2015-07-19 13:04:00

Papa në Engjëllin e Tënzot: në Jezusin mishërohet dashuria e Hyjit


Në mëshirën e Jezusit për ne, mishërohet dashuria e Hyjit: kështu u shpreh Françesku gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit. Të shumtë, besimtarët e pranishëm, mbledhur rreth Papës pa marrë parasysh ditën e zjarrtë verore. Ati i Shenjtë i quajti guximtarë e, më pas, rikujtoi edhe shtegtimin e tij të fundit apostolik në Amerikën Latine.

Duke komentuar Ungjillin e kësaj së dielë, në të cilin Jezusi ka mëshirë për turmën pa fund të njerëzve, që e ndjek pas, sepse i duket si grigjë delesh pa bari, Papa ngulmoi mbi tri folje të kësaj fotograme ungjillore: “Të shikosh, të kesh mëshirë; të mësosh”. Janë “foljet e bariut”. Sidomos e para dhe e dyta: të shikosh e të kesh mëshirë, theksoi Papa, lidhen gjithnjë tejet ngushtë me sjelljen e Jezusit:

“Në të vërtetë shikimi i tij nuk është ai i ndonjë sociologu ose i ndonjë fotoreporteri, sepse nuk shikon me sytë e ballit, por me ata të zemrës. Këto dy folje 'të shikosh' e 'të kesh mëshirë', janë tipike për figurën e  Bariut të Mirë. E kështu është Jezusi. Edhe mëshira e Tij nuk është vetëm ndjenjë njerëzore, por përmallim i Mesisë, në të cilin mishërohet dashuria e vetë Hyjit Atë. E pikërisht nga ky mallëngjim lind edhe dëshira e Jezusit për ta ushqyer turmën me bukën e Fjalës së Tij”.

Më pas Papa Françesku kujtoi shtegtimin e sapo kryer në Ekuador, Bolivi e Paraguái, për të cilin qe lutur të udhëhiqej nga Shpirti i Jezusit, Bariut të Mirë. Falënderoi, me këtë rast, autoritetet, klerin e popullsinë e këtyre vendeve për pritjen e ngrohtë dhe bashkëpunimin:

“Me këta vëllezër e motra lavdërova Zotin për mrekullitë që bëri në popullin e vet, për udhë në këto vise; për fenë, që frymëzoi e frymëzon jetën e tij e kulturën e tij. E lavdërova edhe për bukuritë natyrore, me të cilat i pasuroi këto vise. Kontinenti latino-amerikan ka energji të mëdha njerëzore e shpirtërore, ruan vlera të krishtera të rrënjosura thellë në shpirtin e  banorëve, pa harruar se i duhet të zgjidhë probleme të vështira shoqërore dhe ekonomike. Për të dhënë ndihmesën në zgjidhjen e tyre, Kisha angazhohet t’i mobilizojë forcat shpirtërore e morale të bashkësive të saj, duke bashkëpunuar me të gjithë pjesëtarët vullnetmirë të shoqërisë”.

Më pas Papa vijoi:

“Përballë sfidave të mëdha, që duhet të përballojë kumtimi i Ungjillit, i ftova të gjithë të kërkojnë nga Krishti hirin, që shpëton e jep forcë për angazhimin e dëshmisë së krishterë e të përhapjes së Fjalës së Zotit, që besimi i spikatur i këtyre popullsive të jetë dëshmi besnike e Ungjillit”.

Së fundi, lutja e Papës drejtuar Zojës së Gudalupes:

“Ndërmjetësimit amtar të Zojës së Bekuar, që mbarë Amerika Latine e nderon si pajtore, me titullin Zoja e Guadalupes, ia besoj frytet e këtij shtegtimi të paharrueshëm apostolik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.