2015-07-31 15:24:00

Sulmi kolonëve hebrenj: vdes fëmija palestinez në Nablus. Netanyahu: veprim terrorist.


Një fëmijë palestinez 18-muajsh vdiq natën e kaluar nga flakët që i vënë shtëpinë së tij kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor, në afërsi të Nablus-it, në Cisjordani. Familjarët e fëmijës janë shtruar në spitale në gjendje kritike.
Në njërin prej mureve të shtëpisë së sulmuar janë gjetur disa shkrime në hebraisht, si fjalët “hakmarrje”, “Rroftë Mesia” e një yll i madh i Davidit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e dënoi ashpër këtë episod të tmerrshëm e foli për “akt terroristik”, ndërsa presidenti i Autoritetit kombëtar palestinez Abu Mazen tha se përgjegjësinë e ka qeveria izraelite e për këtë do t’i drejtohet Gjykatës penale ndërkombëtare kundër Izraelit.
“Ky është një akt terrorist, në çdo aspekt të tij dhe shteti i Izraelit ka qëndrim të ashpër e të palëkundur ndaj terrorizmit, pavarësisht se cilët janë autorët e tij”, tha Netanyahu. 
Për Autoritetin Kombëtar Palestinez, Izraeli është drejtpërdrejt përgjegjës për politikën e vet mbi ngulimet dhe ndërtimet në zonë, prandaj për Abu Mazen ekzistojnë fakte për denoncimin e Izraelit në Gjykatën e Hagës për “krime lufte”. Ndërkaq, Hamas i ka ftuar të gjithë banorët e Nablus-it të dalin në shesh për të protestuar pas lutjes së premtes, ndërsa një auto e kolonëve është goditur me armë zjarri në afërsi të Ramallah-ut. Ngjarja tragjike dhe dënimi prerë i Nethanyaut nxjerrin në pah rolin e kolonëve në politikën izraelite.
Por, deklaratat e Netanyahut nuk kanë mjaftuar t’i bindin palestinezët se akti çnjerëzor është thjesht një nismë individuale e një grushti kolonësh hebrenj. Për Organizatën për çlirimin e Palestinës, qeveria izraelite mban “përgjegjësi të plotë për vrasjen brutale të fëmijës, Ali Saad Daëabsha”. 
Vrasja e foshnjës vjen në një kohë përshkallëzimi të tensioneve në rajon. 
Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, grupe kolonësh u përleshën me policinë pasi autoritetet izraelite shkatërruan dy godina në ndërtim për të cilat Gjykata e Lartë kishte dalë në përfundimin se janë ngritur ilegalisht në tokë me pronarë palestinezë. Vdekja e fëmijës mes flakëve që plagosën prindërit dhe vëllain e tij 4-vjeçar Ahmad, ngjason shumë me akte të mëparshme vandalizmi nga ekstremistët hebrenj, pjesë e një “strategjie” që vjen si formë hakmarrjeje ndaj aksioneve kundër ndërtimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor.








All the contents on this site are copyrighted ©.