2015-07-13 13:31:00

Papa: kultivoni fenë solidare


Papa Françesku mbërrini sot pas dite në Romë nga Paraguai, etapa e tretë dhe e fundit e udhëtimi tij apostolikë në Amerikën Latine.
“Mirënjohje e dashuri për popullin e dashur të Paraguait, të cilin e bartë në zemrën time”, në mesazhin e falënderimit, të cilin nga avioni që e solli në Itali, Papa Françesku ia dërgoi Presidentit të Paraguait, Manuel Cartes Yara. “Duke u larguar nga Paraguait për të vijuar udhëtimin e kthimit drejt Romës, pranoni Shkëlqesia Juaj – shkruan Papa – përshëndetjet e përzemërta. Zotit i kërkoj hire të panumërta për të gjithë, që të ju ndihmoj të përparoni në vëllazëri e harmoni”.
Kështu, me këto fjalë të përzemërta, dërguar nga avioni presidentit të Paraguait, me pamjen e paharrueshme të turmës të të rinjve përgjatë Costanera-s, me rivendikimin e “së drejtës së shenjtë për shtëpi”, bërë nga Maria Garcia në barakopoli të Banado Norte-s, Papa e la Paraguain në përfundim të udhëtimit të tij apostolik në tri Shtetet e Amerikës Latine: Ekuador, Bolivi e Paraguai, triumfale qe mikpritja dhe numri i pjesëmarrësve në takime e kremtime me Atin e Shenjtë Bergoglio. E gjithë ajo që ndodhi e përjetua këto ditë, do të kenë një peshë të veçantë edhe për zhvillimin e kësaj papnie.
E këtë, duke konsideruar faktin se Papa Bergoglio hyri në mënyrë të thjeshtë e plot përvujtëri nga porta e ngushtë dhe e vogël: vizitoi tri Vende jo të mëdha, jo me “peshë” në politikën botërore, siç dëshmoi edhe me vizitën e tij në vendin e parë të Evropës, në Shqipëri në shtatorin e vitit të kaluar. Papa Françesku i kaloi e mbajti mirë ritmet e ngjeshura të këtij shtegtimi të gjatë në Amerikën Latine, me dhjetëra takime e programe çdo ditë, mes të cilave, po theksojmë Meshën që kremtoi në Ekuador në ‘Parkun e Dyqind vjetorit’, me thirrjen e tij drejtuar popujve për të ripërtërijë britmën e lirisë që ka jehuar para 200 vjetësh kundër forcave koloniale, thirrjen për ndërtimin e një modeli të ri të shoqërisë përfshirëse, ku Ungjilli ofron kontributin e vet.
Pastaj pjesëmarrjen e Papës në takimin e dytë botëror të lëvizjeve popullore, në Santa Cruz, në Bolivi, një lloj “OKB-je e lëvizjeve” të mbarë botës, së cilës Papa Bergoglio i shpjegoi manifestin personal aideologjik, për një atdhe të madh sa bota, të cilin ndoshta do ta kujtojë e ripohojë edhe në asamblenë e përgjithshme të OKB-së, në shtatorin e ardhshëm.
Në lidhje me udhën e Kishës në Amerikën e Jugut, një tjetër ngjarje me rëndësi e këtij shtegtimi të Papës qe edhe Mesha e kremtuar në Caacupé në Paraguai, me një orientim të ri të religjiozitetit popullor marian, në vështrimin jo vetëm devocional por edhe përmbajtjesor të fesë së krishterë. Është fjala për atë teologji të popujve dhe fe praktike, që Papa Bergoglio kërkon të mishërohet në jetën tonë të përditshme, edhe si “armë” kundër konflikteve ndërmjet popujve e njerëzve.
Mund të themi se shtegtimi apostolik i Papa Françeskut në Amerikën Latine ka qenë një udhëtim domethënës për dialogun dhe konfrontimin ndërmjet të gjitha komponentëve që përbëjnë shoqërinë, duke u nisur nga popujt e misioni i komuniteteve, si bazë e ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, jo të mbështetur mbi interesat ekonomike, por mbi solidaritetin dhe drejtësinë, për të gjithë, duke filluar nga të varfrit e të mënjanuarit, të cilët për Papën e bashkë me të, edhe për Kishën, janë nxitje për ta ndjekur Krishtin, sipas mësimit të Ungjillit, dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.
Kështu, për nga përmbajtja dhe vlerat njerëzore, shpirtërore, shoqërore, kishtare e deri edhe politike, ky shtegtim apostolik i Papës në tri Vendet e Amerikës Latine, ofron një reflektim të rëndësishme për Kishën katolike dhe për mbarë shoqërinë bashkëkohore. Këtë si për argumentet e po kështu edhe tematikat e trajtuara e të propozuara, për ndërtimin e një shoqërie të re, më të drejtë e më vëllazërore, për të gjithë, pa dallim, ma përjashtim, madje me një afrim, përfshirëse e pjesëmarrje të të gjithëve. 








All the contents on this site are copyrighted ©.