2015-07-17 16:47:00

Heliporti i Papës në dispozicion për emergjencat pediatrike


 Governatorati i  Qytetit të Vatikanit dhe Spitali i Krishtit Fëmijë(Bambino Gesù), merren vesh që heliporti, në Kopshtet e Vatikanit, të përdoret për emergjencat shëndetësore. Marrëveshja, e miratuar nga Sekretaria e Shtetit të Shenjtërisë së Tij, u nënshkrua nga sekretari i përgjithshëm i Governatoratit, imzot Fernando Vérgez Alzaga dhe nga Drejtoresha e Spitalit Pediatrik të Selisë së Shenjtë, Mariella Enoc.

Governatorati autorizon Spitalin e Krishtit Fëmijë për nisjen si dhe për kthimin e heliambulancave dhe helikopterëve të Spitalit, ditën e natën, brenda Shtetit të Qytetit të Vatikanit, posaçërisht kur është fjala për urgjenca të rënda dhe emergjenca pediatrike, ose për raste, që kanë të bëjnë me implantimin dhe transplatimin e organeve. I njoftuar për nismën, Papa Françesku shprehu gëzimin e tij e, natyrisht, dha edhe miratimin për marrëveshjen, ndihmesë e madhe për të shpëtuar jetë fëmijësh në rrezik.

Personeli i Spitalit shprehu mirënjohjen për këtë mundësi. Por mirënjohjen më të madhe e shprehin, pa dyshim, familjet e fëmijëve të sëmurë, e edhe vetë fëmijët, sepse marrëveshja u nënshkrua pikërisht për të shpejtuar ndihmën mjekësore e për t’u shpëtuar jetën. Kujtojmë se ky Spital, tashmë prej vitesh, ka edhe një marrëveshje zyrtare nënshkruar me Ministrinë shqiptare të Shëndetësisë.

Sesa jetë fëmijësh u shpëtuan në mjediset e këtij spitali, para e pas kësaj marrëveshjeje, këtë mund ta rrëfejnë edhe shumë fëmijë e prindër shqiptarë, që jo vetëm u mjekuan këtu, por edhe u strehuan, për të qenë te koka e fëmijëve të tyre gjatë mjekimeve shpesh herë tejet të shtrenjta, për ta, falas. Një herë, nësa ofronim ndihmën tonë si përkthyes në mjediset e Spitalit të Selisë së Shenjtë, takuam një familje tejet të varfër,  ardhur nga fshatrat e thella malore të Labërisë. Kishte shtruar fëmijën, një djalë topolak, me një sëmundje fare të rrallë, që i rrezikonte jetën. E kishin sjellë aty murgeshat misionare, që shkelnin vazhdimisht në ato fshatra, për t’i ndihmuar njerëzit në kushte të vështira. Në sa bisedonim me prindërit, duke i  ndihmuar të merreshin vesh me mjekët, fëmija papritmas foli ca fjalë tejet kuptimplote. Asokohe president i Shqipërisë ishte Sali Berisha. E fëmija tha: “Më kanë bërë një gjëlpërë aq të shtrenjtë,  që s’e bën dot as Sali Berisha!”. Donte të tregonte sa shumë kujdesej spitali i Krishtit Fëmijë për të. Doemos - Krishti Fëmijë – mes fëmijëve të sëmurë, ardhur nga mbarë bota. E ku ka mjek më të mirë! Pastaj kujdesi i Papës. I personelit mjekësor. E tani heliporti, që mund të përdoret edhe për shqiptarët! Prej këndej mund ta quajmë një lajm të mirë edhe për të gjitha viset tona. Duke uruar që heliporti të përdoret sa më pak nga fëmijët tanë, natyrisht.








All the contents on this site are copyrighted ©.