2015-07-21 16:23:00

Dënim i ashpër për atentatin në Turqi: 30, viktimat


Dënim i njëzëshëm për atentatin kamikaze të djeshëm, në një qendër kulturore të qytetit turk të Suruçit, vetëm dhjetë kilometra nga kufiri me Sirinë: 30 të vdekur, mëse njëqind të plagosur. U hodh në erë një vajzë e dërguar nga Isis, gjatë takimit të Federatës së shoqatave të rinisë socialiste, mbledhur për t’u nisur drejt Kobanes për t’u çuar ndihma kurdëve. Në të gjithë vendin, u zhvilluan manifestime solidariteti me viktimat e atentati u dënua ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

         “SHBA-të dënojnë me forcë atentatin e urrejtshëm terrorist”, bën të ditur Shtëpia e Bardhë. “Bashkimi Evropian është afër popullit e qeverisë së Turqisë”, deklaroi përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme evropiane, Federica Mogherini. “Asnjë kauzë e asnjë fyerje nuk mund të justifikojnë sulmet kundër civilëve”, shkruan Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon.

         Nga Ankaraja, kryeministri turk Davutoglu pohoi që mbrëmë se atentati ishte kundër paqes, demokracisë dhe qëndrueshmërisë së Turqisë. Ai vuri në dukje se njëkohësisht me shpërthimin në Suruç, një tjetër atentat kamikaze ndodhi në Kobane, duke shkaktuar vdekjen e dy milicëve kurdë të Ushtrisë së Mbrojtjes Popullore. Por, nuk janë të paktë ata, që e akuzojnë Ankaranë se u bën tepër lëshime xhihadistëve, sidomos atyre që nisen nga territori i saj për të shkuar në Siri.

         Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Revistës Italiane të Mbrojtjes, Piero Badacchi:

         Me këtë episod, Turqia paguan, në një farë mënyre, 3-4 vjet politike absolutisht shkatërrimtare në Siri: një politikë, që gjatë këtyre viteve, e ka bërë të mbyllë një sy para terroristëve, që ikin nga territori i saj për në Siri. Natyrisht, e ka bërë këtë për të destabilizuar Asadin. Por, ky përbindësh, për krijimin e të cilit ka kontribuar edhe ajo vetë, megjithëse jo drejtpërdrejt, tani po i kthehet kundër e gjendja aktuale është e rëndë. Duhet kuptuar sa vullnet ka Turqia për ta luftuar këtë fenomen.

         Është mendim i përgjithshëm se deri tani, nuk po gjendet akoma strategjia e duhur për luftën kundër Isis…

         Strategjia e duhur do të ishte strategji më agresive nga pikpamja ushtarake, sidomos duke pasur parasysh koalicionin e kryesuar nga SHBA-të, i cili po vijon fushatën ajrore në Irak e Siri. Elementi tjetër i rëndë është se Iraku ka falimentuar faktikisht si shtet, ka mbetur në duart e milicive shiite, nën ndikimin iranian. Prandaj, edhe aleati lokal, të cilit do të duhej t’i krijohej avantazh nga aviacioni amerikan, është tepër i dobët. E kjo është një pikë kritike në strategjinë ndërkombëtare kundër Isis.








All the contents on this site are copyrighted ©.