2015-07-30 14:00:00

Udha Injaciane: në gjurmët e shtegtarit të Lojolës


Shtegtimi Injacian, përuruar më 2012, nis një etapë të re në “Vitin e tij Jubilar”, që fillon më 31 korrik, festë liturgjike e Shën Injacit të Lojolës - e përfundon në të njëjtën ditë të vitit 2016. Me këtë shpallje synohet t’i jepet një nxitje e re veprimtarive e të bëhet më i prekshëm pesëqindvjetori  i arritjes së shtegtarit Injac Lojola në Montserrat e në Manrezë (Catalunya). E ky pesëqindvjetor do të kremtohet në vitin 2022.

Shtegtarët mund ta rijetojnë përvojën njerëzore e shpirtërore të Shën Injacit

Itinerari injacian përkon gjeografikisht me një nga Shtegtimet komposteliane, por me disa veçanti, duke pasur parasysh udhën historike, realizuar nga Injaci i Lojolës në vitin 1522, pas shndërrimit të tij shpirtëror, në kërkim të një orientimi të ri për jetën, përmes pendesës e lutjes. Në këtë mënyrë sot, shtegtarët mund ta rijetojnë, me shtegtarin e Lojolës, përvojën e tij njerëzore e shpirtërore.

Një rrugëtim sugjestiv në gjurmët e Shën Injacit

Pikërisht falë shkrimeve autobiografike të Shenjtit, mund ta njohim hollësisht shtegtimin injacian që, duke u nisur nga shtëpia e tij e Lojolës, kalon nëpër Vendet baske, në zonat e Navarrës, në la Rioja, Aragon e Catalunya, për të përfunduar në Manrezë, pas një ndalese në Shenjtëroren e Montserrat. 650 kilometra, gjatë të cilave shtegtari, zakonisht në këmbë, mund të sodisë pejsazhe të ndryshme, shpesh herë mahnitëse, e jo më pak, edhe pasuri të pallogaritshme artistike e kulturore, stile të ndryshme jetese e, madje, dhe ndonjë copë udhe, që të kujton shkretëtirën e mirëfilltë. Organizuesit e shtegtimit injacian kanë parashikuar mundësinë t’u japin shtegtarëve informacionet e duhura, t’u sigurojnë shërbimet ushqimore,  shëndetësore si dhe strehimet e nevojshme. Janë 27, etapat kryesore të shtegtimit, gjatë të cilave shtegtari do të kalojë nëpër udhë qytetesh të mëdha e të vogla.

Synohet të bëhet i njohur ky shtegtim, për të shtuar numrin e shtegtarëve

Organizatorët kërkojnë t’i japin kësaj përvoje shpirtërore e kulturore, publicitetin e nevojshëm, duke menduar për ata që dëshirojnë ta jetojnë, sipas formulës klasike të shtegtimit të krishterë, këtë përvojë të fortë shpirtërore, kulturore e njerëzore. Në vitin 2014 numri i shtegtarëve ishte 200. Shpresohet që shtegtimi injacian i viteve 2015 e 2016 do të ketë hove të reja, edhe numerike, për të arritur kulmet në vitin 2022, kur do të kremtohet 500-vjetori i shtegtimit injacian. Për një informacion të plotë e të përditësuar mund të këshilloheni me faqe e internetit www.caminoignaciano.org dhe me e-mail:info@caminoignaziano.org








All the contents on this site are copyrighted ©.