2015-07-31 12:45:00

Më se 100 milionë të krishterë të persekutuar. Karitasi: heshtje shqetësuese


Janë më se 100 milionë, të krishterët viktima të diskriminimit, të persekutimit e të dhunës nga ana e regjimeve totalitare ose e ndjekësve të feve të tjera. E denoncon këtë një dosje e Karitasit: të shqetëson heshtja mbi këtë dramë.

Vetëm në Korenë e Veriut në kampet e përqendrimti vuajnë më se 50 deri në 70 mijë të krishterë. Pastaj vijnë Somalia, Iraku, Siria, Afganistani, Sudani, Irani e vende të tjera, ku mijëra të krishterë pësojnë tipe  persekutimi nga më të ndryshmet. Nga nëntori 2013 e deri më 31 tetor 2014, numri i të krishterëve të vrarë për arsye ngushtësisht të lidhura me fenë e tyre, ka arritur në më se 4.300, ndërsa kishat e sulmuara për të njëjtën arsye, janë më shumë se njëmijë. Ndiqet, shpesh me heshtje të thellë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, thellimi shqetësues i intolerancës, që rëndon edhe mbi pakicat e tjera fetare. Dosja ka për qëllim t’u japë zë njerëzve, zërin e të cilëve nuk mund, apo më mirë të themi, nuk, do ta dëgjojë askush, sepse britma e tyre mund të kthehet shpejt në aktakuzë. Ka qëllim, sidomos, ta bëjë të njohur, përmes dëshmish të heshtura, se një mori të krishterësh vijojnë ta ruajnë fenë, duke rrezikuar kokën. I madh, impenjimi i Karitasit për t’i ndihmuar të krishterët e persekutuar, posaçërisht në Irak, ku ndihmohet konkretisht edhe pakica yazide. Në dosje kujtohet se shpesh herë, pas të ashtuquajturave luftëra fetare, fshihen interesa të caktuara politike dhe ekonomike. Ndërsa një mori faktesh dëshmojnë se njerëzit e thjeshtë, të krishterë e myslimanë, e ndihmojnë reciprokisht njëri-tjetrin, madje arrijnë deri në atë pikë, sa të rrezikojnë edhe jetën, për të shpëtuar një njeri, që ka fe tjetër: e kjo, sepse është, në radhë të parë, grua, është burrë, është fëmijë.

Lidhur me numrat tronditës, që lexohen në këtë dosje, të ndjekim komentin e imzot Francesco Soduu, drejtor i Karitasit italian, i cili tetorin e kaluar vizitoi kampin e refugjatëve të Erbilit, në Irak:

Përgjigje: - Këto të dhëna, natyrisht, na shkaktojnë shqetësim të madh e na kujtojnë përgjegjësinë e qeverive dhe të njerëzve: askush nuk mund e nuk duhet të rrijë indiferent!

Pyetje: - Papa Françesku e vë shpesh theksin mbi heshtjen e botës, kur kujtohen viktimat. Si mund të thyhet kjo heshtje e të dëgjohet edhe zëri i të vdekurve, në një botë që nuk do ta dëgjojë as atë të të gjallëve?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, me një informacion të mirë. Fakti është se të dhënat që kanë të bëjnë me persekutimin e të krishterëve, nuk shkaktojnë jehonën e duhur, ose nuk merren aspak parasysh. E kjo për ne është vërtet shqetësuese. Përsa u përket të krishterëve, kemi përgjegjësi të rëndë: të mos harrojmë se janë vëllezërit tanë në Krishtin e kishat e tyre janë motra me tonat. Këtë na kërkuan, gjatë vizitës, që bëmë ndonjë muaj më parë në Erbil. Gjëja e parë, që na kërkuan më shumë, ishte të mos i harronim. Sepse, po t’i shtohet dhimbjes së persektuimit edhe ajo e harresës nga sivëllezërit në fe, kjo do të ishte e padurueshme. E  këtë ne nuk e duam në asnjë mënyrë!

Pyetje: - Ç’mund të bëjë Kisha për t’i ndihmuar këta vëllezër?

Përgjgje: - Nuk duhet t’i fshehë këto të dhëna, duhet të punojë, që t’i marrë vesh gjithë bota, duke i shoqëruar edhe me lutje, me solidaritet, duke i nënvizuar në formimin e fëmijëve e të të rinjve, duke bërë, gjithçka që mund të bëhet. E imzot Warda, ipeshkëv i Erbilit, na kujton se  nuk duhet të merremi vetëm me fjalë, por duhet të mendojmë edhe pë bukën e përditshme të këtyre njerëzve, që vetëm në dioqezën e tij janë më se një milion. Prej këndej, kujdes solidaritetin, edhe më të thjeshtin. Që këtyre njerëzve të mos u mungojë kafshata e përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.