2015-07-21 17:40:00

Kryebashkiakët në Vatikan: gati për angazhim mbi klimën e skllavëritë


Skllavëritë e reja dhe ndryshimet klimaterike. Janë dy emergjenca të lidhura ngushtë me realitetin dhe me shërbesën e Papës. Mbi to, sot e nesër, po ballafaqohen 70 kryebashkiakë të qyteteve më të rëndësishme të botës. Më parë një Workshop, më pas simpoziumi, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave dhe e Shkencave Shoqërore. Diskutohet për temën e ndryshimeve klimaterike, të formave të reja të skllavërisë, të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të varfërisë morale e shoqërore. Synimi, të bëhen të njohura praktikat, në zhvillim e sipër si dhe të nxitet angazhimi i përbashkët në luftë kundër skllavërive moderne e në përpjekjen për ta mbrojtur gjithësinë, duke pasur mirë parasysh Objektivat e zhvillimit në Selinë e OKB-së dhe takimin  e ardhshëm të rangut të lartë mbi klimën, që do të mbahet në Paris.

Papa Françesku dhe grupi i punës, lindur nga Akademia Papnore e Shkencave dhe e Shkencave Shoqërore, janë prijës të domosdoshëm. Ky është mendimi i kryebashkiakëve, ardhur në Vatikan nga Evropa, Azia, Afrika e Amerika, të gatshëm të japin kontributin e tyre për ndryshimin e kuadrit alarmant, paraqitur nga organizmat vatikanase. Tridhjetë milionë vetë, të lidhur me trafikun e  njerëzve, për t’u ripërfshirë në shoqëri, me dinjitet të humbur, si dhe ngrohja globale e cila, në vitin 2050, do të jetë 4 gradë më lart, duke shkaktuar fatkeqësi të rënda natyrore, uragane, thatësirë, zjarre gjithnjë më të shpeshta e vdekjen e miliona të varfërve, në se nuk reduktohen gazet e dëmshme dhe përdorimi i qymyrgurit. Ky, kuadri shqetësues i gjendjes së Planetit dhe banorëve të tij. Por, ashtu siç shkruan Papa në Enciklikën “Lëvduar qofsh”, nuk është kurrë tepër vonë! Françesku u kërkon administratorëve lokalë “dialog e aksion”, “solidaritet e mirëkuptim ndërmjet breznive”. E kryebashkiakët po i përgjigjen duke folur për sfidat dhe praktikat pozitive, pasi dëgjuan edhe dëshmitë prekëse të dy viktimave të reja të skllavërisë seksuale e të punës, ardhur nga Meksika. “Tani na takon ne”, theksoi Bill de Blasio, kryebashkiak i New Yorkut: “Urtia duhet të jetë spiranca jonë e shpëtimit”.

 Kryetarë bashkish të bashkësive të vogla, por të rëndësishme, si Lampeduza, janë sot e nesër pranë e pranë me governatorin e Kalifornisë, kryebashkiakët e metropoleve jugamerikane, si San Paolo, Rio de Janeiro, Bogota, Qyteti i Meksikos; të kryeqyteteve afrikane Accram Johannesburg. 70 përfaqësues të vendeve të industrializuara e të atyre në rrugë zhvillimi nga e gjithë bota. Gjatë këtyre dy ditëve kryebashkiakët po angazhohen konkretisht për këto dy çështje kaq problematike. Së bashku, do të përpiqen të gjejnë rrugët më praktike në favor të kufizimit të ndryshimeve klimaterike e të përpjekjes për t’i dhënë fund  shfrytëzimit, trafikut të njerëzve dhe çdo forme tjetër të skllavërisë moderne në bashkësitë e ndryshme. Këto drama, që Papa Benedikti XVI e Papa Françesku i kanë quajtur krime kundër njerëzimit, përfshijnë edhe punën e detyruar, prostitucionin, trafikun e organeve dhe sllavërinë shtëpiake. Takimi synon edhe që kryebashkiakët të angazhohen në zhvillimin e programeve për ripërfshirjen në shoqëri të viktimave, në nivelin kombëtar e lokal, me qëllim që të shmanget  riatdhesimi i tyre i detyruar. E edhe  që qendrat tona qytetare të bëhen gjithnjë më të sigurta, t’i përfshijnë të gjithë banorët, të mbrojnë ekologjinë, të luftojnë kundër çdo forme të skllavërisë.

Në takimin dyditor u ftuan qeveritarët e së djathtës e të së majtës, e asnjë prej tyre  nuk e refuzoi ftesën, për të dëgjuar fjalën që u drejtoi sot pasdite  Papa Françesku. 

Kryebashkiakët do të jenë të pranishëm edhe në punimet nesërme, 22 korrik, organizuar në Vatikan për të diskutuar mbi klimën dhe format e  reja të skllavërisë, që do të mbahet në Shtëpizën Piu IV. Kombet e Bashkuara  organizojnë ditën e dytë me temën e qyteteve e të zhvillimit të qëndrueshëm, që i intereson shumë Papës.   








All the contents on this site are copyrighted ©.