2015-07-16 12:26:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: varfëria


“Ah, sa do të doja një Kishë të varfër për të varfërit”. Kjo është fraza e parë e Papës Françesku për varfërinë, shqiptuar gjatë audiencës me gazetarët në Vatikan, vetëm tri ditë pas zgjedhjes së tij në fronin e Shën Pjetrit. Më pas, fjala “varfëri” u kthye në një nga tiparet karakteristike të papnisë së Horhe Mario Bergoljos, argjentinasit, që jeton edhe vetë sipas varfërisë françeskane. Në mesazhin e Krezhmëve të vitit të kaluar, Ati i Shenjtë e shpjegoi katërcipërisht konceptin e tij të varfërisë, që nuk është mungesë pasurie, por diçka tjetër. Fraza ungjillore “U bë i varfër për të na pasuruar me varfërinë e Tij”, që i referohet Krishtit, është baza për të shpjeguar ç’do të thotë “varfëri” për të krishterët. E kjo është fjala, që do të shqyrtojmë në emisionin e sotëm.

         Varfëria e Jezusit, siç mund të kuptohet nga Besëlidhja e Re, nuk është mungesë pasurie, sepse Ai jeton në shtëpinë e shën Jozefit (Mt 2,23); ka një punë për të cilën paguhet (Mk 6,3); grupi i tij mbështetet nga ndihma e miqve, sidomos nga gra të pasura të borgjezisë (Lk 8,1-3); vishet jo keq (Gv 19,23). Varfëria e tij është e barazvlefshme me lirinë, butësinë, përvujtninë e zemrës, gatishmërinë për të kryer vullnetin e Atit Qiellor, deri në vdekjen mbi Kryq, duke pranuar me vetëdije e bindje vuajtjen.

         Tema e mesazhit të Krezhmëve të Papës Françesku, që përmendëm më sipër, është marrë nga Letra e dytë e shën Palit Apostull drejtuar Korintasve, por edhe në atë për filipianët, Apostulli i Popujve e shpjegon fort mirë konceptin e varfërisë së Jezusit. “Edhe pse me natyrë Hyj – shkruan shën Pali për Krishtin – barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar, që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (Fil 2,6-7), e “për ne, nga i pasur që ishte, u bë i varfër” (2 Kor 8-9). Varfëria e Krishtit është plotësimi i profecive për Mesinë. Vërtet, Atij nuk i munguan persekutimet politike, internimi, tradhëtia nga ana e një  miku, zhveshja e plotë nga çdo gjë, thjeshtësia, përmes së cilës dilte në pah madhështia e Tij. Por Krishti është i varfër edhe pse solidarizon me të varfërit e merr mbi vete mëkatet e gjithë botës. Për Jezusin, të varfër janë mëkatarët, të sëmurët, të pamundurit, të huajt, të cilëve nuk u thotë fjalë ngushëllimi, por shëlbimi.

         Si shenjë e plotësimit të premtimeve mesianike, Jezusi cakton ungjillëzimin e të varfërve. Ai merr anën e tyre, i quan të lum, i larton në shembëlltyrën e Epulonit të pasur dhe Lazrit të varfër (Lk 16, 19-31) e në atë të “dhuratës së vejushës skamnore” (Mk 12, 41-44), i do pjesëmarrës në jetën shoqërore e në ndarjen e të mirave. Pastaj, u thotë të gjithëve të mos shqetësohen për pasuritë e kësaj bote, vë në dukje rreziqet që sjellin, i thotë të riut të pasur të heqë dorë prej tyre për ta ndjekur.

         Jezusi parashikonte se të varfërit nuk kanë për të munguar kurrë. Por fjala e Tij nuk e institucionalizon varfërinë, synon të zgjojë tek dishepujt forcën për ta zhdukur këtë vuajtje e problem përmes drejtësisë shoqërore, përmes rishpërndarjes së pasurisë, përmes ndihmës së prekshme e të përhershme. Të varfërit, sipas Ungjillit, janë “sakrament”. Në ta gjejmë vetë Krishtin (Mt 10,41; 25, 40-45), të cilit, përmes tyre, mund t’i shërbejmë, ose ta mënjanojmë. Ata simbolizojnë realitetin e Mbretërisë Qiellore, në të njëjtin kuptim, me atë, që i jep Papa Françesku në magjisterin e vet. Pra, një varfëri përtej përmasës ekonomike, që shpreh pasurinë ungjillore, “stilin e Hyjit”, – siç thotë shën Pali – mënyrën e veprimit të Zotit, i cili nuk na zbulohet me bujë e pushtet, por me butësi e përvujtni.

         Ja përse të varfërit kanë rëndësi për Kishën Katolike, sepse janë Ungjilli, siç vëren Papa, i cili, shpesh, ka dhënë si shembull Nënë Terezën, misionaren e lume shqiptare të bamirësisë, e cila nuk bëri asnjë luftë politike për përmirësimin e gjendjes së të varfërve, por i çoi secilit prej tyre dashurinë e krishterë, duke u dhënë dinjitet. E Ati i Shenjtë ngul këmbë në logjikën e “dhurimit”, pra kërkon që secili të japë sa mundet e sa di për të kontribuar në të mirën e njerëzimit, i cili kështu, do të frymëzohej nga një forcë, krejtësisht e ndryshme nga mbizotërimi e dominimi e, malli do të kthehej në dhuratë. E të mos harrojmë se gjithnjë, të pasurin që nuk bënte ç’kishte në dorë për t’u pasuruar, por dinte ta ndante pasurinë me kë kishte nevojë e dinte të ndihmonte, çdo popull e ka konsideruar përherë “fisnik”.








All the contents on this site are copyrighted ©.