2015-07-23 13:51:00

Kryebashkiakët në aleancë kundër varfërisë dhe ndotjes së ambientit


Një “Aleancë për zhvillimin e qëndrueshëm urban”: ky, projekti, për të cilin ranë dakord dje mëse 70 kryebashkiakët nga e gjithë bota, të cilët, së bashku me përfaqësue të OKB-së e të Kishës Katolike, u konfrontuan mbi temat e ndryshimit të klimës dhe të skllavërive të reja. Aleanca do të paraqitet zyrtarisht në Nju Jork, më 24 shtator, në prag të vizitës së Papës Françesku në Kombet e Bashkuara. Kujtojmë se kryebashkiakët u takuan me Papën në Vatikan, pardje, në fund të ditës së parë të seminarit dyditor, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave dhe ajo e Shkencave Shoqërore. Ndër pikat kryesore të projektit, zhdukja e korrupsionit, fundi i varfërisë dhe i trafikut të njerëzve.

         Objektivat janë gjithsej 11: në vend të parë, fundi i varfërisë së skajshme dhe i urisë; pastaj, mundësitë e barabarta të burrit me gruan; sigurimi universal i mjekimeve shëndetësore, i arsimit dhe i shërbimeve të nevojës së parë e të tjera.

Jo korrupsionit e trafikut

         Nënshkruesit impenjohen t’i japin fund trafikut të njerëzve dhe të gjitha formave të skllavërive moderne, që të ndalet korrupsioni dhe t'i vihet fre mosndëshkimit të atyre, që minojnë zhvillimin e qëndrueshëm. Në qendër të aleancës, edhe thirrja për të përdorur sisteme energjitike, të ndryshëm nga ai me karbon, që të zvogëlohet ngrohja globale.

Puna të jetë dinjitoze

         Në frymën e enciklikës “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, Aleanca synon të gjejë “kanale të reja” për të krijuar “punë dinjitoze, që të garantojë të drejtat e njeriut e të ndihmojë të pastrehët”. Shtetet e qeveritë nxiten t’i fuqizojnë qytetet, përmes decentralizimit të pushtetit e të financimeve. Kërkohet edhe forcimi i universiteteve, të cilat shihen si pole të rëndësishme risish në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.

24 shtator, paraqitja e Aleancës në Nju Jork

         Aleanca do të paraqitet zyrtarisht më 24 shtator, në Nju Jork, në prag të vizitës së Papës Françesku në OKB. Pikërisht Ati i Shenjtë u kërkoi kryebashkiakëve të vënë në jetë një “ekologji njerëzore” e të ndërhyjnë menjëherë me zgjidhje për problemet, që kërcënojnë brezat e ardhshëm, si ndryshimi i klimës, puna-skllavëri, prostitucioni, trafiku i organeve, rritja e çekuilibrimeve shoqërore.








All the contents on this site are copyrighted ©.