2015-07-20 16:18:00

Në Gregoriana, një diplomë “teologjie praktike” mbi familjen


Lind një “kurs për animatorë baritorie dhe profesionistë të fushës së martesës e të familjes” në Universitetin Papnor Gregorian të Romës. Ndërsa në Vatikan do të mbahet Sinodi për familjen, ateneu i jezuitëve fillon në tetor, një kurs diplome në “teologji praktike”, me specializim në baritorinë familjare.

         “Stina aktuale kishtare kërkon impenjim e përgatitje më të mirë për të përballuar sfidat, pasiguritë e aspiratat e martesës e të familjes së sotme”, lexohet në fletëpalosjen e paraqitjes së kursit. “Departamenti i Teologjisë morale të Universitetit Papnor Gregorian, duke pranuar me dëshirë ftesën e Papës Françesku për të përballuar problematikat e familjes, ofron një udhë formuese për animatorë baritorie e profesionistë të fushës së martesës e të familjes”.

         Dipoloma është për të gjithë veprimtarët, që shoqërojnë familjet në famulli, apo institute të ndryshme, sidomos ato në vështirësi, siç shpjegon teologu moralist, Paolo Benanti, terciar françeskan e koordinator i kursit të diplomës. Ndër lëndët e propozuara: sociologjia e familjes, etika e marrëdhënieve bashkëshortore, emancimi femëror dhe marrëdhëniet familjare, përshpirtëria bashkëshortore, psikodinamika e marrëdhënieve familjare, trupi seksualiteti dhe terapia familjare, sakramentet e fillimit dhe martesa, dialogu baritor dhe pajtimi, morali seksual themelor, komunikimi ndërpersonal, morali personal dhe familja.

         Ideatori i diplomës është jezuiti argjentinas, Miguel Yanez, drejtor i departamentit të Teologjisë morale. Kursi ka formën e seminarit e do të zhvillohet në 12 takime, të premten pasdite e të shtunën. Do të shoqërohet me lexime nga librat e propozuara nga profesorët e do të përfundojë me tezën e shkruar nga studenti e me një provim gojor. Në klasë nuk do të ketë më shumë se 25 vetë. Kursi do të fillojë më 23 tetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.