2015-07-22 16:14:00

Dei Verbum, është tema e Kongresit Biblik Ndërkombëtar


Tema e Kongresit Biblik Ndërkombëtar Dokumenti është ‘Dei Verbum’ (Fjala e Hyjit), dokumenti i Koncilit II të Vatikanit. “50 vjet nga Dei Verbum”: do të jetë kjo tema e Kongresit të 8-të Biblik Ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Medelin, në Kolombì, më 30 e 31 korrik. Organizuar nga Universiteti Papnor Bolivarian, simpoziumi do të frymëzohet nga Letra e Hebrenjve (një prej librave të Besëlidhjes së Re të Biblës), në mënyrë të veçantë fragmenti 4,12: “Vërtetë, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcin edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës”.
Të shumta janë temat në shqyrtim: nga reflektimi mbi “Shpjegimi dhe interpretimi i Biblës, dy momente të një procesi të vetëm”, deri te “Leximi kritik i Biblës pas Dei Verbum”. Qendrore janë edhe analizat kritike mbi metodat ekzegjetike të djeshme të sotme, lidhur me Fjalën e Hyjit.
Punimet do të hapen nga atë Julio Jairo Ceballos Sepùlveda, rektor i përgjithshëm i Universitetit të përmendur, e atë Guillermmo Leòn Zuleta Salas, drejtor i Institutit të Humanizmit të Krishterë. Programi i plotë i ngjarjet është i gatshëm në faqen e internetit..
“Dei Verbum” është një dokument i rëndësishëm, pra një Kushtetutë e Koncilit II të Vatikanit, shpallur më 18 nëntor 1965, gjatë papnisë së Palit VI. Siç lexohen në hyrje, ajo “ndjek gjurmët e Koncileve kishtare të Trento-s e të Vatikanit I, synon të propozojë doktrinën e mirëfilltë mbi Dëftimin hyjnor dhe transmetimin e tij, në mënyrë që për kumtimin e shpëtimit mbarë bota të besoj duke dëgjuar, të shpresoj duke besuar, të duaj duke shpresuar”.








All the contents on this site are copyrighted ©.