2015-07-24 14:21:00

Papa: kundër Sidës fitohet nëse jemi të bashkuar


Në luftën kundër Sidës duhet të bashkohemi, nëse duam të fitojmë: ky, thënë përmbledhtas, pohimi i Papës Françesku, në Mesazhin drejtuar Konferencës VIII mbi Sidën, që u organizua nga International AIDS Society (Shoqata ndërkombëtare mbi Sidën) në Vancouver të Kanadasë, nga 19 deri më 22 korrik.

Bashkimi sjell fitoren. Ky, kuptimi i mesazhit të Papës, i cili i vlerësoi lart dhe i inkurajoi të gjithë ata, që angazhohen për të shpëtuar jetë njerëzore, posaçërisht përmes terapisë anti-retrovirale, jashtëzakonisht aktive dhe përdorimit të mjekimit, si masë parandaluese. Përpjekje si këto, pohon Papa, “janë dëshmi, që flet për mundësinë e një rezultati pozitiv, kur të gjithë sektorët e shoqërisë bashkohen për një qëllim të përbashkët”. Më pas Papa siguron se lutet që të gjitha përparimet në farmakologji, terapi e në kërkimin shkencor, të shoqërohen me një angazhim të vendosur për zhvillimin e gjithanshëm të çdo njeriu, si bir i dashur nga Zoti.

Mesazhi i Papës, nënshkruar nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i drejtohej doktor Julio Montaner, bashkëkryetar i Konferencës dhe drejtor i Qendrës së Sidës pranë Spitalit të Shën Palit, në Vancouver. Është fjala për një institut me frymëzim katolik, themeluar nga Motrat e Provanisë Hyjnore, që dallohet si pararojë në kërkimet shkencore për mjekimin e Sidës dhe në përpjekjen për të dëshmuar se diagnoza e hershme dhe mjekimi i njerëzve të prekur nga Hiv, jo vetëm shpëtojnë jetë njerëzore, por janë në gjendje edhe të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.

Tema kryesore e Konferencës së këtij viti ishte pikërisht “Mjekimi, si parandalim”. Specialistë ndërkombëtarë pohojnë se ka prova shkencore të padiskutueshme mbi faktin se Sida nuk do të jetë më emergjencë shëndetësore brenda vitit 2030, nëse 90% e të gjithë njerëzve, që jetojnë me Hiv, do të mund të diagnostikohen saktësisht e ta fillojë me kohë terapinë anti-retrovirale.








All the contents on this site are copyrighted ©.