2015-07-13 17:06:00

Paraguái: një jezuit i Asunción: “Bergoglio më shpëtoi jetën”


Papa kaloi në trojet e tre vendeve të Amerikës Latine, duke lënë pas ngushëllim e shpresë, por edhe kujtime, shumë kujtime të pashlyeshme. E jo vetëm kujtimet e ceremonive madhështore, me praninë e qindra mijëra njerëzve, por edhe të takimeve të vogla, që nuk i përfshin fare historia e madhe, ndonëse janë ato, që e bëjnë historinë. Një sivëlla i Bergoglios, atë José Luis Caravais, jezuit andaluzian, prej vitesh në Paraguai, kujton se Jorge Mario Bergolio, kur ishte fare i ri, e ndihmoi të ikte nga Buenos Aires, për të shpëtuar nga kërcënimet e paraushtarakëve argjentinas. Ishin vitet ’70, kur jeta e njerëzve, që i kundërviheshin diktaturës, varej në një fije peri. 

“Erdha në Paraguái kur isha ende student, tregon jezuiti. E punova gjithnjë përkrah ‘camoesinos’. U bëra, kështu, prift-katundar. Më dëbuan, sepse merrja pjesë në Lidhjet agrare kristiane, për shpëtimin e fshatarëve nga shfrytëzimi. Më dëboi “biondi”, tregon atë Caravais, domethënë gjenerali Alfredo Stroessner, diktator, i cili sundoi për dhjetra vjet në vendin që po viziton Papa. Për fat të keq, historia e kësaj bote është plot me  fantazma diktatorësh e diktaturash, që vijnë e shkojnë, duke lënë pas kujtime tejet të hidhura e gjurmë gjaku.

Më kapën milicët e tij, të ngrirë në armë –kujton jezuiti. - Më kërcënuan se do të më torturonin, siç kishin bërë me atë Ubrefil Monzon, meshtar uruguajan”, vijon atë José që, kur e liruan, u transferua në zonën Chaco të Argjentinës, ku punoi përkrah sharrëxhinjve, gjithnjë në zemër të pyjeve.

Vendosa, kështu, të shkoj në Argjentinë - vijon tregimin - ku njoha Bergoglion, që sapo ishte emëruar epror provincial i jezuitëve. Ai më bëri vend në Kolegjin e Shën Miguelit, në portat e kryeqytetit.

Një ditë më lajmëroi urgjent se, së bashku me disa meshtarë të tjerë, isha vënë përsëri në shënjestër nga paraushtarakët. Ishte mirë, prandaj, të largohesha edhe prej këtij vendi. Unë sapo isha kthyer nga Spanja. Punoja me fshatarët në lagjet  e  mjerimit të kryeqytetit. E nuk kisha dëshirë të lëvizja më. Po Bergoglio, që e dinte mirë ç’më priste, nguli këmbë. E më krijoi mundësinë të strehohesha gjetiu. U strehova këtu, në ‘Banados sur’, një nga zonat më varfëra të Asunción, ku u ndje fort kalimi i Papës, që la gjurmë në zemrat e shumë varfanjakëve të mi, atyre që nuk i shkruan historia, ndonëse e shkruajnë historinë. La gjurmë edhe në zemrën time, ku zgjoi kujtimin e atyre ditëve të vështira, kaluar në tortura e në pritje të vdekjes së sigurt.

Po të mos e kisha dëgjuar këshillën e Bergoglios, që as në mendje nuk më shkonte se një ditë do ta takoja në humbëtirën, ku mundohem të çoj dritën e Krishtit, sot nuk do të isha gjallë, për ta parë Papë”. 








All the contents on this site are copyrighted ©.