2015-07-28 12:57:00

Papa të rinjve: mos kini frikë të martoheni. Paglia: i bie shenjës.


“Të dashur të rinj, mos kini frikë nga martesa: Krishti i shoqëron me hirin e Tij bashkëshortët, që mbeten të bashkuar me Të”. Është tweet-i botuar sot nga Papa Françesku në faqen e internetit @Pontifex. Për këtë inkurajim të Papës, tre muaj  para Sinodit për familjen, intervistuam imzotin Vincenzo Paglia, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen:

Përgjigje: - Siç ndodh shpesh, Papa Françesku i ka rënë shenjës. Ne të gjithë, aq më tepër nësa afrohet Sinodi, e dimë sa probleme lidhen me temën e martesës, të familjes. Por nyja kryesore për t’u zgjidhur është pikërisht kjo: për fat të keq shumë të rinj kanë frikë të martohen, jo se janë, si të themi, më keq se dje! Absolutisht jo! Është vetë kultura e kohës, që të tremb, të krijon shqetësim, kur bëhet fjalë për vendime përfundimtare, nga të cilat nuk mund të heqësh më dorë. Papa u përsërit të rinjve: “Mos kini frikë!”. Është për t’u kujtuar se në Bibël ky pohim përsëritet 365 herë, një herë për çdo ditë. Besoj se ky ngulm i përditshëm duhet të ketë jehonë të thellë në mendjen e në zemrën e të rinjve  sepse, po të jesh i lidhur me Jezusin, martesa, bashkimi përgjithmonë, të jep atë qëndrueshmëri, të cilën nuk mund ta japë kurrë një shoqëri gjithnjë në ndryshim.

Pyetje: - Sipas jush, ç’mund të bëjë Kisha për të nënvizuar bukurinë e martesës, kur kultura e kohës të tremb, duke të kujtuar rreziqet dhe pengesat, që duhet të përballojnë të rinjtë në lidhjen për gjithë jetën?

Përgjigje: - Po, unë besoj se Kisha ka një thesar në këtë fushë: thesar shpirtëror, njerëzor, pasuri e pabesueshme! Mendoj se është pak i njohur e, madje, shpesh edhe i harruar. Sot ndjehet nevoja që ta nxjerrim përsëri në dritë, ta ripropozojmë martesën e familjen jo thjesht si rrugë për të ndryshuar jetën personale, por si mënyrë për të ndryshuar vetë jetën e botës. Martesa e familja nuk është  thjesht çështje personale: ka të bëjë me mbarë shoqërinë, me gjithë botën!








All the contents on this site are copyrighted ©.