2015-07-24 16:17:00

Shenjtorët e Javës 26 korrik – 2 gusht


E diel më 26 korrik, Kisha katolike kremton të dielën e 17-të gjatë vitit kishtar, e po më 26 korrik kalendari liturgjik përkujton festën e shën Joakimit e shën Anës, prindërve të Zojës së Bekuar, të gjyshit e gjyshes së Jezusit, që së bashku me të drejtët e prisnin ardhjen e Mesisë.

Liturgjia na kujton se lumnia e vërtetë e nxënësve të Krishtit është të arrijnë të shohin me sytë e tyre e të dëgjojnë me veshët e tyre Jezusin, atë, që profetët dhe të drejtët e dëshiruan me gjithë zemër, por s’e panë, as s’ e dëgjuan.

Të hënën më 27 korrik kalendari përkujton shën Pantaleonin, mjek e martir dhe shën Çelestinin papë.

Liturgjia e ditës na kujton se Jezusi i shpall të lum ata që e mirëpresin Atë dhe Fjalën e Tij.

Të martën më 28 korrik kalendari përkujton shën Urbanin II papë, shën Nazarin e Çelsin, martirë milanezë dhe shën Vitorin papë.

Liturgjia e ditës na kujton se fara e mirë shkon dëm në se nuk bie në tokë pjellore. Duhet të jemi, prandaj, tokë e mirë, që fara e Ungjillit të japë fryt në shpirtin tonë.

Të mërkurën që vjen më 29 korrik kalendari kishtar përkujton shën Martën, nxënëse e Krishtit dhe shenjtorët Simpliçin, Faustinin, Beatriçjën, Feliçin e Rufin, martirë.

Liturgjia e ditës na kujton se ata që e kanë zemrën e pastër do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Duke u ndaluar te Marta, kujtojmë se mënyra se si e pret Jezusin është ikonë e shërbimit të vërtetë. Por Krishti kërkon më parë dëgjimin e vëmendshëm të fjalës së Zotit, pastaj shërbimin.

Të enjten më 30 korrik, kalendari përkujton shën Pjetër Krizologun, ipeshkëv.

Liturgjia na fton të meditojmë se shëlbimi që na siguroi Jezusi nuk njeh pengesa. Ajo që ka rëndësi, është ta takosh Jezusin përmes fesë, ashtu siç na mëson Ungjilli. 

Të premten më 31 korrik,kalendari përkujton shën Injacin e Lolojës, themeluesin e Urdhrit të Jezuitëve. O Zot, më jep dashurinë tënde e hirin tënd, e kjo më mjafton!”: kështu shkruante mes tjerash shën Injaci i Lojolës.

Liturgjia na kujton se ligji i ri i Krishtit i fton të gjithë të jenë plot dashuri e mëshirë, bujari e solidaritet, si kur fitojnë, ashtu edhe kur, për syrin e botës, humbasin. Duhet të galdojmë përherë në Zotin, që na shpëton.

Të shtunën më 1 gusht, kalendari përkujton shën Alfons Maria de Liguorin, ipeshkëv e doktor i Kishës, themelues i Kongregatës së Shëlbuesit të Shenjtë, shtatë vëllezërit Makabej e të Lumin Pietro Favre, meshtar jezuit.

Liturgjia e ditës, duke treguar shëmbëlltyrën e të pasurit, që grumbullonte pasuri veç për vete, na kujton se të mirat e kësaj bote kanë vlerë, por nuk duhet të absolutizohen në dëm të së mirës së vërtetë të njeriut e të familjes. Pasuria, nëse nuk jemi të kujdesshëm, mund të na bëjë skllevër të saj.

Të dielën e ardhshme më 2 gusht, Kisha do të kremtojë të dielën e 18-të gjatë vitit kishtar, e po më 2 gusht kalendari përkujton Shën Euzebin nga Verçeli, ipeshkëv dhe shën Pier Xhulian Ejmard-in, themelues i Sakramentinëve.
Na mëso, o Zot, ligjet e tua.

Në liturgjinë e kësaj dite, buka që Jezusi shumëfishon për të ushqyer turmën, e cila e dëgjon me fe është simbol i asaj që Krishti do t’u japë besimtarëve në Kishën e vet.








All the contents on this site are copyrighted ©.