2015-07-24 16:32:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 17-të “B”


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të lexojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Liturgjisë Hyjnore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar të ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.

Tema kryesore që trajtohen nga liturgjia e Fjalës së Hyjit e kësaj së diele është buka dhe uria (Gjn 6.1-15). Leximet biblike të kësaj së diele, pra, kanë për temë shumëzimin e bukëve: njëra mrekulli bërë nga Elizeu e tjera nga Jezusi. Në të dy mrekullitë ka elemente të përbashkëta: pak bukë elbi në gatishmëri dhe ajo që do të duhej, që kërkohet për ta ngi turmën e popullit; por në të dyja rastet, buka e shumëzuar tepron.

Pra, mund të pohojmë se leximet biblike të kësaj së diele, përmes shumëzimit të bukëve, duan të na flasin për përdëllimin që Zoti ka kurdoherë për njeriun, e sidomos për njeriun në nevojë. Zoti ynë nuk ka vdekur, as nuk është Zot që e lë pas dore krijesën e Tij. Po është Hyj At që kujdeset shumë për ne në çdo kohë e moment. E këtë, na porosit të bëjmë edhe ne ndaj tjerëve. 

Kështu, edhe këtë të diele, leximet biblike flasin përsëri mbi temën e bukës, së bashku, me temën e përndjekjes e të fitores së atij njeriu, që mbahet si i ligsht para të fuqishmëve e të pushtetshmëve të botës, por i vyeshëm e plot vlerë para syve të Hyjit.

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele, Gjoni e vijon temën e bukës në debatin ndërmjet Jezusit e bashkëbiseduesve të vet, të cilët kërkojnë zgjidhjen e problemeve të tyre duke shpresuar të vazhdojë mrekullia e shumëzimit të bukëve.  Jezusi ofron një bukë tjetër, një ushqim për të vijuar udhën e misionit e për t’i shërbyer Mbretërisë së Atit. Bashkëbiseduesit mendojnë në manën, bukën e shkretëtirës, Jezusi mendon në Bukën Qiellore që është personalisht Ai, i zbritur nga qielli. Ai është i dërguari i Atit, si bukë e gjallë për të gjithë ne. 

Jezusi, përmes mrekullisë së shumëzimit të bukëve, na tregon e varfërinë e madhe shpirtërore që kemi, mund ta plotësojë vetëm Ai dhe na thërret të bashkëpunojmë me Të në ndërtimin e Mbretërisë së Atit përmes gjesteve të thjeshta, gjesteve të vogla të bujarisë, të zemërbardhësisë, të solidaritetit vëllazëror, siç tregon shembulli i një djali të pa emër, i cili i dhuroi ato pak bukë e peshq që pati, e nga gjesti i tij, Jezusi e nisi mrekullinë e shumëzimit të bukëve duke shuar urinë e turmës së njerëzve.

Leximi i parë nga Libri i Dytë i Mbretërve, në pjesën e dytë të kushtuar Eliezut profet, rrëfen për mrekullinë e shumëzimit të bukëve, që paraprijnë e kujton atë më të rëndësishme e më domethënëse, që Jezusi do të bëjë në dobi të turmës së popullit, që e pati ndjekur për ta dëgjuar.

Leximi dytë i kësaj së diele nga Letra e Shën Palit drejtuar Efezianëve, tregon për Palin, i cili i nxit Efezianët ta ruajnë bashkimin në dashuri, përmes sjelljeve dhe veprave të frymëzuara nga përvujtëria, butësia, mirësia e durimi i anasjellët.

Në pjesën e Ungjillit të kësaj së diele marrë nga Gjoni, kemi tregimin mbi mrekullinë e shumëzimit të bukëve që Jezusi bëri për turmën e popullit, të uritur për shpëtim e të etur për fjalën e Tij. Jezusi pasi kënaqi nevojat e kërkuara të shpirtit, vetvetiu interesohet për nevojën trupore të turmës që njerëzve, që e dëgjonin.

Në realizimin e shenjës së mrekullueshme të shumëzimit të bukëve, për ne të krishterët e të gjitha shekujve, është e natyrshme, të shohim paralajmërimin e pranisë së Krishtit-Bukë, të shohim Eukaristinë tonë, ushqim për jetën e amshuar.

Dua të them se mrekullia e shumëzimit të bukëve, na fton ta vazhdojmë këtë mrekulli këtu mbi tokë. “Jezusi mori në duar atë pak bukë që ka, e bekoi, i falënderoi Hyjit Atë, e theu dhe e shpërndarë”. Në këto gjeste përmbahet domethënia e krishterë e posedimit, e pasjes, e pasurisë. Thirrja jonë e krishterë nuk është ajo e posedimit, por e ndarjes dhe shpërndarjes me ata që janë në nevojë. Buka që unë kam, nuk është buka “ime”, por buka “jonë”, këtë kërkon Jezusi në Ungjill.

                           Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë   2 Mbr 4, 42-44

Profeti Elizeu, ashtu si profeti Elia, ka detyrën për të rizgjuar ndërgjegjen e popullit, në çastin në të cilin zotat paganë kthehen në modë.  Ai shumon bukët dhe u kujton të gjithëve që Hyji është burimi i vetëm i jetës dhe i pjellorisë dhe bujaria e tij nuk ka kufij.  Buka me bollëk është simbol i Eukaristisë.

 Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve

Në ato ditë, erdhi tek Elizeu një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu i tha shërbëtorit të vet: “Ndaju njerëzve të hanë!” Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve?” Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe do t’u teprojë’!” Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin !

Psalmi 145

Hape dorën tënde, o Zot,

dhe ngije çdo gjallesë

 

Le të lavdërojnë, o Zot,

të gjitha veprat e tua,

e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

 

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:

ti u jep ushqim në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde,

dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

 

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,

dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre

që e thërrasin,

të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 Leximi dytë Ef 4,1-6

Pali i nxit të krishterët të kalojnë çdo ndarje dhe të ecin drejt njësisë me një jetë të përvuajtur, të ëmbël dhe të durueshme.  Jeta jonë e krishterë është e themeluar mbi njësinë e besimit të pagëzimit, në të cilin njihet një Zot i vetëm dhe një Hyj i vetëm, Atë i të gjithëve.  Hyji është mbi të gjitha ndarjet tona dhe është i pranishëm në ata që jetojnë si bij të Hyjit.

 Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

 Aleluja. Aleluja.

Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!

Aleluja. Aleluja.

 Ungjilli   Gjn 6, 1-15

Jezusi thyen bukën për të ushqyer njerëzit e uritur.  Kjo mrekulli tregon që akoma sot është Ai që ngop atë uri, e cila gjendet në zemrën e njeriut.  Ungjilltari sheh në këtë shenjë themelimin e Eukaristisë, në të cilën Krishti vetë do të bëhet buka e njerëzve.  Njerëzit të mahnitur nga kjo mrekulli brohorasin Jezusin si Moisiun e ri, por Ai nuk dëshiron të keqkuptohet dhe fshihet.  Jezu Krishti shuan urinë e popullit, por nuk përfiton prej të varfërve për t’i zotëruar ata: është një i varfër si ata.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve. Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. “As dyqind denarë bukë – i përgjigji Filipi – nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra.  Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqish – aq sa deshën. E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi. Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

E më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit nga 2Mbr 4,42-44; Ef 4,1-6; Gjn 6,1-15, të kësaj së diele, mund të dëgjoni kështu......

 








All the contents on this site are copyrighted ©.