2015-07-15 13:13:00

Zizioulas në Civiltà Cattolica: “Lëvduar qofsh” thirrje për ekumenizëm


“Enciklika “Lëvduar qofsh” është thirrje për ekumenizëm ‘ekzistencial’”. Këtë pohon mitropoliti i Pergamos, Ioannis Zizioulas, në një intervistë të gjatë me atë Antonio Spadaron, botuar në numrin e fundit të Civiltà Cattolica (Qytetërimi Katolik). Peshkopi ortodoks, një ndër referuesit e paraqitjes së Enciklikës së Papës Françesku, më 19 qershorin e kaluar, në Sallën e Re të Sinodit, nënvizon se përballë problemeve të mëdha të njerëzimit e të planetit, ndryshimet tona e ndarjet tona relativizohen. Në disa çështje kemi tashmë një ekumenizëm të realizuar. Prej këndej, mund të them se Enciklika është thirrje e vërtetë për unitetin e të krishterëve, për lutjen e përbashkët e për shndërrimin e  zemrave tona e të stileve tona të jetës, që tashmë janë bërë të padurueshme”.

Kriza ekologjike është sidomos krizë shpirtërore  

Kriza ekologjike, vijon Zizioulas në bisedën me drejtorin e revistës së jezuitëve, është thelbësisht problem shpirtëror: Enciklika e thotë qartë se, me mëkatin e rrjedhshëm, lidhja korrekte e njeriut me ambientin e tij u këput. Kjo këputje është mëkat, mëkat ekologjik, si individual, ashtu edhe shoqëror. Kush mendon për shpëtimin e vet, nuk mund të mos e  pranojë  mëkatin ekologjik, fryt i lakmisë njerëzore. Mitropoliti i Pergamos nënvizon angazhimin e madh të patrikut ekumenik Bartolomeu I për temat e ambientit, duke kujtuar se në vitin 2002,  me Gjon Palin II, nënshkroi një dokument të përbashkët, Deklaratën e Venedikut, në të cilën dy liderët e Kishës shprehën shqetësimin për ruajtjen e planetit tonë të kërcënuar nga kriza aktuale ekologjike. Tani, shtoi, në emër të patrikut ekumenik, i shpreh Shenjtërisë së Tij Françeskut mirënjohjen e thellë të botës ortodokse për ngritjen e zërit të tij autoritar në këtë çast kritik të historisë së njerëzimit.

Ambienti dhe drejtësia shoqërore, qendrore në ekumenizëm

Kishat, pohon peshkopi, duhet të kërkojnë unitetin e tyre jo vetëm në lidhje me të kaluarën, por edhe e sidomos, lidhur me kushtet në të cilat jetojnë. Edhe nevojat reale të njerëzimit duhen pasur mirë parasysh në ekumenizmin ekzistencial, e kjo do të thotë se probleme si drejtësia shoqërore dhe mbrojtja e gjithësisë, duhet të zënë kryet e vendit në marrëdhëniet ekumenike. Pastaj, shton, duhet kujtuar edhe se ekologjia nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen, por edhe e kryesisht, me zhvillimin. Më pas mitropoliti propozon që të krishterët të luten së bashku, në të njëjtën datë, për tokën tonë. Patriarkana ekumenike - shpjegon - që në vitin 1989, vendosi t’ia kushtojë lutjes për ambientin datën 1 shtator. Në këtë ditë ne lutemi për gjithësinë, edhe me lutje të posaçme, hartuar nga një ikonograf i Malit Athos. Do të ishte një shenjë, në se kjo datë do të kishte vlerë  për  gjithë të krishterët.  








All the contents on this site are copyrighted ©.