár Bashkije: nderë e madhe, por Aj e meritoj.
Pat nji funeral qi e organizoj djelmënija shkodrane pá ndryshim besimi: e para herë ndoshta qi nji dekë bashkon në ketë mënyrë lulen e djelmënisë intelektuale, por Aj e meritoj.
Në dekë, universitarët qi në dhéna të hueja kan mësuesat e vet e qi në Shkoder gjithmonë ngitshin tu Dom Ndreu, e çpallen per mësues të tyne.
Fjalët “Universitarët e Mësuesit” qi ata deshten me shkrue në sheritin e kuq të kunorës, janë fjalë symbolike.
E a s’kje Dom Ndreu me të vertetë Mësuesi i tyne? Në punë të studimeve të nalta, shum e lypen ndimen e Tij. E Aj s’pritoj me e thanë fjalen e vet. E njaty, në atë odë të Jezuitëve të Shkodres qi per né ka me mbetë përherë në kujtim, më atë tavolinë pune mbushë me letra e shkrime gjithnduersh, aty n’atë odë, me orë e orë s’pritote plaku me u dhanë arsye Universitarëve të vet.
E të gjith e çmuen ndimen e Tij.
Kunorat e rrethuen arkivolin e Tij: Argjipeshkvi, kleri, djelmënia e shoqnija deshten me i dhanë shêjin e nderimit.
...
S’dij kúj i ká vojtë neper mend mâ të parit me thânë se Dom Ndreu shkrou pak. Un nuk e dij si gjikohet vepra e madhe: a në sostancë, a në vëllim!
Per me qitë në shtyp shka qiti Dom Ndreu, nuk mundet kurr me u thanë se shkrou pak, thue se nuk ká dashtë me punue mâ.
E prá në vepren e Dom Ndreut vrehet puna e padáme, mendja në tê e shkrime, kultura e thellë në tê e pershîme.
Nuk mundena na me formue nji opinjon qi të na bâjë me mendue se sa punën do ta kish bâ Dom Ndreu po të kishte shkrue mâ shum.
Për me mërrijtë tu shkrimet e Tija qi na kena para sysh, âsht e pamundun mos me e mendue Nierin qi shkrou, nji puntuer të palodhshem, të papushim, të pakursyeshem.
E verteta âsht se Dom Ndreu na ka qitë perpara vetem vepren e persosun. Në ketë veper gjindet kultura e Tij mâ e thélla. Kush historian si Dom Ndreu? Kush lavrues i gjuhës si Aj? Kush klasik si Aj?
Por, pse Aj e muer persypri mundin e zgodh kryeveprat e na i qiti né - tuj na e kursye mundin qi per ketë punë duhet të bâjmë me shkrimtarë të tjerë - vetun per këta të thona se shkrou pak?
Çka shkrou (po flas këtu per lirikë) âsht kryeveper e Tija e e Letrsís shqiptare.
Me e ndjekë per gjurmë, me e studiue e me e çmue vepren e Tij!
Artikulli nënshkruhet: Ales. Është pseudonimi i Profesor Injac Zamputit, i cili do të punonte pranë Atë Valentinit në drejtimin e katedrës që e kishte lënë të zbrazët Poeti e Gjuhëtari i madh.

                               ***************

Si meshtar, dom Ndre Mjeda punoi si famullitar në komunitete të ndryshme kishtare në disa fshatra, ndërsa u lidh me lëvizjen patriotike. Në vitin 1901, bashkë me të vëllain, Imzot Lazër Mjedjen, themeloi shoqërinë "Agimi", e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.
Për veprimtari patriotike autoritetet osmane e arrestuan. Në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit, u zgjodh anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes. Në periudhën e Lëvizjes Demokratike dom Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratik u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift i thjeshtë në Kukël. Në vitet e fundit të jetës ishte mësues i gjuhës shqipe në Shkodër, ku dhe ndërroi jetë në gusht të vitit 1937.
Veprimtarinë poetike dom Ndre Mjeda e nisi që herët. Poema romantike e njohur "Vaji i bylbylit" u shkrua më 1887; në të ndihen fryma patriotike dhe nota përmallimi. Vepra përmbyllej me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Që nga kjo kohë e deri më 1917, kur pa dritën e botimit "Juvenilja", Ndre Mjeda shkroi, por nuk botoi gati asgjë. Të kësaj kohe janë poema tjetër romantike "I tretuni", në të cilën është derdhur malli për atdheun, për njerëzit dhe natyrën e vendit, vjersha "Shtegtari", "Malli për atdhe", "Gjuha shqype", "Bashkonju" etj. Ndre Mjeda hartoi edhe vepra poetike si "Liria", ku gjeti pasqyrim demokratizimi, që, bashkë me patriotizmin, përbën anën më të fortë të botëkuptimit dhe të krijimtarisë së tij.
Fazës së dytë të krijimtarisë së dom Ndre Mjedës, e cila nisi pas Luftës së Parë Botërore, i përkasin poemat "Scodra" dhe "Lissus", ku përmes historisë së lashtë të dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme e popullit tonë dhe sidomos periudha e ilirëve. Në prodhimin poetik të Ndre Mjedës zënë vend edhe vjershat për fëmijë, disa shqipërime të goditura etj, ku tregoi mjeshtëri të rrallë poetike.

Dom Ndre Mjeda dha ndihmën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua edhe në gramatikë, leksikologji, filologji, duke dhënë ndihmesë të shquar në lëvrimin e gjuhës letrare. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit dhe të P. Budit, shkroi për dialektin shqiptar të Istries dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV.








All the contents on this site are copyrighted ©.