2015-07-14 14:27:00

Imzot Sako: nevojitet mbrojtje për të krishterët në Irak


Gjithnjë e më e rëndë gjendja e të krishterëve në Irak: denoncimi është i Kishës kaldease lokale, që i kërkon qeverisë më shumë mbrojtje kundër bandave të keqbërësve, që synojnë pasuritë e njerëzit. “Për qindra vjet, të krishterët kanë kontribuar në qytetërimin e në kulturën e Irakut”, lexohet në notën zyrtare. Por ta dëgjojmë thirrjen dramatike nga goja e vetë Patriarkut të Babilonisë së kaldeasve, imzot Louis Sako:

         Unë mendoj se qeveria irakiane e ka për detyrë t’i mbrojë të gjithë qytetarët: vuajnë jo vetëm të krishterët, por edhe të tjerët. Por të krishterët janë një pakicë veçanërisht e brishtë, një objektiv tepër i drejtpërdrejtë, prandaj kanë nevojë për më shumë mbrojtje. Fatkeqësisht, tani për tani, qeveria është e zënë me çlirimin e Anbarit, të Ramadit e të Mosulit nga Isis. E gjithë ushtria është atje e këtu në Bagdad, ka grupe ‘mafiozësh’, që kërkojnë para për festën e Iftarit, ose për të blerë armë. S’e di, është vërtet problem. Prandaj, i kam kërkuar qeverisë t’i mbrojë zonat e të krishterëve: në këto dy javë, katër të krishterë janë rrëmbyer, dy janë vrarë, pavarësisht se u pagua një shpërblim shumë i madh për ta.

Pra, vazhdon eksodi i të krishterëve, ikja nga kjo gjendje?

         Është skandaloze, që bashkësia ndërkombëtare rri e vështron, thotë ndonjë fjalë dënimi, ndërsa nevojitet dorë e fortë për ta ndalur Isis e për të vendosur rendin në këtë Lindje të Mesme: në Iran, në Libi, në Siri, në Jemen, në Liban. Të krishterët paguajnë më shumë për këtë e nuk e dimë psenë… Mos vallë ka plane për të larguar të krishterët prej këndej? Kur nuk e ke të qartë realitetin, nuk mund të bësh asgjë, asnjë lloj projekti, sepse gjendja është e paqëndrueshme. Njerëzit ikin edhe në mënyrë tragjike, pa asgjë me vete, pa një vizion të qartë, pa njohuri për Perëndimin, për gjuhën, traditat, shoqërinë, moralin. Sapo jam kthyer nga Franca, ku kanë gjetur strehë rreth njëmijë vetë. Janë disi të përhumbur, sepse nuk e njohin gjuhën, mendësinë, zakonet e janë të izoluar. Është gjendje shumë e trishtuar.








All the contents on this site are copyrighted ©.