Me rastin e dyqind vjetorit të lindjes së Don Gjon Boskut, Papa Françesku i dërgoi
rektorit të madh të Salezianëve, don Angel Fernandez Artime, një letër për të falënderuar
Zotin për dhuratën e Shenjtit të të rinjve, për t’i “përkujtuar aspektet themelore
të trashëgimisë shpirtërore e baritore të Dom Boskut dhe për t’i nxitur të salezianët
të jetojnë me guxim” në realitetin e përditshëm përkrah të rinjve.
“Don Bosku na mëson para se gjithash të mos rrimë duke shikuar, por të vihemi në krye
të detyrës për t’u ofruar të rinjve eksperiencës edukative në tërësinë e saj”, e cila
ka të bëjnë me vet qenien njerëzore, në kuptimin e plotë të fjalës. Kështu shkruan
mes tjerash Papa Françesku në letrën e tij dërguar Eprorit të Përgjithshëm të Salezianëve,
me rastin e dyqind vjetorit të lindjes së Don Boskut.
Ati i Shenjtë Bergoglio nënvizoi më tej se Italia dhe Evropa kanë ndryshuar shumë
në këta dy shekuj, por nuk ka ndryshuar shpirti i të rinjve, sepse edhe sot “të rinjtë
e të rejat janë të hapur ndaj jetës dhe takimit të tyre me Zotin e me të tjerët”.
Në të njëjtën kohë, “ shumë prej tyre rrezikojnë të demoralizohet, rrezikojnë një
anemi shpirtërore e mënjanim” nga shoqëria. Pedagogjia e Don Boskut, vënë në pah Papa,
“është dashamirësia”, është “afrimi” e pastaj ripohon faktin se sa e nevojshme është
që “dashuria e edukatorit të shprehet përmes gjesteve konkrete e efikase”.
Edhe sot, vijon në letrën e tij Papa Françesku, “Familja saleziane është e hapur ndaj
kufijve të rinj të edukimit e të misionaritetit, duke përshkuar udhët e mjeteve të
reja të komunikimeve shoqërore dhe ato të edukimit ndërkulturor pranë popujve të feve
të ndryshme, apo të Vendeve në zhvillim e sipër, apo të vendeve që karakterizohen
nga emigracionit”. Në anën tjetër, konstaton Papa, “sfidat e Torino-s së shekullit
XIX, sot, kanë marr një përmasë globale që karakterizohet nga: idhujtaria e dinarit,
mangësia e drejtësisë që krijon dhunë, kolonializimi ideologjik dhe sfidat kulturore
të lidhura me realitetet urbane”. Nga këtu edhe thirrja e Papës drejtuar salezianëve
t’i “shoqërojnë të rinjtë në kërkimin e përkimit ndërmjet fesë, kulturës e jetës,
në momentet në të cilat merren vendimet e rëndësishme të jetës, e edhe atëherë kur
të rinjtë kërkojnë ta interpretojnë realitetin e ndërlikuar”, në të cilin jetojnë.
Papa veçon dy misione të posaçme për Salezianët: “së pari në misionin e edukimit sipas
antropologjisë së krishterë, më gjuhën e mjeteve të reja të komunikimit e të rrjeteve
shoqërore, që ndikojnë thellësisht në kodet kulturore të të rinjve”; “së dyti në “fushën
e promovimit të formave të vullnetariatit shoqëror, duke tejkaluar ideologjitë që
e vënë tregun dhe prodhimin para dinjitetit të njeriut e vlerës së punës”.
Krizat që përjeton shoqëria sot nuk sjellin vetëm “plagë”, por shpesh, edhe “burime”
e nxitje për një rifillim e rimëkëmbje të re, shkruan Papa. Duhet pra, të ndjekim
shembullin e don Boskut, i cili qe i aftë të bënte “zgjedhje guximtare” edhe në situata
kritike. Të rriturit, thotë Papa Bergoglio, janë të thirrur t’i dëgjojnë të rinjtë
“me durim, për t’i kuptuar shqetësimet e tyre dhe aspiratat e tyre, e të mësojnë të
flasin me ta më gjuhën që ata e kuptojnë”. “Kisha, përfundon Papa, ka shpresë të madhe
në të rinjtë, por ajo e përfshinë edhe familjen në misionin e edukimit të të rinjve,
sepse pa pjesëmarrjen e familjes, veprimtaria baritore e Kishës nuk ka vlerë”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |