2015-07-31 14:40:00

Papa u jep ndjesën e plotë shtegtarëve të Udhës Injaciane


Papa Françesku, përmes dy dekreteve të Pendestarisë Apostolike, u jep ndjesën e plotë shtegtarëve, që do të shkojnë në Shenjtëroret e Lojolës e të Manrezës, në Spanjë, gjatë kremtimeve, në Vitin e parë jubilar të Shtegtimit injacian, që nisi sot, për kujtim të Shën Injacit të Lojolës, themelues i Shoqërisë së Jezusit.

Shtegtim rreth 700 kilometra

Jemi duke hyrë në Jubileun e Mëshirës e Papa Françesku, me këtë ndjesë,  i fton besimtarët të vihen për udhë në gjurmët e Shën Injacit të Lojolës, për t’u takuar me Jezusin e mëshirshëm. Është shtegtim i nisur më 2012,  gjatë të cilit përshkohen 700 kilometrat e rrugës gjeografike e shpirtërore të themeluesit të jezuitëve, përmes peizazheve mahnitëse të vendeve baske, Navarrës, La Riojas, Aragonës e Katalonjës.

Shtegtim, për t’u shpërqendruar, për të dalë nga vetja, nga dashuria për vetveten e për të vënë në qendër Jezusin. Shtegtim jo i lehtë, sepse jemi gjithnjë mëkatarë: “Ka ditë të errëta, kujton Papa, e ditë dështimi, e edhe ndonjë ditë rrëzimi. Bie, por nuk duhet të kesh frikë nga rëniet, nga dështimet. Në artin e shtegtimit, ajo që ka rëndësi nuk është të biesh. Rëndësi ka të mos mbetesh i shtrirë përdhe. Rëndësi ka të ngrihesh përsëri në këmbë, sa më shpejt, e  të ecësh përpara me forcën dhe besimin në Zotin, sepse me Jezusin s’ka gjë të pamundur”.

Të ecësh në Kishë e me Kishën

Papa fton për të ecur në bashkësi, me miq. I krishteri nuk është njeri i izoluar: “Me qendërsinë e Krishtit përkon edhe qendërsia e Kishës: janë dy zjarre, që nuk mund të ndahen: nuk mund ta ndjekësh Krishtin, nëse nuk je në Kishë e me Kishën”. Papa Françesku nënvizon rëndësinë e shtegtimit krijues, për të arritur periferitë, të largëtit, por gjithnjë në gjirin e Kishës, me këtë përkatësi, që na jep guxim të ecim përpara, sepse t’i shërbesh Krishtit, do të thotë ta duash Kishën konkrete e t’i shërbesh me bujari e bindje.

Shqetësim i shenjtë

Është shtegtim i shqetë, ky i Shën Injacit, kujton Papa, sepse shikon horizontin, që është lumnia e Zotit: e përshkon kush është në kërkim të vazhdueshëm të Zotit, me një zemër, që nuk pushon kurrë, që nuk kënaqet kurrë. Është shqetësim i shenjtë dhe i bukur, ky!

Të ecësh me  shpirtmadhësi

Françesku të tregon edhe si duhet të vihesh për udhë: “Me shpirtmadhësi”. Kjo do të thotë të kesh një zemër të madhe; zemër, që nuk di ç’është frika; zemër, që synon ideale të mëdha. Pa harruar se është zemër e madhe edhe në gjërat e vogla, të përditshme. Do të thotë të ecësh me Jezusin vëmendshëm, duke dëgjuar atë, që të thotë Zoti çdo ditë. Është, pra, shtegtim që të shndërron e të bën të pyesësh: “A e vë Krishtin në qendër të jetës sime?”. Shtegtim, që e bëjnë njerëz të ligshtë, mëkatarë, të cilët, megjithatë, dëshirojnë “të pushtohen nga Jezusi”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.