2015-07-14 13:29:00

Marrëveshje historike për programin bërthamor iranian


Pas 20 muaj bisedimesh e 12 vjet amullie, Irani dhe fuqitë e mëdha perëndimore të grupit 5+1 (SHBA-të, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe e Gjermania) arritën marrëveshjen historike mbi programin bërthamor iranian. Gjithsesi, ajo nuk hyn në fuqi menjëherë, pasi duhet të miratohet nga Kongresi amerikan, por presidenti Barak Obama i paralajmëroi kongresmenët se do të vendosë veton kundër çdo lloj ligji, që do të minojë zbatimin e marrëveshjes.

Ajo do t’i garantojë Teheranit tërheqjen graduale të sanksioneve në këmbim të reduktimit të programit të tij bërthamor. Në veçanti, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) do të mund të hyjnë për kontroll në të gjitha qendrat e dyshimta iraniane, përfshirë ato ushtarake. Irani pranoi edhe mundësinë e rivendosjes së sanksioneve brenda 65 ditëve, pas një dhunimi hipotetik të marrëveshjes. Sanksionet kundër Teheranit do të hiqen, me përjashtim të atyre mbi armët dhe mbi raketat balistike, që do të tërhiqen respektivisht pas pesë e tetë vjetësh.

Selia e Shenjtë: rezultat i rëndësishëm, por duhen përpjekje të tjera

 Marrëveshja për programin bërthamor iranian, komentoi drejtoi i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, shihet pozitivisht nga Selia e Shenjtë. Është rezultati i rëndësishëm i bisedimeve të zhvilluara deri tani, shtoi atë Lombardi, por kërkon vijimin e përpjekjeve dhe impenjimin e të gjithëve, që të japë fryte. Urohet, që frytet të mos kufizohen vetëm në fushën e programit bërthamor, por të jenë të shumta edhe në drejtime të tjera.

Një faqe e re në politikën botërore

Tani, hapet një faqe e re në politikën botërore. Fuqitë perëndimore e kanë akuzuar gjithnjë Teheranin se po përdor veprimtaritë për pasurimin e uraniumit me qëllim civil për prodhimin e armëve bërthamore. Kritika të ashpra kundër marrëveshjes u bënë nga Izraeli. Sipas kryeministrit hebraik, Benjamin Netanyahu, ky nuk është çast historik, por një gabim me përmasa historike. Për zv.ministrin e jashtëm izraelit, sot, Perëndimi u tërhoq para së keqes. Për kreun e diplomacisë iraniane, Mohammad Javad Zarif, marrëveshja nuk është e përsosur, por ky është gjithsesi, një çast historik.








All the contents on this site are copyrighted ©.