2015-07-20 14:27:00

Shfrytëzimi në miniera. Pas thirrjes së Papës, dëshmia e një kongolezi


Më se 40% e konflikteve globale në 60 vjetët e fundit, sipas Kombeve të Bashkuara, lidhen me shfrytëzimin e pasurive të nëntokës. Të dhëna alarmuese, që të kujtojnë menjëherë dramat e bashkësive vendase të cilat, siç denoncojnë shumë organizata, kanë pasoja të rënda nga shfrytëzimi i tokave të tyre dhe humbje graduale të punës, kur shumëkombëshet, zakonisht të huaja, fillojnë këtu veprimtaritë e tyre. Por çka është  më e vështirë të pranohet, nënvizojnë pjesëmarrësit në Ditën e reflektimit me temë “Të bashkuar në Tënzonë, dëgjojmë një britmë”, është dhuna, shtypja dhe frikësimi, në çastin kur denoncohen padrejtësitë. Është britma e zemërimit, britmë që ngrihet, për të kërkuar ndihmë – kujton Papa Françesku, britmë e trishtimit, e pafuqisë, që duhet dëgjuar e shumëfishuar. Nuk mund të rrish në heshtje, kur historia flet, shprehet Héritier Wembo Nyama, nga Republika Demokratike e Kongos, vend që jeton një nga situatat më dramatike për shkak të pasurive nëntokësore të pafundme e jashtëzakonisht të çmueshme, gjë që vijon të shkaktojë një luftë po aq pa fund, me tre milionë të vdekur në njëzet vjetët e fundit. Héritier Wembo Nyama, në mikrofonin tonë:

Përgjigje: - Arrivaient les entreprises "Kibali Gold Mining" …

Erdhën sipërmarrjet “Kibali Gold Mining” e i blenë të gjitha tokat. Kështu nisën të mungojnë vendet e punës. Atëherë kërkuam mundësinë të punojmë, por ata nuk pranuan. Kërkuam përsëri: “Na jepni punë. Mund të punojmë për ju!”. Nuk deshën. Atëherë organizuam një manifestim, u vunë goma automobilash në rrugë e u kallën flakë. Pastaj ia behën ushtarët. Më arrestuan e më hodhën mbi flakë. Më shpëtoi vetë Zoti: dola i gjallë nga flakët. Më lidhën e mbeta ashtu gjithë natën e gjithë paraditen tjetër. Më bënë, pastaj, të përshkoj rrugët e qytetit, deri në orën katër të pasdites, pastaj më çuan në spital e aty më braktisën. Kalova javë e javë në spital. Isha vetëm, pa asnjë ndihmë tjetër, veç Zotit e njerëzve të Kishës vendase. Pas disa javësh një mjek më tha se do të më çonin në spitalin “e tyre”, në spitalin e Kibalit. Familjarët e mi kundërshtuan, të bindur se do të më vrisnin rrugës. Ngulën këmbë: rri në shtëpi e gjej mundësi për ndihmë. Edhe ne do të të ndihmojmë për të blerë ilaçet e do ta ndajmë me ty kafshatën e bukës. Do të të ndihmojmë! Rri në shtëpi! Atëhere ndenja. Më ndihmoi shumë Kisha. Njerëzit e saj më ndoqën pas edhe në shtëpi e menduan për mua. Kur arrita në Kinshasa, në udhëtim drejt Romës, mora vesh se ata kishin ardhur deri aty për të më kërkuar. Donin të dinin ku kisha shkuar e ç’kisha në mendje të bëja. Pata frikë. E kam frikë edhe në këtë çast, kur po flas, këtu, mes jush, e kam frikë edhe të rikthehem atje, ku lashë gruan, fëmijët e motrën time më të vogël, për të cilën jam më shumë atë, sesa vëlla, sepse të dy jemi jetimë. Nisa të punoj si e ku munda, për t’i paguar shkollën e për ta mbajtur, por tani nuk ka punë e unë nuk kam më duar. M’i dogjën! Kërkoj ndihmën tuaj! Më ndihmoni, ju lutem, për hatër të fëmijëve të mi, të gruas, të motrës…

Pyetje: -  Para se të ndodhte e gjithë kjo, si ishte jeta jote? Jetoje  me bashkësinë tënde?

Përgjigje: - Dans notre communauté, on avait commencé …

Në bashkësinë tonë, nisëm të punojmë në minierë e të jetojmë mjaft mirë. Por kur erdhi sipërmarrja, e bllokoi gjithçka; atëherë nisi të mungojë puna e, natyrisht, edhe buka. E me që jam këtu, nuk mund të mos i lutem Kishës t’i shpëtojë njerëzit, që mbetën atje…

 

Kjo që ndodh në Republikën e Kongos, përsëritet dhe në Amerikën Latine. Kisha është përkrah bashkësisë, e dëgjon britmën e saj e mundohet të vihet gjithnjë në anën e të ligshtit. Nisma e Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, nënvizoi Tebaldo Vinciguerra, nëpunës i dikasterit të Vatikanit, ka për qëllim ta bëjë të dukshme këtë dramë e të përgatisë terrenin për takimin e shtatorit të ardhshëm, në të cilin do të marrin pjesë edhe drejtuesit e shoqërive të minierave. Për ne ka rëndësi të hapet  dialogu, jo dialog fasade, sa për sy e faqe, por të punohet mbi bazën e parimeve që sigurojnë të mirën e përbashkët. E sidomos, nuk duhet të fshihet asnjë nga ngjarjet dramatike.

Nëse nga njëra anë ka sipërmarrje lokale të vogla, që japin shembull të mirë, nga ana tjetër nuk mungojnë edhe sipërmarrësit, që imponojnë vijën e tyre - kujtoi kardinali Peter Turkson, kryetar i Drejtësisë e Paqes. - Janë individë, të cilët punojnë pa qëllime vërtet njerëzore. Nuk duan as t’ia dinë për vëllazërinë, drejtësinë, besnikërinë ndaj të tjerëve, që Françesku vijon t’i theksojë vazhdimisht, i shqetësuar për fytyrën, shpesh mizore, të shoqërisë, e cila, për Papën duhet të jetë gjithnjë më njerëzore! Sepse vetëm kështu njerëzimi mund të bëhet “një familje e vetme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.