2015-07-20 16:31:00

SHBA-Kuba: u rihapën ambasadat, flamuri kuban shpaloset në Washington


U rihapën zyrtarisht ambasadat e SHBA-ve dhe të Kubës në Havanë dhe në Washington:  ndërtesat, ku u vendosën, rifituan, në të dy vendet, statusin e ambasadës në orën 6.01 me orën evropiane, si rezultat i një marrëveshjeje, njoftuar më 30 qershorin e kaluar, pas spirales së hapur në dhjetor 2013, me shtrëngimin historik të dorës së presidentit amerikan, Barack Obama dhe homologut kuban, Raúl Kastro, në përkujtimin
e vdekjes së Nelson Mandelës, në Afrikën e Jugut. Në Washington flamuri kuban u ngrit në Departamentin e Shtetit, pranë flamujve të vendeve të tjera. Në program edhe një ceremoni në praninë e Ministrit të jashtëm kuban, Bruno Rodriguez, gjatë vizitës së parë të një kreu të diplomacisë së qeverisë kastriste, që nga vitit 1959, kur marrëdhëniet diplomatike qenë ndërprerë. Në  Havanë nuk parashikohet ndonjë kremtim, por javët  ardhshme pritet vizita e sekretarit të Shtetit amerikan, John Kerry.

Mbi rëndësinë e rihapjes së ambasadave, të dëgjojmë Massimo De Leonardis, pedagog i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare pranë Universitetit të Milanos:

Përgjigje: - Diplomacia, e kuptuar si art, që i prin politikës ndërkombëtare, është sigurisht pasqyrim i politikës së jashtme. Nëse përmirësohen marrëdhëniet e politikës së jashtme ndërmjet dy vendeve, është e natyrshme të rifillojnë edhe marrëdhëniet diplomatike. Në këndvështrimin formal, kjo është masa e parë, që duhet marrë, një nga shenjat e para formale të përmirësimit të marrëdhënieve. Ndërsa prerja e marrëdhënieve është masë, që duhet marrë me maturi të madhe.

Pyetje: - Ç’ndryshim pësuan marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve e Kubës këto vitet e  fundit?

Përgjigje: - Besoj se nga të dyja palët pati evolucion. Siç pranoi dhe Obama, politika e mbylljes, me masat ndëshkimore, nuk pati rezultatet e pritura. Nga ana tjetër, sigurisht që ndryshimi nuk është edhe aq i rëndësishëm. Gjithsesi, kalimi i komandës nga Fidel Kastro, tek i vëllai, Raul, shënon një hapje të ndrojtur, një minimum liberalizimi në këndvështrimin ekonomik.  Ndërsa problemi i të drejtave të njeriut duhet  rishikuar i tëri. Pyetja më e vështirë është “Ç’do të ndodhë pas Raulit?”.

Pyetje: - Bëhet fjalë për marrëdhënie të plota, apo u mungon ndonjë gjë?  Për shembull, kujtojmë embargon amerikane mbi Kubën…

Përgjigje: - Marrëdhëniet diplomatike, në pikëpamje formale, janë të plota, e këtu jemi në planin teknik të marrëdhënieve, në këndvështrimin e së drejtës ndërkombëtare. Nga pikëpamja ngushtësisht politike, sigurisht, mungon  shfuqizimi i embargos, po kjo është një fushë tjetër. Marrim, për shembull, Rusinë: ndërmjet Rusisë e SHBA-ve marrëdhëniet diplomatike nuk u ndërprenë kurrë, por në këto çaste Moska po i nënshtrohet masave të rënda ndëshkimore. Prandaj theksoj se janë dy aspekte; dy plane të ndryshme. Mendoj se rilidhja e marrëdhënieve diplomatike është hapi i parë më i vogël, në pikëpamje formale, për të sinjalizuar normalizimin e situatës.

Pyetje: - Ndërmjet tjerash, është e nevojshme edhe vota e Kongresit për heqjen e embargos së vitit 1962…

Përgjigje: - Pikërisht, ndërsa kjo nuk është e nevojshme për rifillimin e marrëdhënieve diplomatike. Mendoj se, përsa i përket çështjes së embargos, duhet pritur rifillimi i punimeve të Kongresit në vjeshtë, njëherësh edhe me ndonjë sinjal tjetër në fushën ekonomike e në atë të të drejtave njerëzore në Kubë. E, natyrisht, kjo do të hyjë në paketën e masave të politikës së jashtme të Obamës: gjëja më e rëndësishme është normalizmi i marrëdhënieve me Iranin; por me sa duket, shumica e Kongresit është mjaft e pavendosur.

Pyetje: - Në shtegtimin e kthimit nga Amerika Latine, duke folur për marrëdhëniet ndërmjet SHBA-ve e Kubës, Papa Françesku tha se të dy vendet, gjatë bisedimeve, “do të humbasin ndonjë gjë e do të fitojnë ndonjë gjë". Do të fitojnë, sigurisht, në paqe e miqësi. Ju ç’ mendoni?

Përgjigje: - Në bisedime, natyrisht, duhet arritur një pikë kompromisi. Në këtë rast, mendoj se në këndvështrimin amerikan, konçesioni do të jetë heqja dorë nga kokëfortësia, nga mbyllja formale, shumë e ashpër, kundër Kubës. Por sigurisht që lëshimet më të rëndësishme afatgjata duhet t’i bëjë Kuba, sepse duhet të  hapë perspektivën e lirimit.

Pyetje: - Cili ishte  roli i Kishës në këtë afrim? Papa ka thënë: “Nuk bëmë pothuajse asgjë, vetëm gjëra fare të vogla”…

Përgjigje: - Këtë do të mund ta thonë historianët e së nesërmes, por përtej rolit të Selisë së Shenjtë, duhet menduar edhe për rolin e Kishës në Kubë, që sigurisht e ka favorizuar këtë hapje. E nuk duhet harruar edhe se në Kubë kanë shkelur dy papë të tjerë, para Papës Françesku, që do ta vizitojë ishullin shtatorin e ardhshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.