2015-07-15 18:18:00

Atë Funes: sonda pranë Plutonit, sukses i punës në skuadër


Nasa (National Aeronautics and Space Administration) konfirmoi suksesin e misionit të sondës “New Horizons”, e cila këto ditë, pas 9 vjet udhëtimi, “çiku” Plutonin në kufijtë e Sistemit diellor, objektivi më i largët i arritur nga një mjet kozmik. Mëngjesin e së martes së kaluar(14 korrik) sonda  arriti të lidhet me tokën nga një largësi prej pesë milard kilometrash, duke transmetuar fotografitë e para nga Plutoni, në sipërfaqen e të cilit duken “kratere të shkaktuara nga ndeshjet” disa miliarda vjet më parë. Për këtë mision kozmik, flet, në mikrofonin tonë  jezuiti, atë José Funes, drejtor i Obsevatorit Vatikans:

Përgjigje: - Duhet ta marrim me mend vlerën e pallogaritshme të kësaj arritjeje njerëzore: tani ky mision, “New Horizon”, arriti në pikën më të afërt të Plutonit. Por u deshën nëntë vjet e gjysëm, për të arritur atje e, natyrisht, edhe angazhimi i një mori njerëzish. E pikërisht ky është një rast i mirë për të vënë në dukje se shkencën nuk e bëjmë të vetëm, por me të tjerët, me një skuadër, që natyrisht, përbëhet nga astronomë, gjeologë, inxhinierë…Është punë e madhe, përpjekje titanike. Po pse i them gjithë këto gjëra? Për të kuptuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje. Arritëm, pra, në rrethinat  e Sistemit diellor, jemi afër, fare pranë  “rrethit të Kuiper”, ku janë ato objekte, që njihen si “trans-neptuniane”, sepse janë përtej  Neptunit, e në këtë zonë të Sistemit diellor formohen edhe kometat. Tani, kush merret posaçërisht me Plutonin e me këto objekte të rrethit të Kuiper, ka shumë të dhëna për të studiuar e për të kuptuar më mirë formimin  e këtyre objekteve të Sistemit diellor.

Pyetje: - 50 vjet më parë, e pikërisht më 14 korrik, arriti mbi Tokë pamja e parë e Marsit; 50 vjet më pas, gjithnjë më 14 korrik, kemi fotografitë e para të Plutonit. Në një gjysëm shekulli përshkuam gjithë Sistemin tonë diellor. Çfarë solli kjo për njohuritë  e hapësirës nga ana e njeriut?

Përgjigje: - Vështirë të thuash cila është e reja… Pak a shumë, arsyeja, besoj themelore, është ajo, që e shtyn shkencëtarin të degdiset në udhët e gjithësisë, për t’i zbuluar të fshehtat e saj. Është kureshtja shkencore. Njeriu është thellësisht kureshtar, dëshiron të dijë gjithnjë më shumë, të kuptojë gjithnjë më mirë, të shpikë e të zbulojë, e ky më duket një tipar shumë njerëzor, shumë i bukur, që na ndihmon të shtyhemi deri në periferitë, në këtë rast, në të fshehtat e Sistemit diellor.

Pyetje: - A mund të themi se në bazën e këtyre misioneve kozmike, është edhe ndonjë formë e kërkimit të Zotit?

Përgjigje: - Si të thuash, jo drejtpërdrejt. Në gjithçka  të bukur, të vërtetë, të mirë, që bëjmë në jetën tonë, jemi në kërkim të Zotit, edhe pse nganjëherë nuk besojmë shprehimisht në Të; flas për njerëzit, që mund të mos jenë besimtarë. Njerëzit janë gjithnjë në kërkim të së vërtetës, të bukurisë, e në këtë kuptim, mund të themi se edhe këto misione na afrojnë më shumë tek e vërteta, tek e bukura, tek Zoti.

Pyetje: - Pas 50 vjet studimesh të Sistemit tonë diellor, a mund të vërtetojmë  se njeriu është vetëm mbi tokë?

Përgjigje: - Po, mund të themi se deri më sot, duket se nuk ka qenie të tjera të pajisura me arsye. Qenie, që mendojnë! Përsa i përket jetës, nuk kemi ende një përgjigje të plotë e të saktë. Duket se toka është fenomen i zakonshëm në yjet e tjera, se duhet të ketë edhe planetë të tjerë, si Toka. Kjo pa dyshin lë të hapur mundësinë e jetës edhe gjetiu, e, ku ta dish, ndoshta-ndoshta edhe të qenieve të arsyeshme.

Pyetje: - Sonda amerikane tani do të largohet nga Plutoni, për të dalë jashtë Sistemit tonë diellor….

Përgjigje: - Ne jemi në periferi të Sistemit diellor. Plutoni është larg diellit ndërmjet 30 e 50 herë  më shumë se largësia Tokë–Diell: koha që i duhet dritës për të arritur nga Dielli në Tokë, është 8 minuta, ndërsa koha që i duhet dritës së Diellit për të arritur në Pluton, është rreth 5-6 orë. Të mendojmë se ylli më i afërt – Alfa Centauri - është në një largësi katër vjet drite! Unë, që merrem me galaktikat - me galaktikat më të afërta, si Andromeda, që është më pranë nesh, vetëm dy milionë vjet drite, sepse ka edhe galaktika më të largëta – do të thosha se jemi akoma në shtëpinë tonë!  








All the contents on this site are copyrighted ©.