2015-07-16 14:30:00

Mons. Viganò: Papa Françesku komunikon, duke folur konkretisht


Stili komunikativ i Papës Françesku, i cili është “konkret”, ka në thelb bindjen se të flasësh realisht, duke u bazuar në realitetin, është më e frytshme se të paraqesësh ide abstrakte. Më këtë merret, në një nga artikujt e  të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, botuar kohë më parë, kreu i qendrës Televizive të Vatikanit dhe prefekti i Sekretarisë së re për Komunikimin, mons. Dario Edoardo Viganò.

 “Çfarë ka në stilin komunikativ të Papës Françesku, që e bën atë kaq të parezistueshëm?”, pyet mons. Viganò. “Ndoshta, takimi përfundimtar i udhëtimit në Amerikën Latine mund të na shërbejë si rast për të filluar një reflektim, duke marrë si shembull skenarin e jashtëzakonshëm të Asunciòn, përgjatë lumit Costanera, ku u zhvillua takimi me të rinjtë paraguajanë”. Çelësi i interpretimit duhet kërkuar në studimet, tashmë klasike, të raportit ndërmjet kulturës gojore dhe asaj të shkruar.

Fjalimi i përgatitur, që Papa Françesku shpesh e lë mënjanë në shumë raste, është në formën e shkruar, prandaj, siç thotë vetë Ati i Shenjtë Bergoglio, i mërzitshëm. Ndërkaq, stili i Papës, nënvizon mons. Viganò, “është përsëritës, i aftë të kuptojë forcën vendimtare të kontekstit – jo më kot përmendi hermeneutikën në konferencën për shtyp, gjatë kthimit nga Amerika Latine. Ky stil është konkret. Thirrja e vazhdueshme për të qenë konkretë, gjatë ndërhyrjeve të tij, ashtu si edhe në bisedën me të rinjtë e Paraguait, i përket stilit komunikativ të Atit të Shenjtë Bergoglio. Vërtet – vë në dukje mons. Viganò – në ‘Evangelii gaudium’, Papa shkruan se ‘është e rrezikshme të jetojmë vetëm në botën e fjalëve, të imazhit, të sofizmës”.

Kur një here në avion e pyetën si i shikon të rinjtë, që duan të bëjnë “selfie” me të, Papa u përgjigj se kjo është “një kulturë tjetër”, para se cilës ndjehet “stërgjysh”, por e respekton. Interesante është se këto selfie bëjnë më pas xhiron e botës, duke krijuar një bashkësi digjitale, gjithnjë e më të etur për fjalët e Atit të Shenjtë. “Mund të themi – e mbyll artikullin mons. Viganò – se jemi gjithnjë e më tepër dëshmitarë të një takimi të jashtëzakonshëm të një Pape ‘stërgjysh’ me mijëra të rinj, në raste, që krijojnë lidhje ndërmjet grupeve mjaft të mëdha e kontribuojnë në formimin e fshatit global”.








All the contents on this site are copyrighted ©.